Mediat e huaja jehonë protestës/ Reuters: Sulmohet me molotov Kryeministria, kërkohet dorëheqja e Ramës

Protestues në Tiranë hodhën bomba molotov drejt godinës qeveritare ku ndodhet zyra e kryeministrit Edi Rama të hënën, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë pasi prokurorët akuzuan zëvendëskryeministren për korrupsion të dyshuar.

Tensionet politike në Shqipëri janë përshkallëzuar javët e fundit pas akuzave ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Së bashku me disa zyrtarë dhe kompani private, ajo akuzohet se ka përdorur fonde shtetërore për të favorizuar disa kompani në projekte të mëdha infrastrukturore.

Ajo i quajti akuzat muajin e kaluar në parlament si “baltosje, insinuata, gjysmë të vërteta dhe gënjeshtra”, duke deklaruar se do të bashkëpunojë plotësisht me drejtësinë.

Prokuroria e Posaçme, e ngarkuar me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, i ka kërkuar kësaj jave parlamentit të heqë imunitetin e Ballukut dhe të lejojë arrestimin e saj. Nuk është ende e qartë se kur parlamenti, ku partia në pushtet e Ramës ka shumicën, do ta hedhë në votim këtë kërkesë.

Ndërsa protestuesit hodhën bomba molotov të hënën, policia e pajisur për protesta mbrojti godinën qeveritare, por nuk ndërhyri për t’i shpërndarë ata.

“Kjo është e papranueshme, sepse bëhet fjalë për dhjetëra e qindra milionë euro të vjedhura dhe ajo nuk jep dorëheqjen. Ky është turp,” tha protestuesi Arben Sulo.

Balluku drejton gjithashtu Ministrinë e Infrastrukturës, e cila menaxhon projekte me vlerë qindra milionë euro, si rrugë, ura dhe tunele. / Reuters

About Krye Redaktor

Check Also

Rrefimi i biznesmenit të marrë peng nga koordinatori i Ramës për krimin/ “Do të vrasim ty, nënën, motrën, nëse…

Dëshmia “Ka profesionin inxhinier elektronik dhe aktualisht punon me biznes privat. Mamaja e tij, në …