RPD Vlorë, nga pika zero drejt një misioni që vazhdon

Nga Çajup SHEHAJ
Kryetar i FRPD Dega Vlorë

Një shënim për anëtarësinë e FRPD Vlorë, demokratë dashamirës, mbështetës, vëzhgues dhe pushtetin që po perëndon!

Ritual i zakonshëm apo reflektim i ndjerë, fundviti, me gjasë, i imponohet filmit të ndërgjegjes së gjithsecilit në retrospektivë, asaj politike përfshirë.

Ndaj dua të marr vëmendjen e cilitdo që ka ndjekur aktivitetin e Forumit Rinor të Partisë Demokratike të Vlorës gjatë vitit që sot po lëmë pas, anëtarë kontributorë të çmuar në copëzat e historisë që modestisht po shkruajmë mes nesh, demokratë që kanë mbështetur nismat tona, vëzhgues të kuriozuar nga përpjekjet e një grushti të rinjsh në një qytet, ku si gjithë të tjerët e Shqipërisë, dritat e monopolizuara të kryeqytetit ua disafishojnë vështirësinë për t‘u vënë re, për t‘u dëgjuar, për t‘u duartrokitur, pavarësisht përpjekjeve edhe përtej limiteve opozitare.

Megjithëse ky nuk ishte kurrë qëllimi ynë në vetvete, fatmirësisht, ne ia dolëm të gëzojmë shumëçka që të rinjtë e moshës sonë mund të gëzojnë në politikë: ne përjetuam sfidën, betejën, garën, bashkëpunimin, mbështetjen, përgëzimet dhe ç‘është më e rëndësishmja u ndjemë bashkëpunëtorë të denjë të demokratëve në këtë vit zgjedhor, aq sa besojmë se ne jemi krah demokratëve vlonjatë në misionin që vazhdon!

Bashkë, e nisëm rrugëtimin në shkurt të vitit 2025, jo si grupim i përbashkët, por si të rinj demokratë të cilëve iu desh të takonin një nga një njëri-tjetrin për të nxitur reciprokisht ringritjen e FRPD Vlorë nga pika zero, nga themelet. Hapi i parë që ndërmorëm pas dhjetëra takimeve veç e veç me secilin prej jush si anëtarë, ishte organizimi strukturor i Forumit, për të pasuar me mbledhjet e para ku shkëmbyem idetë për aktivitetet që do t‘i shpërfaqnin ato, vijën bashkëpunuese me Partinë Demokratike të Degës, si dhe gatishmërinë për të marrë rrugën drejt Tiranës sa herë thirrjet e PD kërkonin përfshirjen kombëtare të strukturave. Siç vendosëm, ashtu bëmë. Zbatimi i përpiktë i objektivave të vendosur ishte suksesi ynë i parë, kusht për gjithë të tjerët që pasuan.

Aktiviteti ynë kërkoi përherë t’i qëndronte besnik politikës tradicionale, asaj të vërtetë, asaj produktive, politikës së terrenit. Përtej kësaj, qëllimi ynë ishte kërkimi dhe gjetja e formave për ta sjellë politikën pranë vlonjatëve duke sfiduar apatinë klasike të autokracive elektorale. Ne kombinuam politikëbërjen dhe opozitarizmin me disa dimensione si bamirësia, trajnimet dhe aktivitete politike dhe jopolitike brenda strukturës, simbolikën e festave të 7-8 Marsit me qëllim edukativ dhe social, praninë në rrjetet sociale përmes spoteve, simbolet elektorale në fushatë, përçimin e mesazheve politike dhe programit elektoral të Partisë Demokratike dorë më dorë tek qytetarët vlonjatë, mbrojtjen e votës në komisione dhe numërim, denoncimin nga terreni, protestën-aty ku jo vetëm sollëm mesazhe të guximshme kundër pushtetit nga Vlora drejt Tiranës, por ishim edhe në organizimin në vijë të parë të protestës së fundvitit për mungesën e ujit në Vlorë.

Nuk harruam as grimca të pranisë mediatike përmes shkrimeve me mesazh të fortë opozitar, apo debateve me kundërshtarin. Motoja jonë në çdo aktivitet ishte dhe mbetet një dhe e vetme: ‘Aty ku janë njerëzit’. Kjo është politika, ajo e vërteta, ajo e ndjera, ajo e sinqerta, ajo që i rri pranë njerëzve, politika e terrenit dhe jo e fasadës. Ne besojmë se aty ku janë njerëzit, e kanë vendin të rinjtë demokratë, sot në opozitë, nesër në drejtimin e vendit.

Të sapoorganizuar si strukturë, çelëm kalendarin e aktiviteteve me një takim prezantues në shtabin e deputetit  Bujar Leskaj, prej ku komunikuam objektivat afatgjatë, për të vazhduar me një radhë takimesh brenda të rinjve me anëtarë në të gjitha rajonet e Vlorës, si një mekanizëm mobilizimi të të rinjve demokratë në çdo cep të qytetit.

Në ditën e mësuesit, vizituam në shtëpitë e tyre personalitete veterane të arsimit në Vlorë, duke dashur të përçojmë jo vetëm mirënjohjen për kontributin e tyre fisnik në edukimin e brezave vlonjatë, por edhe nevojën që ka politika për të patur në themel të saj dijen dhe zhvillimin intelektual. Më 8 Mars, një dhuratë simbolike për gratë dhe vajzat vlonjate, kalimtare rastësore në rrugët e qytetit, ishte mesazhi dhe mënyra jonë për t‘iu afruar hyjnisë së gruas.

Në prag të fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 Majit, kërkesës sonë për një trajnim për rolin dhe angazhimin e të rinjve në fushata elektorale, iu përgjigj me zemërgjerësi dhe interes analisti, ekonomisti dhe këshilltari Neritan Sejamini.

Mbetet trajnimi më cilësor që stimuloi idetë për aktivitetet që pasuan gjatë fushatës elektorale. FRPD Vlorë mori pjesë në prezantimin e secilit prej kandidatëve të Partisë Demokratike dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore duke premtuar ndihmën tonë në fushatën elektorale të gjithësecilit, aty ku ndamë dhe organizuam në grupe për të kontribuar maksimalisht dhe pa dallim tek gjithësecili.

‘Politika e Zemrës’ mbetet një nga simbolikat më të fuqishme tonat, sepse aty, bamirësia gjunjëzoi politikën. Pa logo, dhuruam në disa prej familjeve vlonjate me vështirësi të jashtëzakonshme ekonomike.

Projekti ‘Edhe Sa’ mbetet aktivizimi më i drejtpërdrejtë në terren gjatë fushatës elektorale. Në fletëpalosje ne paraqitëm shkurtimisht kontrastin mes qeverisjes 12 vjeçare dhe programit elektoral të PD-ASHM, fletëpalosje që ranë në duart e rreth 5 mijë qytetarëve vlonjatë. Paralelisht, u angazhuam në takimet me elektoratin në terren të drejtuesit politik të qarkut Vlorë, Bujar Leskaj dhe secilit prej kandidatëve të PD-ASHM. Po ashtu, FRPD Vlorë ishte e pranishme në takimet masive të tyre me votues të djathtë. Dëshira dhe përpjekja ishte maksimale, ndaj sot vetëm urojmë të jetë ndjerë edhe prej kandidatëve si e tillë. Në mes të fushatës elektorale, protesta për tharjen e lumit Shushicë në fshatin Kuç thërriti anëtarë të FRPD Vlorë në mbështetje të banorëve atje. Ne ia dolëm të realizonim fushatë autentike të FRPD Vlorë për përçimin e mesazheve elektorale edhe jashtë qytetit, si në Novoselë dhe Orikum.

Më pas, me një pjesëmarrje masive, struktura jonë iu përgjigj takimit me gjithë kandidatët e PD-ASHM nga drejtuesi politik Bujar Leskaj. Aktivitete sportive dhe mbrëmje sociale të Forumit organizuar nga kandidatë të rinj si Mario Runa, nuk munguan. Mesazhi i progresit intelektual si parakusht për suksesin politik në dobi të vendit ka qenë vazhdimisht një thirrje të cilën ne e kemi mirëpritur. I tillë ishte një takim ku na u dhuruan libra gjatë fushatës.

Hapja dhe mbyllja e fushatës elektorale të Partisë Demokratike në Vlorë, preku të gjitha skajet mediatike në vend, aty ku lideri historik i PD z. Sali Berisha, u prit nga forumi rinor me të gjitha simbolikat e fuqishme elektorale prej banderolave masive, ovacioneve, dronit valëvitës të flamujve demokratë dhe amerikanë, dhe një fjalimi përfaqësues të FRPD Vlorë.

Dy spote të fuqishme thyen rekorde shikueshmërie në rrjetet sociale, – prezantimi i projektit ‘Edhe Sa’ si dhe mesazhi thirrës më datë 9 dhe 10 Maj për nxitjen e votuesve shqiptarë drejt PD-ASHM, – të dy, spote që gjetën amplifikim falë përkrahjes së drejtpërdrejtë të z. Berisha në rrjet.

Ditët pa orar dhe netët pa gjumë u bënë zakon për secilin prej nesh gjatë zhvillimit të zgjedhjeve, si në komisione ashtu edhe në numërim, në qendrat në Vlorë dhe Tiranë, ne ishim rojtarët e zellshëm të votës së demokratëve.

Vera, edhe pse në etalonin e bukurisë së saj, në Vlorë, nuk ishte për FRPD Vlorë e tillë. Pas zgjedhjeve ne zhvilluam mbledhje për të ndarë kritika, mendime, analizë dhe propozime për zhvillimin e zgjedhjeve dhe aktivitetet që duhej të pasonin. Në muajin gusht, tre prej nesh dolën në terren për të realizuar një video denoncuese të problematikave të Vlorës gjatë verës, video e cila po ashtu arriti në dijësinë e qindra-mijëra shqiptarëve në rrjet.

FRPD Vlorë u angazhua në përkrahje të kandidatit të pavarur edhe në zgjedhjet lokale në 9 Nëntorit, të pakursyer ne praninë në komisione dhe numërim po ashtu.

Në vijimësi pjesëmarrës në aktivitetet e Partisë Demokratike të Degës Vlorë, e përmbyllëm vitin 2025 me një sukses politik me domethënie të fuqishme për kohën e vështirë të arrogancës dhe pangopësisë politike që po jetojmë. Pasi mirëpritëm të deleguarën e FRPD për Vlorën, në bashkëpunim me Degën, hymë në strehën e administratës së qytetit, e cila festonte në teatrin ‘Petro Marko’ si absurd i një parie që ka shkelur mbi kufomat politike të votuesve të saj. Për të parën herë, një grusht të rinjsh, – dhe ata ishim ne – ia dolëm të zgjojmë qytetarët vlonjatën për të ushtruar forcën mbi parinë e absurdit, derisa vetë qeveria i dha fund mungesës absolute të ujit prej ditësh në qytetin e Vlorës. Një fitore e vogël në një makth gjigand si në kohë edhe në forcë.

Më shumë mund të kishim bërë, ndonëse edhe kaq është mjaftueshëm për t‘i bindur zërat grricës të propagandës mbi atë çfarë gjejnë të rinjtë tek Partia Demokratike. Anëtarë të FRPD Vlorë, nuk i janë gjegjur vetëm thirrjes trashëgimnore të prindërve të tyre themelues e bashkëthemelues të PD Vlorë, militantë e votues demokratë, por kanë gjetur aty derën e hapur për bashkëpunim, mirëpritjen dhe nevojën për poliitkën rinore në këtë përleshje të Vlorës dhe Shqipërisë me aksidentin politik të më shumë se një dekade. Dëshira jonë, pasioni dhe ideali, idetë dhe përkushtimi nuk do të mjaftonin për ta realizuar këtë kalendar suksesi pa mbështetjen e pakushtëzuar të Partisë Demokratike të Degës Vlorë, kryesisë dhe anëtarësisë së saj. Në veçanti, mirënjohës i jemi jo vetëm një mentori politik, por edhe përkrahësit absolut të çdo aktiviteti dhe nisme tonën, ish-drejtuesit politik të qarkut Vlorë, deputetit Bujar Leskaj, ai që hap pas hapi amplifikoi me dashamirësi çdo kontribut politik të FRPD Vlorë.

Dhe kështu, ky fundvit i mbyll ndjesitë me një dualizëm mes krenarisë për gjithë mundëm të realizojmë këtë vit brenda gjirit politik të Partisë Demokratike, dhe peshës që do të vazhdojë të rëndojë derisa kjo erë e akullt dimri që gërryen Vlorën dhe Shqipërinë të shfarroset nga e tashmja jonë dhe e ardhmja e brezave që do të vijnë.

Ne jemi më shumë se të rinj që ecin në rrugën demokrate të formimit politik. Ne jemi miq të një qyteti që ka ditur të rrisë njerëz me virtyte të larta njerëzore dhe talente unike në politikë, kontributorë të parë në historinë vendi. Ne urojmë të kemi vullnetin dhe fatin të jemi të tillë. Deri atëherë, misioni vazhdon!

FRPD Vlorë, nga pika zero drejt një misioni që vazhdon

About Redaksia

Check Also

Rama konfirmon Grushtin e Shetit/ “Do ndryshoj ligjin për të mos lejuar hetimin e ministrave”

Rama nuk do të lejojë arrestimin e Ballukut duke sfiduar hapur drejtësinë dhe duke i …