Nga Alba KEPI
Asnjë moment historik nuk ekziston pa vendodhjen e tij. Historia nuk lind rastësisht; ajo ngjizet në hapësira konkrete, në rrugë, shtëpi, oborre dhe komunitete që mbajnë peshën e saj morale. Rrugica e Fortuzit është një nga ato vende ku historia nuk ka qenë thjesht kalimtare, por themeluese.
Rruga e Fortuzit u ndërtua mbi logjikën e qytetit autokton: vila me avlli, porta të mëdha, mure që ruanin privatësinë dhe dinjitetin familjar. Ishte një mënyrë jetese qytetare që nuk kërkonte dukje, zhurmë, por rrënjë.
Emri “Fortuzi”, i marrë nga familja e arkitektit Omer Fortuzi, vila e të cilit ndodhej në hyrje të rrugices, nuk ishte një rastësi administrative, por një vazhdimësi identitare. Ishte një emër që i përkiste qytetit dhe historisë së tij, një emër që u rrënjos natyrshëm sepse kishte lidhje me vendin, me arkitekturën dhe me kujtesën urbane. Edhe pse ndryshimet urbane të dekadave të fundit, shpesh më shumë për keq se për mirë, kanë tentuar të zëvendësojnë identitetin me emërtime artificiale dhe pa etimologji qytetare, kjo rrugicë i ka rezistuar harresës. Emri i saj ka mbetur, sepse rrënjët nuk zëvendësohen me tabela.
Më 5 janar 1991, 35 vite më parë, një vilë në këtë rrugicë u shndërrua në vend historik: aty nisi rrugëtimin gazeta “Rilindja Demokratike”, gazeta e parë pluraliste në Shqipëri. Nuk ishte thjesht një redaksi; ishte një akt politik, moral dhe qytetar.
Trotuari përpara vilës u kthye në një hapësirë shprese. Qytetarë, intelektualë dhe aktivistë prisnin të hynin, të flisnin, të kontribuonin. Kishte emocione të forta, lot gëzimi. Fisnikët qajnë, horrrlliku ulëret.
Aty fjala e lirë nuk ishte retorikë, qe përgjegjësi. Nuk qe formë, por përmbajtje. Nuk qe përdorim, por qëllim.
Ishte rrugëkalimi i përditshëm nga shtëpia në shkollë, nga shkolla në shtëpi, me dëshirën për të parë nëse, ndoshta, në pragun e asaj vile kishte pak më shumë liri.
Rruga e Fortuzit përfaqëson një komunitet tironas antikomunist, antikonformist dhe qytetar, që nën diktaturë ruajti identitetin, dialektin, traditën dhe kulturën si një mision politik. Këto nuk ishin elementë folklorikë, por instrumente qëndrese, rrënjë që mbajtën gjallë idenë e lirisë, derisa ajo u bë e mundur.
Sot, kur qyteti humbet emrat, format dhe kuptimin në këmbim të betonit dhe improvizimit urban e social, Rruga e Fortuzit mbetet një kujtesë e fortë: se identiteti nuk sajohet, por trashëgohet; se amaneti nuk negociohet, por mbahet; dhe se pa rrënjë nuk ka mision politik, ideologjik apo partiak të qëndrueshëm.
Sot duhet thënë qartë: nuk mund të ketë përfaqësim, integrim, shpresë apo rizgjim pa identitet, pa kulturë, pa formim dhe pa njohje përkatësie. Pa këto, çdo mision politik nis i cunguar dhe përfundon i zbrazët. Patriotizmi nuk ndërtohet mbi harresë, por mbi kujtesë, rrënjë dhe përgjegjësi.
Siç shkruante “Rilindja Demokratike” në numrin e saj të parë;
“Liria e gjithsecilit të bëhet garancia e të gjithëve.”
Gëzuar Gazeta RD!
Gazeta RD