Të bësh një betejë…

Nga Iva V.GRILLO
Të bësh një betejë do të thotë të mos t’ia ndash sytë objektivit, “të lundrosh” drejt tij dhe të mos lejosh për asnjë minutë që të t’a marrin mendjen “sirenat” rrugës.
Po kështu, do të thotë që grupi të veprojë si një regjiment ushtarak, të njohë hierarkinë, të dijë kush është kapiteni dhe gjithkush të ndjekë me rigorozitet instruksionet e urdhrat.
Këtë duhet ta ketë parasysh më shumë se kurrë fronti opozitar i cili ndodhet përpara një betejë për jetë a vdekje: përballjen me narko-shtetin dhe kthimin e vendit në binarë institucionalë.
Krenaria për diversitetin dhe mendimin ndryshe është diçka mëse e ligjshme në kohë të paqta, por në kohëra të vështira fronti opozitar duhet të tregojë kohezion, të japë mesazh të unifikuar, të fortë dhe të pangatërrueshëm.
Të papranueshme mesazhet konfuze, protagonizmi i tepruar, humbjet e energjive me tema anësore apo nxjerrja në bardhak e çdo kontradikte apo përplasje të brendshme brenda frontit opozitar, sidomos në një kohë që opozita po përballet me një represion të madh nga pushteti.
Në 2024 Shqiperia ka të burgosur politikë, ka institucione të kapura dhe ka humbur gati 1/3 e popullsisë…
Nga opozita kërkohet më shumë se kurrë seriozitet dhe përballje me regjimin…çdo “bumje” e hedhur brenda frontit opozitar për tema të tjera diversive është një levizje vetëasgjësuese, largim nga objektivi dhe dërgim i “anijes” në detra të panjohura.
Sot opozita, elektorati i vet dhe mbështetësit duhet të mbajnë timonin fort …
Në kohë më të paqta çdokush do ketë rastin të shpalosë ngjyrat e veta.
Por sot, në luftë, duhet disiplinë … dhe gjithë sytë tek objektivi!!

About Redaksia

Check Also

Një “SPAK YOU” zyrtare, edhe prej “të pandëshkueshmëve”…

Nga Gent STRAZIMIRI Hajdutja e pandehur zyrtarisht nga SPAK, Belinda Balluku, ka përshëndetur me një …