Rrëmbimi i biznesmenit Gerond Meçe për ditën kur u mor peng nga një bandë e armatosur dhe u mbajt për disa orë në Krrabë tregon një fazë të avancuar të degradimit të sistemit të prokurimeve publike, por edhe i vetë shtetit.
Deri më tani, rekordi ndahej mes Belinda Ballukut me goditjen 50 milion euro në tunelin e Llogarasë dhe mes drejtorëve të Erjon Veliajt, ata që vidhnin 100% të buxhetit me kompanitë e tyre, por në rastin e AKSHI-t, institucioni që kontrollohet nga Ergys Agasi kalohet në një rrëmbim tipik mafioz, ku një bandë e armatosur siguron mbështetjen e shefave të policisë dhe qarkullon lirshëm në Tiranë pasi ka marrë peng biznesmenin të cilin e transportojnë me kapuç në kokë.
Pengmarrja e biznesmenit në datën 12 Gusht 2025 zgjat deri sa të vijë sinjali nga institucionet shtetërore, pasi ai është tërhequr zyrtarisht nga ankesat që kishte për tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Skema është tipike mafioze. Fillimisht vihen nën kontroll drejtuesit e institucionit, siç ka pranuar vetë Mirlinda Karçanaj ajo kishte miqësi me Ergys Agasin. Pastaj procedura administrative imponon kalimin e dhjetëra miliona eurove në duart e kompanive fiktive përmes kritereve, skualifikimeve dhe vendimmarrjeve në institucionet përkatëse.
Kur kjo nuk mjafton dhe një operator ekonomik (në këtë rast biznesmeni Gerond Meçe) këmbëngul në përdorimin e mjeteve ligjore, ankesa në KPP, gjykata administrative, atëherë mekanizmi kalon në fazën tjetër, kërcënimi fizik dhe kriminal për vrasjen e të gjithë familjes.
Rrëfimi i Meçes në dosjen e siguruar nga Lapsi.al përshkruan pikërisht këtë moment, kur banda ndërhyn me lejen e shtetit, si një mjet paralel për garantimin e vendimeve që janë marrë më lart.
Rasti i Gerond Meçes tregon se atë që institucionet shtetërore nuk e zgjidhin dot, e ka në dorë një grup banditësh me kapuça, pistoleta dhe të veshur si agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, duke kujtuar edhe një herë shprehjen se në të gjithë botën shtetet kanë mafia, por në Shqipëri, mafia ka shtet. Më poshtë rrëfimi i Gerond Meçes për pengmarrjen, për shkak të ankesave që kishte bërë për tenderat e AKSHI-t.


Gazeta RD