Nga Ndriçim KULLA
Ky fundviti po na bëhet shumë i nxehtë, për rrjedhën e vrullshme të skandaleve të paimagjinueshme që po dalin në dritë për qeverisjen Rama, jo vetëm të tanishme, por edhe të viteve më parë. Ndaj, bilanci i këtij dhjetori, që po na zbulon korrupsionin shtetëror në sistem dhe raportin sistemik të tij me krimin e organizuar, me të drejtën e fakteve, po kthehet në bilancin e një dekade mandat të kësaj mazhorance. Nuhatja dhe logjika e shëndoshë e analizës së performancës së saj na coi në kuptimin e thelbit që gjeneronte këtë lloj qeverisje, për ta etiketuar atë si narko- shtet. Ky dhjetor dhe vazhdimi i zbulimit të lidhjeve të krimit me shtetin dhe korrupsionin, e ka certifikuar tashmë këtë term. Vetëm se ajo që ka ndryshuar radikalisht është mënyra e sjelljes së vetë kryeministrit. Si një letër- bilanci për fundvitin, mund të shohim fare qartë tre shfazime domethënëse të saj, krahasuar me mënyrën e tij të sjelljes në gjithë karrierën politike. E ky shfazim nga ana e tërësisë së një individi, me vetëdijen dhe nënvetëdijen e tij, sjelljen politike e publike me sjelljen private dhe personale, është një rast i jashtëzakonshëm psikik që zbulon shumë.
Së pari, në gjithë historinë e tij politike, Edi Rama i ka tradhtuar dhe shitur të gjithë bashkëpunëtorët e vet, duke i mbrojtur ku më shumë e ku më pak, në mënyrë hipokrite, por me rezultat të njëjtë. Kujtojmë këtu Tahirin, Veliajn, Ahmetajn, e deri tek më të vegjlit, Beqaj , Koka e kështu me radhë. Është hera e parë që ai po mundohet të mbrojë e të mos shesë njeri, e kjo po ndodh me Ballukun. Çfarë ka vallë kaq manjetike ky personazh që e ka bërë Ramën të shfaqe për herë të parë një thyerje karakteriale të sjelljes se tij politike? Është një thyerje radikale në gjithë karrierën e tij, që përveç njehsimit me vetë karakterin e individit, zbulon që ai po humbet raportin me realitetin, me të ardhmen, përderisa një gjë e tillë fare mirë mund ta shkatërrojë e mund ta lërë pa të ardhme.
Shfazimi i dytë është i përmasave më të mëdha e të drejtpërdrejta. Qendra e gravitetit ku ka lëvizur gjithmonë gjatë kësaj dekade i gjithë diskursi i tij publik, ka qenë dobësia dhe tallja ndaj opozitës, me përfundimin se ne garën e kemi me veten, pasi kontratën e kemi me votuesit, me popullin. E gjithë magjia e kësaj strategjie që ka arritur të funksionojë në vite, u prish dhe u shkatërrua këtë fund- viti, kur kokëfortësia dhe arroganca e tij karakteriale, pushtoi diskursin publik dhe politik, në absurdin logjik të mos- pezullimit nga detyra jo vetëm të Ballukut, por edhe të Karçanajt, e gjithë shpurës së drejtorëve nën hetim apo arrest shtëpie.
Nëse garën dhe llogari- dhënien e ke me popullin, jo me opozitën ose SPAK, atëherë nuk paska vallë të drejtë populli moralisht dhe administrativisht, të shoh njerëzit që drejtësia po i heton apo i ka shpallur në arrest, të zëvendësohen ne të rinj? Vallë ky popull i vuajtur dhe i varfëruar prej korrupsionit, nuk ka bij të ndershëm në radhët e socialistëve, që të marrë drejtimin e punëve dhe drejtorive të tyre? Kjo thyerje e pandodhur kurrë e rrjedhës së përhershme të këtij diskursi me popullin është ndërprerë papritur, me pretekstin e një lufte të hapur me drejtësinë dhe lojës së ndarjeve të pushteteve. Duket se lumi i nënvetëdijes, asaj që Jung e konsideron si mbizotëruese në shfaqjen e vërtetë të ” persona”, pra të individit njerëzor pa ” maskën” me të cilën ai shfaqet në shoqëri, ka dalë prej shtratit të vet dhe ka përmbysur gjithë sjelljen e tij politike, që deri tani ka qenë tërësisht e kamufluar.
Është ky shkaku themelor i shfazimit të tij të tretë, që në fakt ka qenë tabani psikik i gjithë personit të tij, por që ka arritur të fshihet e trysnohet fort gjatë gjithë këtyre viteve: përbuzja, përçmimi deri në urrejtje i drejtësisë dhe normave të saj. Kjo e ka shpënë në thyerjen radikale të qëndrimit ndaj SPAK, duke i shpallur luftë të hapur për mos- ndërhyrje në pushtetin e tij, në krahasim me klishenë hipokrite që përdorte deri tani: drejtësia ka punën e vet, ne kemi punën tonë. Me këtë kapak ka dashur ti mbyllë të gjitha gropat e shumta e të thella të korrupsionit të njerëzve të regjimit të tij. Mirëpo diçka duket se ka ndryshuar që ai po i turret drejtësisë me kaq arrogancë. Dhe ky përbën kulmin e të gjithë shfazimit të tij që ky fund vit po na e shfaq në mënyrë kaq të qartë. Jeta paralele e dy karaktereve të tij, ai i vërteti që po zbulohet tani dhe ajo që si “maskë” ai na shfaqte dikur, në politikë dhe në publik, është ngatërruar dhe mpleksur keq, pa kthim.
Jeta e fshehur e kontratave të vazhdueshme me botën e krimit, të vulosura me darka në dhomën e luleve, me verëra mijëra euro, tani është në dritën e diellit. Akshi me milionat e veta, si një ” bankë” personale e familjes Rama, tanimë është zbuluar, dhe kjo jetë e re me gjithë këto skandale mbi qafë, ia ka kapërthyer gjendjet dhe lumenjtë e tij psiqikë. Nuk vepron më me vetëdije, si i fortë dhe i pushtetshëm, por vepron vetëm me nënvetëdije, si arrogant, inatçor dhe hakmarrës, pa marrë parasysh asgjë, sepse për të s’ka më të ardhme, por vetëm të tashme dhe shpëtim prej saj.
Është kjo arsyeja që ai i kërkon jetës mëshirë për gjumin e vet, pasi nënvetëdija se lë më të qetë, i ka shkallmuar çdo digë mbrojtëse, për ti shfaqur në sjellje “persona” e tij të vërtetë, një gjë që atë e tmerron dhe e frikëson, pasi e di që në politikë ky është fundi. Vetëm se tashmë nuk mundet më të kontrollojë e ndalojë më dot asgjë. Libidoja e tij hakmarrëse deri në shkatërrim ka marrë revansh dhe po i derdhet fuqishëm në detin e sjelljes. Ndaj nuk përfill më as diskursin qe e formësoi në dekada, as traditën e pabesisë që e karakterizoi përherë e as shkatërrimin e fitores politike që e ka trumbetuar gjithmonë si majën e diamantit të mazhorancës: drejtësinë e re.
Sipas psikologëve me të mëdhenj, momenti kur nënvetëdija merr pushtetin tek një individ, ai bëhet vetvetja më e thellë dhe më e fshehur, duke ndryshuar radikalisht sjellje dhe veprime. Pra, nëse njihnim një Ramë të keq e autoritar këto vite, si kreun e narko- shtetit, akoma dhe më keq presim prej tij në vitin që vjen: makiavelizmi dhe bizantinizmi në kurthe, taktika, pabesi e truke, do të ngrihen në sistem për ti shpëtuar rrezikut, sepse kjo është adn e thelbit të tij karakterial.
Këtë kartolinë doja ti dërgoja popullit shqiptar per vitin që po vjen, në mënyrë që të përgatitet e të jetë gati për gjithçka e për çdo gjë, pasi kryeministri ynë tashmë e ka hequr maskën, tashmë ai ka vendosur të na zhvillojë “persona” e tij, që është një shumëfishim i të gjitha të këqijave që i brendëson karakteri. Është faza më e rrezikshme në jetën e një njeriu, që në një post kaq primar politik, bëhet disa herë më i rrezikshëm. Në këtë ditë krishtlindjesh, duke marrë shkas nga shpresa dhe besimi i ripërtërirë gjithmonë e më fort, mund të themi vetëm një gjë: Zoti e ruajt Shqipërinë dhe Shqiptarët nga veprimet e këtij njeriu!
Gazeta RD