Pezullimi i Ballukut/ Berisha: Çështja kaloi për gjykim pas presioneve të Ramës, Kushtetuesja të zhvillojë seancë publike

Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë konferencës me gazetarët u shpreh se, çështja e pezullimit të Ballukut kaloi për gjykim pas presioneve të kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar nga Gjykata Kushtetuese zhvillimin e një seance publike.

Berisha theksoi se, një kryeministër nuk ka shkuar kurrë në historinë e Kushtetueses për të mbrojtur masat e marra nga gjykatat e tjera, ndërsa shtoi se akti i Ramës lidhet me implikimin e tij në aferat korruptive dhe vlerësoi se qytetarët duhet të kenë mundësinë të ndjekin drejtpërdrejt gjykimin.

“Ndërkohë që në Gjykatën Kushtetuese të vendit zhvillohet një betejë e pashembullt në historinë e një vendi, midis institucionit të dorëheqjes dhe institucionit të vjedhjes, të përfaqësuar nga qeveria, mësohet se gjykata në një presion të tmerrshëm vendosi të shqyrtojë çështjen e përfaqësuar nga avokati i vjedhjeve qeveritare, Edvin Kristaq Rama.

Duke mos komentuar më tej, në këtë çështje, i bëj thirrje Gjykatës Kushtetuese të parashikojë seancë publike në gjykimin e kësaj çështje pasi është çështja më e nxirë në historinë e jurisprudencës evropiane dhe botërore.

Kurrë ndonjëherë, një kryetar qeverie, një kryeministër, shef ekzekutivi, president qoftë ai, nuk ka shkuar në Gjykatë Kushtetuese për të mbrojtur masat që gjykatat e tjera kanë marrë për vjedhje klamoroze të dokumentuara në të gjitha aspektet.

Ky akt i Edi Ramës lidhet absolutisht vetëm me implikimin e tij gjer në veshë në këtë aferë dhe në afera të tjera që vijnë pas.

Edi Rrma kundërmon sot në Europë dhe në botë si kampion i vjedhjeve të popullit të vet dhe kundërmon si Ramaduro apo Noriega e Europës.

Përpiqet i mbyturi të kapet në fije bari, të bëjë presione nga më absurdet ndaj sistemit gjyqësor në një kohë kur është absolutisht i pashpresë.

Është një bashkëpunëtor i organizatave kriminale dhe karteleve të drogës dhe ky është kualifikimi botëror sot për Edvin Kristaq Ramën.

Pa dyshim hyn në Gines.

Është regjistruar në Gines si kryeministri i parë në histori që në vend të dorëheqjes ndaj ministres së tij, bëhet avokat në gjykata dhe kërkon ta mbrojë duke i dëshmuar popullit të vet se çfarë fatkeqësie dhe mjerimi u ka sjellë ai gjatë qeverisjes së tij.

I kërkoj parlamentit të bëjë të gjitha demarshet që Gjykata Kushtetuese të zhvillojë seancë plenare të hapur për publikun, në të cilën shqiptarët të shohin me sytë e tyre, të dëgjojnë me veshët e tyre se si Edi Rama ka zëvendësuar institucionin e dorëheqjes dhe shkarkimit me institucionin e vjedhjes qeveritare.

U bëj thirrje gjykatësve të denoncojnë në format që i gjykojnë të përshtatshme çdo lloj ndërhyrje në punën dhe veprimtarinë e tyre dhe të hedhin në kosh mashtrimet dyditore të Edi Ramës, duke cituar Komisionin e Venecias për gjëra që ai nuk i ka thënë kurrë, nuk i ka shkruar kurrë.
Pra, Edi Rama rishkruan edhe dokumentet për të mbrojtur e vet.

Rishkruan edhe dokumentet e Komisionit të Venecias dhe vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.

Rishkruan Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut për të mbrojtur veten e tij, se sa për Lubinë, e kishte hedhur 10 herë në Lanë deri tani”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

“Kapo”, pseudonimi i Ramës tek mafia/ Agasi 30.2 milionë euro në 9 muaj

Gazment BARDHI Nga “Palloshi i gjatë” i Belinda Ballukut, tek “Kapo” i Ergys Agasit! Edi …