Nga Alba KEPI
Begaj: Garant i Formalitetit dhe i shmangies gati shpërfillëse
Mattarella: Garant i Kushtetutës, Italisë dhe i historisë italiane
Ndryshe nga presidentët që përdorin historinë dhe të kaluarën për të udhëhequr me një vizion për të ardhmen, Begaj ngeli i bllokuar tek presioni i politikës që qeveris vendin.
Në një moment kur fjalët janë më të nevojshme se kurrë, kur një popull ka nevojë për drejtim që të ndajnë vështrime të qarta dhe vizione për të ardhmen, dy presidentë; italiani Mattarella dhe shqiptari Begaj na ofrojnë një lexim të mprehtë sesi mund të përdoret pushteti.
Mattarella, Presidenti i Italisë, mori përgjegjësinë si garanti i Kushtetutës dhe i historisë së Republikës.
Fjalimi i tij i fundvitit qe një akt i thellë reflektimi, një mundësi për të vlerësuar arritjet dhe për të ndarë një vizion të qartë për sfidat që vijnë. Për të kushtetuta italiane është themeli mbi të cilin qëndron shteti i së drejtës dhe demokracisë, dhe fjalimi i fundvitit ishte një mundësi për të riafirmuar këtë themel.
Mattarella është një president që flet për vlerat, (jo vetëm në fund vit), për përpjekjet e gjata historike të popullit italian, për ndihmën që kanë ofruar heronjtë e luftës antimafia dhe, gjithashtu, për të drejtën e votës, pêr gratê, pêr të rinjtë, pêr familjen, për të ardhmen që duhet ndërtuar me bashkimin e qytetarëve dhe respektimin e parimeve të shtetit ligjor, për demokracinë, për Europën.
Fjalët e Mattarellës qenë të qarta dhe të thella, e lajm në cdo edicion lajmesh, dje e sot.
Foli me përgjegjësi dhe vizion për atë që është bërë, për atë që ka qenë dhe për atë që duhet të bëhet.
Fjalimi i tij nuk qe një akt formaliteti, qe një thirrje për unitet dhe reflektim, për të mbajtur gjallë vlerat e republikës, historinë dhe për të garantuar se Italia mbetet një shtet demokratik, i bazuar në të drejtat e njeriut dhe ligjin.
Në anën tjetër, Presidenti Begaj i Shqipërisë, megjithëse duhet të jetë po ashtu një garant i Kushtetutës dhe i institucioneve të vendit, transformoi fjalimin e tij në një formalitet gati evitues.
Fjalimi i tij sa 1/10 e minutazhit të Presidentit italian qe një shembull i shmangies nga përgjegjësia dhe i të folurit pa thelb, ku mungoi vizioni i qartë për sfidat e vendit.
Begaj pati mundësinë të flasë për reformat që Shqipëria ka urgjencë, për situatën dramatike të emigrimit, për ekonominë informale, cmimet skandaloze të tregut, vlera të harruara apo të deformuara të shoqërisë shqiptare, familjes, të rinjve, e preferoi t’i shmangë këto tema.
Mungoi historia e shqiptarëve në fjalimin e tij, munguan shqiptarët me historinë e tyre, mungoi komunikimi i drejtpërdrejtë me qytetarët, mungoi e vërteta që shqiptarët po përjetojnë çdo ditë.
Në një moment kaq të ndërlikuar për Shqipërinë ku korrupsioni ka shkatërruar besimin në institucione dhe ku kriminaliteti ka kapur çdo pjesë të shoqërisë fjalët e Presidentit Begaj qenë të zbrazëta e formalitet bosh.
E mos thoni se fjalët janë të kota.
As se e kotë të merresh.
Flas sepse besoj tek Kushtetuta shqiptare, sepse është e qartë se fjalët kanë përmbajtje vetëm kur ato shoqërohen me veprime të qarta dhe konkrete.
Besoj tek historia që duhet mos harruar e se sivjet, më 2026, shënon 80 vite nga kur Kushtetuta shpalli Shqipêrinë Republikê, e besoj tek historia që duhet kujtuar fort, për të mos gabuar sic ndodhi me ndryshimin e kushtetutês më 1976 e kur vendi u shpall monopartiak me dramën e tragjedinë shqiptare të mohimit të cdo të drejte e lirie. E këto fakte historike në premisat e një viti të ri qenë fjalê tê munguara o shmangie politikisht e injoruar e numrit 1 të shtetit shqiptar.
Asnjë President i botës nuk do i kish harruar.
Një president që nuk është i gatshëm të flasë as për mungesën e drejtësisë për qytetarët, për kriminalitetin e lartë, për dështimet e institucioneve, për shëndetin e demokracisë, dhe për krizat që përfshijnë kombin, si mund t’i shërbejë popullit?
Në vend të një analizë të situatës politike dhe ekonomike, Begaj u ngul në një retorikë të përgjithshme, e cila mund të kishte qenë e njëjtë në çdo vit tjetër prej 91 deri sot.
Munguan thelbi dhe kthjelltësia analitike, aspekte që do ta kishin ngritur fjalimin e tij nga një formalitet në një mundësi përgjegjësie civile e politike.
Emigrimi masiv, korrupsioni institucional, kriminaliteti në nivele mafioze, dhe shkatërrimi i identitetit kombëtar janë probleme që kanë përfshirë gjithë shoqërinë shqiptare, por shpërfilli përballjen me to. Fjalimi i tij dështoi të shprehte një ndjesi urgjence dhe përgjegjësie, duke u zhveshur para shqiptarëve si i ndarë nga realiteti në të cilin ndodhen qytetarët.
Ndryshe nga presidentët që përdorin historinë dhe të kaluarën për të udhëhequr me një vizion për të ardhmen, Begaj ngeli i bllokuar tek presioni i politikës që qeveris vendin.
Qe kaq e lexueshme!
Gazeta RD