Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, Osmani theksoi se vendimi për zgjedhjen e presidentit i takon Kuvendit të ri të Kosovës, por nënvizoi se, pavarësisht rezultatit të këtij procesi, ajo do të vijojë angazhimin e saj politik. “Synoj të vazhdoj angazhimin politik edhe nëse nuk zgjidhem presidente”, u shpreh ajo.
Presidentja bëri të ditur se do të zhvillojë konsultime me të gjitha partitë shqiptare, duke iu referuar edhe mbështetjes qytetare që, sipas saj, reflektohet në sondazhe. “Do të bisedoj me të gjitha partitë shqiptare. Do të duhet që të ulemi të diskutojmë dhe të shihet nëse do të dëshirojnë që të dëgjohet vullneti i qytetarit i cili është i qartë. Në shumicën dërrmuese të matjeve shihet që diku 81% të qytetarëve dëshirojnë një mandat të dytë për mua. Do të shohim nëse deputetët dëshirojnë një materializim të këtij vullneti. Nëse deputetët nuk dëshirojnë dhe nuk kanë vullnet, unë do ta vazhdoj angazhimin tim politik”, ka deklaruar Osmani.
Ajo përsëriti se procesi i zgjedhjes së presidentit do të varet nga përbërja dhe vendimmarrja e parlamentit të ri, duke theksuar se angazhimi i saj në jetën politike të vendit do të vazhdojë pavarësisht zhvillimeve institucionale.
Gazeta RD