Fiona Nishani: 11 dhjetori na kujton se demokracia nuk është dhuratë, por detyrë!

I nderuar Prof. Dr. Sali Berisha,

Të nderuar deputetë,

Të dashur miq, demokratë dhe themelues të Partisë Demokratike!

Sot kujtojmë 35-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, një ditë që ndezi dritën e shpresës për një Shqipëri të lirë pas dekadash errësire komuniste. Më 11 dhjetor 1990, zëri i guximshëm i studentëve, intelektualëve dhe punëtorëve të Shqipërisë sfidoi frikën dhe izolimin, duke hapur rrugën drejt demokracisë.

Për mua, ky përvjetor është shumë i rëndësishëm. Jam pjesë e një familjeje ku politika ka qenë gjithmonë frymëzim, debat dhe pasion. Brezi im është rritur në një realitet ku arritjet e Partisë Demokratike kanë lënë gjurmë të drejtpërdrejta në jetën e secilit prej nesh.

Ne jemi brezi që ka fluturuar drejt Europës pa viza, një ëndërr që u bë realitet falë qeverisjes së PD-së. Liberalizimi i vizave ishte çelësi që hapi dyert e mundësive, universiteteve, njohjeve dhe kulturave të reja. Ndoshta ishte dhurata më e bukur që politika shqiptare u ka bërë të rinjve.

Ne jemi brezi që është rritur i sigurt nën ombrellën e NATO-s. Anëtarësimi në NATO nuk ishte thjesht një firmë në një dokument; ishte garancia se e ardhmja jonë do të ishte më e sigurt se e kaluara e hidhur.

Të gjitha këto tregojnë se, kur PD ka qenë në krye të vendit, Shqipëria ka ecur përpara në liri, në drejtësi, në integrim dhe në zhvillim.

Por sot, në 35-vjetorin e saj, Partia Demokratike ka nevojë më shumë se kurrë për ne, të rinjtë. Për energjinë, idetë dhe pastërtinë tonë morale. Ka nevojë për të rinj që nuk dorëzohen, që nuk e pranojnë padrejtësinë si normalitet, që nuk e pranojnë largimin si zgjidhje.

Sot, 11 dhjetori, na kujton se demokracia nuk është dhuratë, por detyrë. Na kujton se shpresa nuk duhet humbur kurrë, sepse ajo lindi pikërisht në momentet më të vështira.

Gëzuar 35-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike!

Rroftë Partia Demokratike!

About Redaksia

Check Also

Rama i trembur nga hetimet dhe arrestimi/ Kërcënon hetuesit që i shkuan në zyrë

Rama i trembur nga arrestimi dhe nga hetuesit e BKH që i kanë shkuar në …