CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v80), quality = 85

Na kanë vënë narkozën

Nga Agim XHAFKA

U pataksa, u trishtova, por mësova dhe kuptova që jemi të pashpresë. Ja ç’ndodhi. Më në fund stolat te stadiumi “Selman Stërmasi”, që u ishin shkulur dërrasat prej vitesh, u rregulluan. U bënë si të reja, të ulesh me qejf, të çlodhesh e të thuash, o jetë sa e bukur je!

Por ja që sot paradite një çun u sul mbi një stol dhe vrik ia shkuli një dërrasë. Më pas qeshi si histerik. Njësoj u zgërdhinë dhe shokët e tij. Pas dy sekondash mbi stol hipi një djalosh tjetër. E shkuli edhe ai një dërrasë. Stoli po bëhej si ai plaku që në gojë ka veç dy dhëmbë. Një burrë që po kalonte atje u revoltua dhe bërtiti:

-O çuna, a jeni në vete mo, ç’bëni kështu?

Po kaq, jo më shumë. Se gruaja që kish në krah e pickoi dhe i dha “këshillën”:

-Ç’të duhet ty, o burrë? Stolat e tu janë? Mos fut hundët në punëra që s’të takojnë! Oj, ky!

Dhe gati e hoqi zvarrë. Për fat aty po kalonte një polic. Sa pa agresivitetin e djemve, vuri buzën në gaz e me zë melodioz u tha:

-O çuna, po nuk gjetët ndonjë lojë tjetër, mo?! Me dërrasa do e shtyni ditën, -dhe iku.

U largua. Ç’të bëja dhe unë. Ika pas policit. Djemtë i lashë duke u lodhur me dërrasën e fundit. Jemi nën narkozë si popull. Edhe po të na pickojë gjarpri nuk lëvizim vendit. Hiç. Hiç fare…

About Redaksia

Check Also

Që të shmangim përplasjen duhet t’i thërrasim arësyes!

Nga Bislim AHMETAJ #EdiRama me vendimin e tij cinik për të mbrojtur me çdo çmim …