Mogherini nën hetim/ Skandali “EEAS-gate” trondit institucionet e BE

Skandali i njohur si “EEAS-gate” ka vënë në qendër të vëmendjes disa nga figurat më të njohura të institucioneve europiane, ndërsa Prokuroria e Bashkimit Evropian (EPPO) po vijon hetimet mbi tenderët e Shërbimit Europian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) për Akademinë Diplomatike të BE-së, raporton Euractiv.

Hetimet e EPPO-së po zgjasin, pjesërisht për shkak të kompetencave më të gjera që prokurorët evropianë gëzojnë, të cilat u mundësojnë atyre të shtrijnë hetimet në juridiksione të ndryshme dhe të analizojnë çdo pistë të mundshme. Ndërkohë, EPPO po bashkëpunon ngushtë me autoritetet kombëtare: në Belgjikë, prokurorët e deleguar të BE-së po punojnë së bashku me policinë federale, ndërsa gjyqtarët belgë kanë autorizuar masa ndërhyrëse, përfshirë kontrolle dhe sekuestrime.

Në qendër të hetimit ndodhet Akademia Diplomatike e BE-së. Pas marrjes në pyetje nga policia, Stefano Sannino dhe Federica Mogherini janë shpallur zyrtarisht të dyshuar, ndërsa hetuesit po vijojnë shqyrtimin e dokumenteve të sekuestruara.

Javët e ardhshme pritet të jenë vendimtare për të përcaktuar nëse EPPO do të zgjerojë hetimin. Deri më tani, skandali lidhet vetëm me tenderin e parë të zhvilluar nga EEAS për akademinë, por nuk përjashtohet mundësia që të përfshihen edhe persona të tjerë.

Largimi i Mogherinit nga Kolegji i Evropës ka shtuar thirrjet për reforma dhe për emërimin e një rektori të ri. Ndërkohë, dalja në pension e parakohshme e Sanninos nënkupton se drejtoria e tij për Lindjen e Mesme ka nevojë për një drejtues të ri të përhershëm.

Në rrezik është besueshmëria e vetë Kolegjit të Evropës, ku trajnohen shumë zyrtarë europianë mbi funksionimin e Brukselit, EEAS dhe Komisionit Europian. Skandali përbën gjithashtu një provë të rëndësishme për Prokurorinë e BE-së, e cila duhet të demonstrojë efektivitet në trajtimin e një çështjeje me peshë të lartë politike dhe institucionale.

About Redaksia

Check Also

Arrestimet politike nuk na frikësojnë! Rinia do të ngrihet më 20 shkurt, ashtu si para 35 vitesh, për lirinë dhe kundër hajdutërisë!

DEKLARATË PËR MEDIA, NËNKRYETARI I FRPD, JURGEN SPAHO Nëse Edi Rama mendon se do të …