Apeli i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ka dhënë vendimin pasditen e kësaj të enjte (18 dhjetor 2025) për zv/kryeministren Belinda Balluku, e cila kishte ankimuar masat e sigurisë të caktuara ndaj saj nga shkalla e parë.
Apeli ka lënë në fuqi masën e ndalimit për të dalë jashtë vendit për Ballukun, ndërsa sa i takon masës ndaluese që lidhet me pezullimin nga funksionet zyrtare, Apeli ka vendosur ta pezullojë shqyrtimin e kësaj pike deri sa Gjykata Kushtetuese të shprehet në themel për këtë rast.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Miliana Muça, sot më datë 18.12.2025, vendosi:
Miratimin e vendimit nr. 118, datë 19.11.2025 dhe vendimit nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, përsa i përket caktimit dhe vazhdimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, të parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale, në lidhje me ankimin e ankueses Belinda Balluku.
- Pezullimin e shqyrtimit gjyqësor të çështjes nr.86 (61007-00414-87-2025), datë regjistrimi 11.12.2025, përsa i përket shqyrtimit të ankimit të ankueses Belinda Balluku. ndaj vendimeve nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që ajo ka kundërshtuar caktimin dhe vazhdimin e masës së sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, të parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, deri në zgjidhjen me vendim përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese të çështjes së regjistruar për gjykim në atë gjykatë,- thuhet në vendimin e Apelit.
Ndërkohë sa i takon dy vartësve të Ballukut, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, Apeli ka vendosur të mos ndryshojë masat e sigurisë ndaj tyre, pra do vijojnë të mbeten në arrest shtëpie.
SPAK me prova të reja për Ballukun/ Detajet nga seanca me dyer të mbyllura në Apelin e GJKKO-së
Gjatë seancës së sotme, prokurorët se SPAK kanë kërkuar lënien në fuqi të vendimit të shkallës së parë përfshirë edhe pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut me arsyetimin se Kushtetuesja ka pezulluar vetëm efektet jo masën në vetvete.
Po të njëjtat burime konfirmojnë se prokurorët Dritan Prençi dhe Dorina Bejko kanë paraqitur prova të reja, përfshirë ato dërguar Kuvendit që rëndojnë pozitat e numrit dy të qeverisë Rama.
Nga ana tjetër avokatët e Ballukut kanë kërkuar pushimit e gjykimit sa i takon masës së pezullimit me argumentin se për të është shprehur Gjykata Kushtetuese.
Gazeta RD