Me Edvin Priftin apo me Belën dhe Lalin?!

Nga Erion DASHO

Edvin Prifti nuk është një personazh që mund të përkulet lehtë. Nuk mund të bësh vend midis eminencave botërore në një fushë si kardiokirurgjia pa aftësi, talent, karakter të fortë dhe përkushtim total ndaj profesionit.
Personalisht e vlerësoj si mik, ndonëse javët e fundit kemi patur debate në distancë për një fushë ku mendimet dhe qëndrimet nuk na përputhen, siç është pandemia e COVID-it.
Por kjo është një çështje ku nuk “përplasem” veç unë e Prifti, madje Shqipëria mund të quhet thjesht një cep periferik i debatit të nxehtë ndërkombëtar mbi këtë temë.
Ndërkohë sot raportohet se SPAK-u ka dërguar për gjykim Prof. Priftin në GJKKO!!!
Në lidhje me mënyrën se si është trajtuar jo vetëm Edvini, por çdo mjek tjetër nga biçim drejtësia shqiptare, qëndrimi im ka qënë gjithmonë i qartë dhe pa ekuivok.
Në një sistem shëndetësor:
》të shpartalluar gjatë 12 viteve të qeverisjes së rilindjes, ku deri edhe tregues si vdekshmëria foshnjore janë përkeqësuar,
》ku një ministër shëndetësie i akuzuar si hajdut qëndron prej dy vitesh në burg pa dalë në gjyq,
》ku katër koncesione dyshohet se kanë futur duart në xhepin e pacientëve për të zhvatur gati gjysmë miliardë euro,
të bësh objekt të SPAK-ut një mjek të akuzuar për marrje paresh nga pacientët, është kulmi!
Mund të merret me këtë rast Urdhëri i Mjekut, ndoshta mund të merret edhe Gjykata e Tiranës, por SPAK-u??!!
Përse SPAK-u??!!
Struktura që u kushton shqiptarëve dhjetëra milionë euro në vit!!!
Struktura nga e cila shqiptarët presin me padurim të ndëshkojë hajdutët e “vegjël” si Beqja i Boratit, për të kaluar më pas tek hajdutët seriozë si Lali e Bela, dhe për ta përfunduar me “kapon” apo “palloshin” (në varësi se cilit përgjim i referohesh)!!!
Pra kjo strukturë që po zvarrit prej muajsh gjyqet e shumë të akuzuarve duke u justifikuar me mungesën e kapaciteteve njerëzore, paska kohë të merret me Prof. Edvin Priftin??!!
Le të dalim për një moment nga parimi i shenjtë i prezumimit të pafajësisë!
Le ta supozojmë se 500 mijë eurot që janë stërpërmendur në media si të “zbuluara” në kasafortën e Prof. Priftit nuk janë as pare pronash të shitura, as fitime të realizuara në struktura shëndetësore private dhe as premio ndërkombëtare që rrallëkush nga mjekët shqiptarë ka patur fatin edhe t’u qaset dhe jo më t’i fitojë.
Pra le ta supozojmë se Edvini ka arritur të grumbullojë 500 mijë euro “të pista”, pavarësisht se pas tyre qëndrojnë qindra jetë të shpëtuara.
Si qëndrojnë këto 500 mijë euro në raport me 50 milionë eurot e një tenderi të vetëm të Belindës?!
Për ata që kanë vështirësi me matematikën, vetëm 1% e tenderit të Belindës janë 500 mijë eurot e përfolura të Edvin Priftit!!!
***
Shqiptarët sot presin që SPAK të përgatitet për betejën e jetës në Gjykatën Kushtetuese, ku ose Belinda, Lali dhe kapobanda pas tyre do të dalin të kulluar qelibar para shqiptarëve, ose SPAK-u do të vazhdojë rrugën që çeli me mund në këto gjashtë vjet.
Nëse SPAK-u dështon në janar në Kushtetuese kanë dështuar shqiptarët, kanë dështuar edhe miqtë e Shqipërisë që ngritën SPAK-un si strukturë shpresëdhënëse, ndoshta një nga mundësitë e fundit të shqiptarëve për t’ju gëzuar sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës.
Prandaj, zotërinj të SPAK-ut, shkoni merruni me Lalin, me Belën dhe, po të keni këllqe, me kapobandën e tyre, Boratin!
Lëreni Edvin Priftin të bëjë betejën e vet me institucionet të cilëve u takon të merren me këto shkelje të supozuara.
Sepse një mjek i akuzuar se ka marrë pare prej pacientëve nuk ka bërë as krim të organizuar dhe as korrupsion të atyre përmasave që ka si objekt institucioni juaj!
Mos i zhgënjeni shqiptarët, zotërinj!
Ne ende presim prej jush!

About Redaksia

Check Also

Për vrasësit me pagesë të Shtetit Ligjor të së Drejtës…

Nga Adriana KALAJA Gjithmonë kam mbajtur qëndrim korrekt, kur janë shkelur parimet e Shtetit Ligjor …