Kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Mëlyshi, në fjalën e mbajtur në Foltoren e Partisë Demokratike, vlerësoi fitoren e 11 majit si një mesazh të qartë të qytetarëve të Mirditës për integritet, liri dhe rezistencë ndaj presionit politik.
Ai theksoi se rezultati i padiskutueshëm i PD në këtë zonë dëshmon refuzimin e manipulimeve dhe përdorimit të burimeve shtetërore nga pushteti, ndërsa u ndal edhe tek gjetjet e raportit të OSBE-ODIHR, që sipas tij konfirmojnë se gara zgjedhore nuk ka qenë e barabartë. Mëlyshi ngriti shqetësimin për mungesën e investimeve nga qeveria qendrore dhe diskriminimin ekonomik të Mirditës, duke apeluar për reforma zgjedhore, forcim të mbrojtjes së votës dhe modernizim të Partisë Demokratike.
Albert Mëlyshi: I nderuar kryetar i Partisë Demokratike zoti Sali Berisha, të nderuar deputetë, të nderuar anëtarë të kryesisë, drejtues lokal, përfaqësues të rinisë dhe të gruas. Të dashur demokratë dhe qytetarë të Mirditës. Sot jemi mbledhur për të analizuar në një diskutim të lirë me kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë mbi zgjedhjet e 11 majit, por dhe domosdoshmërinë për një angazhim më të madh, jo për fate individësh, por për fatet e Shqipërisë. Mirdita dha një mesazh të qartë. Demokracia dhe integriteti fitojnë pavarësisht presionit dhe padrejtësive. Partia Demokratike fitoi këtu me diferencë, me diferencë të thellë krahasuar me çdo palë zgjedhje të mëparshme në një fitore të padiskutueshme. Ky rezultat është meritë e qytetarëve tanë, të cilët nuk u dorëzuan ndaj presionit dhe manipulimit. Mirdita mbetet bastion i vlerave të lirisë dhe integritetit.
Ky model duhet të shërbejë si shembull për gjithë Shqipërinë. Do doja njëkohësisht që nga raporti i OSBE-ODIHR-it të flasim për disa, për disa çështje të cilat dolën në raportin e OSBE-ODIHR-it. Gara nuk ishte e barabartë. Burimet shtetërore dhe mekanizmat publikë u përdorën për favore të pushtetit. Presioni mbi qytetarët dhe administratën publike, punonjësit dhe votuesit ishin të kërcënuar të drejtpërdrejtë ose indirekt. Mediat ishin të anshme, opozita nuk pati hapësirë të barabartë për të komunikuar programin. Përdorimi i mekanizmave shtetëror në fushatë, automjete, ndërtesa, fonde dhe programe sociale të përdorura në mënyrë selektive. Klimë tensioni dhe polarizimi, reaktiv, agresiv dhe presion mbi qytetarët gjatë fushatës. Ky raport konfirmoi se beteja jonë nuk është vetëm politike, por edhe për standarte demokratike. Diskriminimi i Mirditës dhe trajtimi i padrejtë nga qeveria qendrore.
Mungesa e fondeve dhe investimeve bazike, rrugë, ujësjellësa, ndriçim dhe infrastrukturë. Mirdita kontribuon fuqishëm në ekonominë e vendit, energji elektrike, minerale, bujqësi, blegtori. Renta e kthyer në bashki, minimale, shpesh qesharake. Jo në proporcion me kontributin. Ajo që Mirdita i jep arkës së shtetit do të mjaftonte për të ngritur këtë zonë me dinjitet. Mirdita nuk kërkon privilegje, kërkon drejtësi dhe trajtim të barabartë, edhe përkundër këtyre padrejtësive. Mirdita fitoi me integritet dhe tregoi se qytetarët nuk dorëzohen. Partia Demokratike ka disa detyra dhe përgjegjësi. Për reformën zgjedhore, garën e ndershme, administratë të depolitizuar, media të lirë. Forcimin i mbrojtjes së votës dhe pranisë në terren. Afrimi i personaliteteve të respektuar dhe profesionistëve. Ruajtja e bashkimit dhe seriozitetit të Partisë Demokratike. Organizimi i brendshëm, reflektim dhe përmirësim.
Partia Demokratike duhet të jetë gjithmonë parti e hapur, transparente dhe meritokratike. Si përfundim, Mirdita si shembull dhe thirrje për aksion, tregoi se kur qytetari qëndron i bashkuar me integritet, është mbi çdo presion politik. Fiton drejtësia. Kjo fitore nuk është thjesht një rezultat zgjedhor, është një mesazh për gjithë Shqipërinë. Ata që punojnë me ndershmëri, që kontribuojnë dhe që mbrojnë vlerat e demokracisë nuk mund të dështojnë. Dhe le mos të harrojmë, Mirdita nuk është vetëm një bashki. Ajo është një shembull, shpresë dhe zë i fuqishëm për gjithë Shqipërinë, për qytetarët tanë, për të ardhmen e fëmijëve tanë, për një Shqipëri ku drejtësia dhe dinjiteti triumfojnë mbi padrejtësinë. Ne do të qëndrojmë të palëkundur.
Rroftë Partia Demokratike!
Gazeta RD