Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, 42 milionë eurot e parave publike të alokuara për mbrojtjen nga përmbytjet në Durrës janë vjedhur, duke çuar qytetin në një situatë katastrofike.
Berisha akuzon qeverinë për korrupsion, duke treguar se hidrovoret e Porto Romanos dhe Hamallajt nuk kanë funksionuar siç duhet dhe kanalizimet e qytetit janë të bllokuara për shkak të mosmirëmbajtjes dhe grabitjes së fondeve, ndërsa banorët mbeten të pambrojtur përballë ujërave.
“Pa diskutim që këto kanë qenë shira shumë intensive, por Durrësi kurrë nuk ka njohur një përmbytje të tillë.
Dhe shkaqet e përmasave të kësaj përmbytje janë absolutisht vjedhja, vjedhja dhe vetëm vjedhja e fondeve.
Taksapaguesit shqiptarë kanë paguar për mbrojtjen e qarkut të Durrësit, Porto Romano dhe zonat e tjera, 42 milionë euro investim.
Por korrupsioni ka bërë që hidrovori i Porto Romanos, kolektorin ta ketë në kuotën mbi 70 centimetra.
E kuptoni se kur fillon të funksionojë ai? Mbi 70 centimetra.
Pra le të përmbyten njëherë 70 centimetra, pastaj të fillojë të evakuojë ujërat.
Kurse hidrovori i Hamallajt prej 8 muajsh i ka pompat jashtë funksionit.
Përveç kësaj, Durrësi, territori i përmbytur, ka një sistem kanalizimesh shumë të studiuar dhe mirëprojektuar.
Kanalet janë që të gjitha të zëna sepse paratë e caktuara për pastrimin e tyre janë vjedhur dhe vetëm vjedhur nga mafia qeveritare e Durrësit dhe Tiranës.
Ajo dramë që shohim ne sot, ajo vërtet ka si shkak natyror dhe ndaj unë kërkoj shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, por këto përmasa nuk i merrte kurrë në qoftë se do ishin në gatishmëri dhe funksion hidrovoret, të cilët janë të përllogaritur për të mbrojtur zonat nga përmbytjet dhe në qoftë se do funksiononte sistemi i tyre i kanalizimeve.
Nga Vora gjer në bregdet shtrihet sistemi i kanalizimit që synon të mbrojë ato territore nga përmbytja.
Por kanalet janë fiktive, janë të bllokuara, janë të askujt pasi narkoshteti është shteti i mafies dhe ka vetëm interesat e mafies”, u shpreh Berisha.
Gazeta RD