Gjekmarkaj: Përmbytjet, pasojë e korrupsionit dhe dështimit të shtetit!

Deputeti Agron Gjekmarkaj akuzoi qeverinë nga foltorja e Kuvendit se përmbytjet e ditëve të fundit në Lezhë, Mirditë dhe Kurbin nuk janë thjesht një fenomen natyror, por një situatë e shkaktuar nga mungesa e investimeve, keqmenaxhimi dhe papërgjegjshmëria institucionale.

Ai tha se zonat e prekura – Spiten, Zejmen, Barbullonjë, Rrilë, Tale, Torovicë, Zadrimë, Milot, Mamurras dhe Fushë-Kuqe – janë përballur me të njëjtën problematikë prej vitesh, ndërsa argjinaturat dhe hidrovoret kanë mbetur të amortizuara dhe pa mirëmbajtje.

Sipas tij, hidrovorit të Tales i mungoi energjia pikërisht në momentin më kritik, ndërsa ai i Balldrenit mbetet një premtim i parealizuar.

Gjekmarkaj: Ajo që ndodhi me përmbytjet e ditëve të fundit nuk është as surprizë, as fatkeqësi e pashmangshme, është një fatkeqësi e stimuluar. Ajo është pasqyrë e qartë e korrupsionit dhe e dështimit të pushtetit lokal dhe pushtetit qendror.

Një histori e përsëritur kjo ku qytetarët vuajnë ndërsa përgjegjësit fshihen pas premtimeve boshe, lekëve të zhvatura dhe kamerave të propagandës. Ne e dimë, përmbytjet në Spiten, në Zejmen, në Barbullonjë, në Rrilë, në Tale, në Torovicë, në Zadrim, në Milot, në Mamurras, në Zhej, në Fushëkuqe e me gjerë nuk erdhën papritur. As mungesa e dritave dhe pasojat e tyre të shumta, fytyra e çdo stine, nuk erdhën papritur.

Ndodhi ajo që gjithmonë ndodh, kur pushteti nuk investon, por merr, kur nuk mirëmban, por mbulon, kur nuk dëgjon, por flet, kur nuk vlerëson rrezikun, por e vesh atë me një premtim të ri. Mijëra hektarë u zhdukën nën ujë të kripur, po kaq shtëpi, kultura bujqësore, biznese dhe familje u përballën vetëm me dëme. Pa asnjë plan dhe pa asnjë reagim serioz nga ata që duhet të jenë të parët në terren. Në Lezhë nuk ka pushtet lokal, nuk ka ministri bujqësie, nuk ka ministri mbrojtje dhe nuk ka as emergjenca civile.

Argjinaturat janë të amortizuara prej vitesh. Çarjet i ndjejnë të gjithë banorët, përveç atyre që merren me propagandë. Ndërsa një e çarë u mbyll me duartrokitje para kamerave, një tjetër u hap sërish vetëm 24 orë më pas, duke vënë në alarm banorët e bregut të Matës. Ka zëra, ka diskutime publike dhe shqetësime të ngritura nga komuniteti mbi abuzime dhe devijime të mundshme për interesa ndërtimore.

Shqetësime që meritojnë transparencë dhe hetim, jo heshtje. Në vend të tyre nuk është habi të shohim ndonjë leje ndërtimi për taksidarët e votës së lirë. Hidrovoret, ashtu si argjinaturat, janë lënë në mëshirë të fatit. Hidrovori i Tales mbeti pa energji, pikërisht kur duhej më shumë se kurrë. Ndërsa i Balldrenit është premtuar për vite me radhë, por vetëm premtimi është ndërtuar.

About Redaksia

Check Also

“Mogherini”/ Zhupa: Sot  kuptuam ç’doni të thoni me standard europian!

Në nisje të seances parlamentare, deputetja Ina Zhupa ishte e para që mori fjalën, ndërsa …