Detaje të reja kanë dalë nga dosja hetimore ku në qendër ndodhet Ergys Agasi, i shpallur në kërkim si pjesë e një grupi kriminal që dyshohet se rrëmbente biznesmenë dhe, përmes dhunës, i detyronte ata të hiqnin dorë nga tenderat e AKSHIT.
Sipas materialeve të hetimit, Agasi kishte vendosur një kamerë të fshehtë në zyrën e tij të punës, me të cilën filmoi çdo takim që zhvillonte. Pamjet filmike u ruajtën në një hard disk, i cili më pas u sekuestrua nga SPAK, gjatë një hetimi që në atë kohë po zhvillohej për kontrabandë cigaresh.
Në këto pamje, Agasi shfaqet duke zhvilluar biseda dhe pazare me shefen e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, si edhe me biznesmenin Ermal Beqiri. Regjistrimet audio dhe video, sipas burimeve, rezultuan vendimtare për hetimin, duke fundosur vetë Agasin dhe duke hedhur dritë mbi një grup kriminal që dyshohet se zhvaste tendera publikë.
Hetimet zbuluan gjithashtu se aktiviteti i këtij grupi dyshohet se ka shkuar deri në rrëmbimin e biznesmenit Gerond Meçe, duke e rënduar më tej dosjen penale.
Më poshtë gjenden fotot e takimeve të filmuara nga vetë Agasi, të cilat janë pjesë e dosjes hetimore. Ndërkohë, burime pranë hetimit bëjnë me dije se Agasi ka filmuar edhe takime të tjera, përfshirë persona nga politika, policia dhe bota e biznesit, pamje që pritet të analizohen në vijim nga autoritetet.

Gazeta RD