Mjerimi i Komisionit të Venecias në zyrën e Ramës!

Sami NEZA

Siç ka vepruar edhe në raste të tjera kur kryeministri Rama citon ndërkombëtarët për hesap të interesave të tij, edhe kësaj rradhe ka deformuar në kuptim e në sintaksë atë çfarë sanksionon Venecia në dokumentat e veta.
Nëse merr në dorë të njëjtin dokument që ka përdorë Rama për perifrazimet e tij “Raport : Mbi marrëdhëniet midis përgjegjësisë politike dhe penale të ministrave”, publikim i vitit 2013, është qartë se Kryeministri ka shkoqur pjesë prej raportit të Komisionit të Venecias duke i vendosur në kontekst favorizues për veten dhe zëvëndësen e tij Balluku.
Komisioni i Venecias e pranon në mënyrë të qartë që anëtarët e qeverisë (ministra, kryeministër) mund të jenë subjekt i përgjegjësisë penale dhe masave nga gjykatat, por brenda kufijve të parashikuar nga kushtetuta, rregullat për imunitetin dhe parimi i ndarjes së pushteteve.
Vendimi i GJKKO për Ballukun nuk adreson imunitetin e saj.
Komisioni thekson se ministrat i nënshtrohen në parim ligjit penal të zakonshëm dhe procedurave të zakonshme gjyqësore, përveç rasteve kur kanë imunitet të parashikuar posaçërisht.
Në Shqipëri nuk ka imunitet të posaçëm për ministrat në kuptimin e mbrojtjes përpara përgjegjësive penale.
Raporti shpjegon se në shumë vende evropiane ekzistojnë rregulla të posaçme për përgjegjësinë penale të ministrave, por këto nuk duhet të pengojnë ndjekjen penale kur shkeljet janë serioze. Ndërsa flet për Imuniteti e zyrtarëve dhe kufizimet ndaj gjykatave, Komisioni i Venecias, rekomandon që imunitetet për zyrtarë të lartë të jenë të kufizuara, të qarta dhe gjithmonë me mundësi heqjeje përmes procedurash të paanshme.
Nga standardet e Komisionit del qartë se ministrat dhe kryeministri mund të procedohen penalisht dhe të dënohen nga gjykatat, si çdo zyrtar tjetër, nëse kushtetuta dhe ligjet e vendit parashikojnë këtë dhe, kur ka imunitet, ai mund të hiqet nëpërmjet procedurës së parashikuar.
Të tilla ligje janë në Shqipëri dhe SPAK E GJKKO janë mbështetur tek ato për vendimin ndaj Ballukut.
Dokumenti i mësipërm thekson se Gjykatat penale janë forumi normal për të gjykuar vepra penale të ministrave, ndërsa për përgjegjësinë politike (si heqja nga detyra) mekanizmi kryesor mbetet parlamenti përmes mocioneve të mosbesimit ose procedurave të tjera kushtetuese.
Sërish nuk kemi interferim pushtetesh mes gjykatës e prokurorisë me ekzekutivin, aq më pak me legjislativin.
Komisioni thekson se përgjegjësia politike (para parlamentit, elektoratit) është më e gjerë dhe nuk mund të zëvendësojë përgjegjësinë penale kur ka dyshim për vepra penale. Veprimet që janë thjesht vendime politike të diskutueshme nuk duhet të kriminalizohen, ndërsa shkeljet serioze të ligjit (korrupsion, abuzim detyre etj.) duhet të ndiqen penalisht.
Është pikërisht ajo që ka bërë SPAK dhe GJKKO, kundër të cilave është ngritur Kryeninistri.
Sanksionet (dënime me burg, gjoba, ndalim funksionesh publike etj.) duhet të jenë efektive dhe proporcionale, duke përfshirë mundësinë e heqjes nga detyra nëse parashikohet nga ligji penal ose kushtetuta.
Pezullimi nga detyra është parashikim i ligjit penal shqiptar dhe i cili është zbatuar në rastin e Ballukut.
I vetmi moment ku Komisioni i Venecias ndalet pak duke diferencuar ministrat bën fjalë për akuzat shpërdorim detyre duke konsideruar se akuza të tilla janë veçanërisht problematike, pasi janë të ekspozuara ndaj përdorimit politik dhe mund të shkelin nenin 7 të ECHR-së( Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut) dhe standardet e shtetit të së drejtës.
Megjithatë komisioni thekson se akuza të tilla duhet të interpretohen ngushtë dhe të zbatohen me prag të lartë, duke kërkuar kritere shtesë si dhe duhet të merret parasysh natyra e veçantë e politikës.

About Redaksia

Check Also

Një “SPAK YOU” zyrtare, edhe prej “të pandëshkueshmëve”…

Nga Gent STRAZIMIRI Hajdutja e pandehur zyrtarisht nga SPAK, Belinda Balluku, ka përshëndetur me një …