Zgjedhja e titullarëve të institucioneve nga Kuvendi/ PD kërkon proces transparent 

Grupi Parlamentar i PD propozon një proces transparent dhe me rregulla të qarta për përzgjedhjen e titullarëve të institucioneve nga Kuvendi, përfshirë Avokatin e Popullit.

Sipas një njoftimi të publikuar nga selia blu kuptohet se Grupi parlamentar i kësaj force politike i ka kërkuar kreut të kuvendit që të udhëheqë një proces transparent diskutimi mes grupeve parlamentare për emërimin/zgjedhjen e organeve të pavarura kushtetuese apo të krijuara me ligj, në një prej organeve të Kuvendit

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike

Tiranë, më 02 Dhjetor 2025

Grupi Parlamentar i PD propozon një proces transparent dhe me rregulla të qarta për përzgjedhjen e titullarëve të institucioneve nga Kuvendi, përfshirë Avokatin e Popullit

NJOFTIM PËR SHTYP

Grupi Parlamentar i PD i ka kërkuar Kryetarit të Kuvendit që të udhëheqë një proces transparent diskutimi mes grupeve parlamentare për emërimin/zgjedhjen e organeve të pavarura kushtetuese apo të krijuara me ligj, në një prej organeve të Kuvendit, ku vlerëson si forumin më të përshtatshëm dhe transparent Konferencën e Kryetarëve.

Në letërën e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi, theksohet se në Progres-Raportin e fundit të Komisionit Europian për Shqipërinë, ndër të tjera evidentohet se: “……Politizimi i emërimeve parlamentare në pozitat e larta të organeve kushtetuese apo institucioneve të pavarura të krijuara me ligj mbetet një çështje serioze.”.

“Në këtë kuptim, procesi i emërimeve vijuese nga ana e Kuvendit të Shqipërisë në të gjitha organet e pavarura kushtetuese apo të krijuara me ligj, duhet të jetë transparent dhe pjesë e një procesi konsultimi të sinqertë mes të gjitha grupeve parlamentare, me synim ruajtjen e pavarësisë së këtyre organeve dhe respektimin e parimit të meritokracisë.” – thuhet në letrën që Gazment Bardhi i ka drejtuar Kryetarit të Kuvedit dhe për dijeni grupeve parlamentare dhe Trupit Diplomatik në vend.

Sipas grupit parlamentar të PD, procesi duhet të garantojë ndërveprimin e sinqertë dhe gjithëpërfshirës të të gjitha grupeve parlamentare në emërimin/zgjedhjen e organeve të pavarura kushtetuese apo të krijuara me ligj, sipas rregullave parimore të përcaktuara paraprakisht dhe që i bëhen të njohura opinionit publik dhe kandidatëve përkatës.

Konkretisht, grupi parlamentar i PD ka propozuar këtë formulë të bashkëveprimit midis grupeve parlamentare:

Për emërimin/zgjedhjen e organeve të pavarura kushtetuese apo të krijuara me ligj, për të cilën kërkohet shumicë e cilësuar (prej 3/5 të anëtarëve të Kuvendit – rasti i Avokatit të Popullit), procesi të jetë i ndërtuar sipas kësaj formule:

Grupi Parlamentar që përfaqëson pakicën parlamentare propozon deri në 6 (gjashtë) kandidatë të përzgjedhur prej tij, nga lista e kandidatëve që sipas Komisioneve Parlamentare përmbushin kërkesat e kërkuara nga Kushtetuta/Ligji.

Grupi Parlamentar që përfaqëson shumicën parlamentare të përzgjedhë nga lista e propozuar sipas shkronjës “a” më sipër 3 (tre) kandidatë të pranueshëm sipas tij për votim.
Grupi Parlamentar që përfaqëson pakicën parlamentare, nga lista e përzgjedhur sipas shkronjës “b” më sipër, propozon për emërim/zgjedhje 1 (një) kandidat.
Seanca plenare voton me konsensus mes të gjitha grupeve parlamentare kandidatin e përzgjedhur sipas shkronjës “c” më sipër.

Për emërimin/zgjedhjen e organeve të pavarura kushtetuese apo të krijuara me ligj, për të cilën kërkohet shumicë e anëtarëve të Kuvendit, procesi të jetë i ndërtuar sipas kësaj formule:

Grupi Parlamentar që përfaqëson shumicën parlamentare propozon deri në 6 (gjashtë) kandidatë të përzgjedhur prej tij, nga lista e kandidatëve që sipas Komisioneve Parlamentare përmbushin kërkesat e kërkuara nga Kushtetuta/Ligji.

Grupi Parlamentar që përfaqëson pakicën parlamentare të përzgjedhë nga lista e propozuar sipas shkronjës “a” më sipër 3 (tre) kandidatë të pranueshëm sipas tij për votim.

Grupi Parlamentar që përfaqëson shumicën parlamentare, nga lista e përzgjedhur sipas shkronjës “b” më sipër, propozon për emërim/zgjedhje 1 (një) kandidat.
Seanca plenare voton me konsensus mes të gjitha grupeve parlamentare kandidatin e përzgjedhur sipas shkronjës “c” më sipër.

Në përfundim, grupi parlamentar i PD thekson se opozita mbetet e vendosur për t’u angazhuar në procesin parlamentar të përzgjedhjes/emërimit, vetëm nëse ndërtohet një proces transparent dhe me rregulla të qarta, që garanton pavarësinë e këtyre institucioneve të rëndësishme, si dhe krijon premisën e nevojshme për të ruajtur besimin e qytetarëve tek këto organe.

About Redaksia

Check Also

“Kapo”, pseudonimi i Ramës tek mafia/ Agasi 30.2 milionë euro në 9 muaj

Gazment BARDHI Nga “Palloshi i gjatë” i Belinda Ballukut, tek “Kapo” i Ergys Agasit! Edi …