Kryetari i PD, Sali Berisha përshëndeti qytetarët e Vlorës për protestën e tyre dinjitoze! Ai tha se, Partia Demokratike po angazhohet për betejën finale.
Duke folur nga selia e PD, në konferencën me gazetarët, Berisha tha se përmes kësaj proteste, vlonjatët ua zunë festimet në fyt zyrtarëve makutë, që sipas kryedemokratit, kanë vjedhur fondet e ujësjellësit.
Berisha: Së dyti, dua të përshëndes përzemërsisht qytetarët e Vlorës për protestën e tyre dinjitozë, për fibrën e tyre qytetare, që reaguan në mënyrën më të fuqishme, ua zunë galanë në fyt zyrtarëve makutë, që kanë vjedhur fondet e ujësjellësit dhe ishin mbledhur të festonin me to.
Qytetarë dhe qytetare, ju përjetoni padrejtësitë më të mëdha. Protesta juaj kundër regjimit është shpëtimtare për ju dhe për Shqipërinë.
Uji nuk mungon vetëm në Vlorë, uji mungon në mbarë Shqipërinë.
Arbitrariteti nuk ushtrohet vetëm në Vlorë, ushtrohet në çdo skaj të këtij vendi.
Për të shpëtuar duhet zëri juaj, duhet angazhimi juaj qytetar.
Të përzëmë sa më parë këtë të keqe të madhe që i ka rënë në krye Shqipërisë.
PD angazhohet, opozita angazhohet në betejën finale për largimin e organizatës kriminale nga pushteti, organizatë që kryesohet nga Edi Rama.
Gazeta RD