Berisha: Buxheti 2026 është një piramidë mashtrimi, u rrit nga rritja e çmimeve! Kartelet e drogës efekt shkatërrimtar

Kryetari i PD, Sali Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar tha se buxheti i vitit 2026 është “një piramidë mashtrimi dhe vjedhjeje”, duke akuzuar qeverinë se rritja ekonomike mbi të cilën mbështetet dokumenti financiar është e fryrë nga rritja e çmimeve dhe jo nga prodhimi real.
Në fjalën e tij, Berisha theksoi se të dhënat e INSTAT-it tregojnë një “efekt shkatërrimtar të karteleve të drogës” mbi ekonominë, ndërsa kritikoi faktin se shteti është bërë kontribuuesi kryesor i rritjes ekonomike përmes rritjes së pagave, pensioneve dhe taksave të mbledhura si pasojë e shtrenjtimit të produkteve.
“Mirëdita dhe gëzuar 8 dhjetorin atyre që janë dhjetoristë dhe atyre të cilët kanë vazhduar atë rrugë dhe atë traditë.
Së pari desha të ndalem tek një çështje themelore e buxhetit.
Ky buxhet është një piramidë mashtrimi, vjedhjeje ndaj qytetarëve shqiptarë. Të dhënat më të fundit të INSTAT-it, tregojnë efektin shkatërrimtar të karteleve të drogës mbi ekonominë e vendit, mbi rritjen ekonomike të vendit dhe zhvillimin.
Çfarë tregojnë këto të dhëna mbi rritjen ekonomike mbi të cilën bazohet buxheti. Këto të dhëna tregojnë se, në këtë rritje ekonomike, për herë të parë pas 32 vitesh ekonomia shqiptare në rritje ka kontribut minorance.
Për herë të parë në 2 vite, shteti është kontributor kryesor, por jo se janë ndërmarrjet publike të shtetit. Se ka shtete të cilat menaxhojnë sektorë publikë prodhimi, që predominojnë mbi sektorin privat. Kurse këtu shteti predominon në ekonomi me 2 kontribute kryesore.
Së pari me rrogat, pensionet, sigurimet shoqërore, sigurimet e tjera, duke mbajtur një makineri gjigande të punësuerish dhe rritjen e tyre. Rritjen fiktive siç do ta shohim këtu.
Së dyti, shteti kontribuon me taksën neto. Çfarë është taksa neto? Taksa neto është taksa që vilet ndaj prodhimeve, shërbimeve, etj., pasi zbritet subvencioni dhe shpenzimi për të.
Por shikoni çfarë ndodh.
Ndodh që çdo rritje çmimi, rrit taksën. Nëqoftëse çmimi i qumështit kalon nga 2 në 4 euro, TVSH që vilet nga e njëjta litër qumësht dyfishohet dhe kështu për të gjithë zinxhirin e çmimeve.
Pra, një rritje që i detyrohet rritjes së çmimeve. Në një kohë kur jo rritja e çmimeve, por stabiliteti i tyre dhe pse jo në raste të caktuara ulja për shkak të konkurrencës etj., është përfitimi madhor i qytetarëve shqiptarë.
Për ta zbërthyer më tutje këtë buxhet.
Sot vetëm nga viti 2023 gjer në vitin 2025, me 200 euro merr më pak seç merrje 3 vite më parë me 160 euro. Po, e provuar, e faktuar.
Rritja e çmimeve sipas Eurostat-it krahasuar me vendet e tjera është 1% më e lartë se çmimi mesatar i BE-së, në ushqime është 17%.
Por tani ka një studim me të dhëna të frikshme nga një ekspert absolutisht i pavarur, i cili nxjerr çmimet në Shqipëri, 85% më të larta se në mesataren e BE-së. Unë personalisht e besoj studimin e tij. Është ekspert me reputacion”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

Diaspora dhe tre dimensionet e Brain Gain

Andi Mustafaj Anëtar i Departamentit Brain Gain Zgjedhjet parlamentare të fundit nxorën në pah hendekun …