Kryetari i PD, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat, u shpreh se ndaj tij është ngritur një akuzë totalisht pa baza.
Ai theksoi se ka respektuar me rigorozitet të gjitha procedurat ligjore dhe se nuk i ka shkuar asnjëherë ndërmend të mos i zbatojë ato apo të organizojë protesta.
Berisha deklaroi se masa e parë e sigurisë ndaj tij ka qenë antikushtetuese dhe se do të rrëzohet në Gjykatën e Strasburgut. Sipas tij, Gjykata Kushtetuese ka vepruar në shkelje të Kushtetutës dhe sillet si një organizatë e Partisë Socialiste.
Berisha: Kjo është të krahasosh të pakrahasueshmen.
Pra, ndaj meje është ngritur një akuzë pa baza, totalisht pa baza. Por unë kam respektuar me rigorozitet të gjithë procedurën.
Dhe e kam theksuar, as që më ka shkuar ndërmend që të mos respektoj procedurën, as më ka shkuar ndërmend të organizoj protesta, që opozita organizon protesta, ta dini këtë.
Edhe në SHBA janë organizuar protesta para gjykatave. Unë nuk e bëj atë…
Masa e parë e sigurisë ishte antikushtetuese dhe unë të garantoj që ajo në Strasburg do rrëzohet.
E miratoi Gjykata Kushtetuese duke shkelmuar Kushtetutën.
Ajo gjykatë që sillet si organizatë e PS-së.
Shikoni, kanë dhënë një vendim ata për kryetarin e PD me datën 17 dhe asnjë njeri në Shqipëri nuk e di cili është vendimi.
Kanë njoftuar seancë plenare dhe nuk kanë bërë asnjë sqarim apo njoftim për publikun.
Po të lexosh rregulloren e tyre është një rregullore jo e një institucioni serioz.
Një rregullore në të cilën thuhte se relacionet dhe vendimet e ndërmjetme nuk u jepen palëve.
Si shpellë mafie.
Si nuk u jepen palëve? Nuk kisha dëgjuar kurrë.
Sekretohen pra, shikoni çfarë mentaliteti ka. Sigurisht ndaj këtyre do luftohet, por jo të mos respektohet ama.
Por për të bërë përmbledhjen, ky është Sali Berisha këtu, ka qenë kryeministër 8 vite, ka pasur përballë një prokurore që e kishte shpallur armike të egër, e dini vetë ju dhe nuk i heq asnjë fjalë asaj unë, por kurrë nuk më ka shkuar ndërmend që unë t’i kthej asaj kërkesën për heqje imuniteti të një ministri.
Absolutisht asnjëherë. Përkundrazi, çdo kërkesë nuk ka pasur nevojë të vendosë parlamenti, e kanë dhënë ministrat më përpara.
E ka dhënë Lulzim Basha dy herë, e ka dhënë Fatmir Mediu dhe ka dhënë edhe dorëheqjen. E ka dhënë Ilir Meta pa e kërkuar akoma prokuroria.
Ky është standardi.
Ata që përpiqen të bëjnë shqiptarët budallenj, gabohen. Por shqiptarët e kishin këtë standard dhe ishte një arritje e madhe.
Ishte një arritje e madhe, kurse sot Edi Rama, dhe nuk është hera e parë, këtë gjë bënë me Saimir Tahirin ata, erdhi mandati ndërkombëtar i arrestit nga Antimafia Italiane, e hodhi poshtë, nuk e pranoi.
Vjen mandati nga Spaku për arrestin e Lubi Ballukut, e bllokon, nuk e pranon. Nuk kanë asnjë lloj krahasimi.
Ato që unë i kam deklaruar, i kam me përgjegjësi të plotë dhe nuk i kam për interesa të Sali Berishës. Të jeni të sigurt për këtë.
I kam për interesin publik.
Jam kryetari i një partie opozitare, jam deputet dhe jam i angazhuar çdo minutë, çdo orë të mbroj interesin publik.
Po në qoftë se Altin Troplini mban në xhep mandat-arrestin e Elvis Doçit gjersa mbarojnë zgjedhjet, si të duket ty kjo, si mund t’i themi kësa?
Dhe ikën Elvis Doçi, ai aty është, por nuk shkojnë për ta kapur se ka bashkëpunëtorët.
Unë këto do i denoncoj.
Ose në qoftë se unë kam këtu dokumente që faktojnë inkriminimin kokë e këmbë të Taulant Ballës, por e amniston Altin Troplini, unë Altin Troplinin e bëj bashkautor me Taulant Ballën.
Se këto janë evidente, të jap votat, më arresto kundërshtarët. Ky është shteti.
Shiko, nuk mërzitem unë, kam durim.
Para disa vitesh unë i kam informuar shqiptarët për narko-shtetin dhe shumë kthenin kokën. Në Shqipëri nuk kishte asnjë shkrim për narko-shtetin nga mediat shqiptare, por kishte nga mediat ndërkombëtare.
Miqtë e Edi Ramës në Europë dhe në vendet e tjera përpiqeshin ta servirnin si model Ramaduron. Unë nuk mërzitesha, unë e dija që ata zemëroheshin me mua kur më dëgjonin.
Unë e dija se ata mërmërinin kundër meje kur më dëgjonin. Por prapëseprapë përgjegjësitë e mia ndaj shqiptarëve, detyrimet e mia si person publik ndaj këtij vendi, më bënin mua që të mos tërhiqesha nga të vërtetat.
Por tani që kanë dalë hapur, kanë shpërthyer fushës, tani bëjnë tjetër, por tani është vonë veçse. Është shumë vonë.
Se tani 1 milion shqiptarë kanë ikur nga Shqipëria sepse tani ekonomia shqiptare është shndërruar në ekonomi droge, ku sektori privat për shkak të drogës dhe narko-euros jep vetëm 49 përqind të rritjes.
Dhe tani shqiptarët nga më të mirëpaguarit që ishin në vitin 2013, janë më të keqpaguarit. Por prapë kombet e vjetra kanë një veti, rigjenerohen.
E kanë këtë, se përndryshe ikin, i merr historia. Por ne nuk na merr dhe ne do rigjenerohemi.
Edhe këtë që bëj me këta, në qoftë se unë flas për ta, unë flas sepse di dosjet e krimit që fshehin ata.
Po, di prokurorët e inkriminuar që nuk vendosin para ligjit për bashkëpunim me krimin, dhe që i di Dumani, i ka në dosje.
Ndaj e bëj këtë unë. Po nëse nuk do e bëja, nuk jam ai që duhet të jem.
Nuk mbroj interesin publik. Ndaj dhe e bëj këtë unë.
E bëj në kushte shumë të vështira.
Ti e sheh propagandën, janë 40 banalistë që paguhen nga mëngjesi gjer në darkë vetëm për editoriale dhe shpifje kundër Sali Berishës dhe opozitës. Me emër, me listë emërore që paguan qeveria.
80 le të bëhen, 200 le të bëhen, unë do vazhdoj, do mbroj të vërtetat që i interesojnë publikut.
Gazeta RD