Fshati Qinam ndodhet në prag të një konflikti që, sipas banorëve, “rrezikon të shkojë deri tek armët”. Shkak është projekti për ndërtimin e një parku fotovoltaik në kullotat e fshatit, aty ku çdo ditë kullosin mijëra krerë bagëti e qindra lopë, që për dekada kanë qenë burimi kryesor i të ardhurave për familjet fermere.
Banorët rrëfejnë për emisionin “Fol” në MCN TV se janë lënë në terr informativ, pa asnjë dëgjesë publike apo shpjegim mbi ndikimin që do të ketë projekti në jetën e tyre. Ata pretendojnë se vendimi i Këshillit Bashkiak të Kolonjës për dhënien e kullotës është marrë pa transparencë dhe pa konsultim me komunitetin.
“Na morën tokën ku kemi bukën e gojës. Askush nuk na ka pyetur, askush nuk na ka informuar. Po na marrin jetesën tonë me një firmë në zyrë”, – shprehen banorët e Qinamës.
Situata është përshkallëzuar ndjeshëm, ndërsa në fshat ndjehet presion i madh dhe frikë. Sipas dëshmive, shumë banorë janë të zemëruar dhe të tradhtuar nga institucionet, duke paralajmëruar se situata mund të dalë jashtë kontrollit nëse projekti nuk anulohet.
Në Qinam, asnjë familje nuk ka certifikata pronësie, as për tokat dhe as për objektet, ndërsa fshati përballet me mungesë kanalizimesh, rrugë të amortizuara dhe ndotje nga ujërat e zeza. Për banorët, fakti që në një zonë ku mungon infrastruktura bazë po ndërtohet një park energjie është “një padrejtësi e rëndë”.
“Në vend që të na ndihmojnë me ujë, me rrugë, me dokumente pronësie, na marrin edhe kullotat. Po na zhdukin si fshat”, thonë ata.
Banorët paralajmërojnë se nëse projekti për parkun fotovoltaik nuk ndalet, ata do të reagojnë me protesta, duke mbrojtur “tokën e brezave” që siguron ekzistencën e tyre dhe të dhjetëra familjeve që jetojnë vetëm nga blegtoria.
Gazeta RD