Boçi akuza ndaj mazhorancës për standard të dyfishtë: Mos bëni lojra…

Seanca parlamentare për zgjedhjen e Avokatit të Popullit është përfshirë nga debate, ku opozita ka akuzuar mazhorancën për shkelje të procedurave dhe zbatim të standardeve të dyfishta.

Gjatë fjalës së tij, ndeputet i PD Luçiano Boçi ka sfiduar interpretimin e mazhorancës për termin “konsensus”, duke theksuar se ai nënkupton një marrëveshje politike ku kandidati për Avokatin e Popullit propozohet nga opozita.

Në fjalën e tij, Boçi i është referuar nenit 72 të rregullores së Kuvendit, i cili u jep të drejtë deputetëve të tërheqin firmat e tyre për çdo çështje për sa kohë ajo nuk ka kaluar për diskutim në seancë plenare.

Deputeti i PD ka sjellë në vëmendje një precedent të ndodhur vetëm pak ditë më parë, me protagoniste ministren e Arsimit, Evis Kushi. Sipas tij, zonja Kushi, në cilësinë e deputetes, ka tërhequr një propozim ligjor për të drejtat e autorit nga diskutimi në Komisionin e Arsimit.

Kërkesa e saj për tërheqje u pranua pa asnjë kundërshtim, edhe pse çështja ishte tashmë e përfshirë në rendin e ditës së komisionit.

“Ju përmendët fjalën konsensus, zoti kryetar. Dhe shumë veta këtu që kanë përvojë politike e dinë shumë mirë ç’është konsensusi. Nuk është unë ta hodha dhe ti ma hodhe. Ti ma solle dhe unë s’ta solla.

Është marrëveshje politike. Dhe në bazë të kësaj marrëveshje, konsensus politik, avokatin e popullit e propozon opozita, e propozon Partia Demokratike. Kështu ka ndodhur dhe kështu është fjala konsensus.

Pse e shtrembëroni? Por, meqënëse ju kapeni pas atij propozimi nga deputetët e Partisë Demokratike. Ju, jua paraqiti saktë zoti Bylykbashi, neni 72, ku të gjithë deputetët kanë të drejtë të tërheqin firmat e tyre derisa nuk ka kaluar në seancë plenare.

E doni precedentin? Po. Para dy ditësh, në mbledhjen e Komisionit të Arsimit, ishte depozituar në rendin e ditës, në dokumentat parlamentare, kërkesa e zonjës Kushi për ndryshime në ligjin mbi të drejtat e autorit.

Me të drejtën e saj si deputete, zonja Kushi e ka tërhequr nga diskutimi në komision, sepse nuk ka ardhur në seancë. Dhe tërheqja është pranuar.

Megjithëse e miratuar në rendin e ditës, është miratuar nga mua si kryetar i komisionit.

Po pse mo? Ne kemi dy palë deputetë? Deputetë që kanë të drejta sipas rregullores dhe janë në krahun këtu, dhe deputetë që nuk kanë të drejta sipas rregullores që janë në krahun këtu? Doni precedent ju?

Ja ky është precedenti. I qartë dhe i lexueshëm. Kështu që mos bëni lojra, mos u paraqitni sikur këtu na e hodhët, paske dalë ju të mençur.

Qartazi ju po shqyrtoni një proces me kandidatë që nuk kanë firma, sepse deputetët e Partisë Demokratike ta kanë depozituar dhe është, jo vetëm e drejta jote, është detyra jote të interpretosh rregulloren. Se sa herë do të dalësh nga situata të vështira thua, jam unë që e interpretoj rregulloren. Interpretoje pra! Janë tërhequr”, u shpreh Boçi.

About Redaksia

Check Also

Skandali që fshihet/ Kandidatit për kreun e SPAK i morën vajzën peng

Gazetarja Anila Hoxha komentoi në emisionin “Top Story” zgjedhjen e Klodian Brahos në krye të …