Partia Demokratike akuzon kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi se po bllokojnë në mënyrë të qëllimshme mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Në një deklaratë për mediat, deputeti Oerd Bylykbashi deklaroi se opozita ka përgatitur një kallëzim penal ndaj kryeparlamentarit Peleshi për pengim të drejtësisë dhe shpërdorim detyre.
Sipas Bylykbashit, mazhoranca socialiste, me urdhër direkt nga kryeministri Rama, ka refuzuar për të pestën herë kërkesën e anëtarëve të opozitës për të mbledhur Këshillin.
Ai theksoi se ky bllokim përbën një shkelje flagrante të Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit, e cila, sipas tij, i jep të drejtën gjysmës së anëtarëve të Këshillit që ta thërrasin mbledhjen, njësoj si kryetari.
Deklarata
Me të drejtën që i jepet gjysmës së anëtarëve të Këshillit, pra pesë anëtarëve, për ta thirrur mbledhjen me një rend dite që është fare i qartë. Vazhdimi i një procedure të nisur me kërkesë të Prokurorisë me datë 16 dhjetor dhe mbledhjen e parë të mbetur pa vendimmarrje, në shkelje të ligjit nga kryetari i Kuvendit zoti Niko Peleshi.
Në këtë thirrjen tonë, përsëri ne kërkojmë vazhdimin e mbledhjes për të shqyrtuar kërkesën e prokurorisë. Pra, pas pesë kërkesash të vazhdueshme, përsëri kryetari i Kuvendit dhe mazhoranca, në shkelje të Kushtetutës dhe të rregullores së Kuvendit, bllokojnë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për të hequr imunitetin. Partia Demokratike e ka bërë të qartë në të gjitha, gjatë gjithë kësaj kohe, por dhe me kërkesat, që ne jemi në mbështetje të plotë për të vazhduar procedurën për të hequr imunitetin e deputetes, ministres, zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Provat që ka sjellë prokuroria janë të qarta që kërkesa për të zëvendësuar masën nuk është sepse prokuroria nuk po zbaton, nuk, prokuroria nuk e ka të mundur zbatimin e masës së pezullimit. Ka ardhur për shkak se janë rënduar rrethanat, është rritur rrezikshmëria shoqërore e personit të pandehur, për shkak se sipas prokurorisë, e evidentuar kjo me metoda speciale, ajo ka intimiduar dëshmitarë dhe gjithashtu janë rënduar rrethanat për shkak se janë shtuar akuzat e prokurorisë në lidhje me veprimet e paligjshme të zonjës Balluku.
Ne kërkojmë me urgjencë thirrjen e mbledhjes, edhe sot që e kërkuam përsëri, Niko Peleshi, kryetar i Kuvendit e ka penguar thirrjen e Këshillit, duke mos bërë asnjë veprim për të njoftuar qoftë zonjën Balluku, qoftë prokurorinë, kërkuesen e heqjes së imunitetit, apo dhe pjesën tjetër të anëtarëve të Këshillit. Theksoj se rregullorja e përcakton fare qartë, jo vetëm që të drejtën e ka gjysma e anëtarëve të Këshillit, pra pesë anëtarë që jemi ne të opozitës, e kemi të drejtën për ta thirrur njësoj me kryetarin, dhe kjo e vë kryetarin në detyrimin ligjor për të njoftuar palët dhe për ta thirrur mbledhjen. Por gjithashtu mbledhja është e vlefshme kur prezentë janë pesë anëtarë. Pra nuk duhet 50% + 1.
Mjafton gjysma e anëtarëve, mjafton ne që jemi prezentë këtu sot, që mbledhja të jetë e vlefshme. Me veprime dhe mosveprime vazhdon kryetari i Kuvendit që ta bllokojë haptazi, nën urdhrin e kryeministrit. Deklaratat e të cilit i keni fare të qarta.
Përtej konfuzionit të deklarimeve të gjithësecilit është e qartë, urdhri vjen i pastër nga Edi Rama. Si atë ditë kur u ndërpre mbledhja, si në vazhdim, për të mos lejuar që Këshilli të bëjë detyrën e vet kushtetuese. Praktikisht, Kuvendi i Shqipërisë, Edi Rama, duke urdhëruar mazhorancën, kryetarin e Kuvendit, po e kthen Kuvendin dhe procedurën për heqjen e imunitetit në një korracë për mbrojtjen e korrupsionit. Kjo bie ndesh jo vetëm me doktrinën ndërkombëtare, por bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, rregulloren e Kuvendit, jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese.
Është qartazi rrëzim i tërë propagandës të Edi Ramës në lidhje me reformën në drejtësi dhe për këtë s’duhet të ketë dyshim askush. Por në fakt, është goditje e drejtpërdrejtë për të penguar instrumentin që Kushtetuta parashikon për të hetuar deri në fund korrupsionin, duke filluar nga zyrtarët më të lartë e duke shkuar deri në fund. Me këto veprime, sigurisht Edi Rama nuk bën gjë tjetër, kërkon të mbrojë veten e vet. Kjo nuk është mbrojtje për, për Ballukun.
Ajo përpjekja për të penguar pezullimin nëpërmjet përdorimit të Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se ka konflikt pushtetesh, është një gjë krejt tjetër nga kjo që ai pretendon që të thotë, unë e bllokoj këtë mbledhje derisa ta shqyrtojë Gjykata Kushtetuese. Kësaj radhe diskutohet çështja e imunitetit dhe debati që ka parlamenti është i thjeshtë. A ka apo nuk ka ndjekje politike për deputetin apo ministrin? Është e vetmja detyrë që ka ë, parlamenti për të shqyrtuar.
Nëse një pushtet tjetër po sulmon politikisht parlamentin, jo një deputet. Provat e sjella dhe relacioni që ka paraqitur prokuroria e bëjnë fare të qartë. Nuk ka asnjë element për ndjekje politike e për rrjedhojë, parlamenti ka detyrimin me urgjencë për ta bërë këtë menjëherë. Tani duhet të theksojmë diçka. Edhe në pretendimin me shkresë të kryetarit të Kuvendit në fund të vitit që shkoi, se na paska kërkuar avokati i zonjës Balluku tre javë, pavarësisht se për këtë nuk ka një vendim dhe duhet të kishte vendim të Këshillit, edhe ky afat ka kaluar.
Pra, është e qartë që e gjithë përpjekja është si për ta zvarritur gjithmonë e më tej, për t’i dhënë mundësinë Ramës dhe Ballukut që të vazhdojnë të ushtrojnë presion, të intimidojnë dëshmitarët, pushtetin, pushtetin, magjistraturën dhe gjithashtu të vazhdojnë aktivitetet e tyre. Të vazhdojnë të hapin procedura të tenderimit të tjera, në kushte kur vetë prokuroria ka konstatuar që qënia në detyrë e zonjës Balluku përbën një rrezik me për mundësinë për të përsëritur veprat penale. Ne e kemi të qartë që në këto kushte Edi Rama nuk ka për të ndryshuar qëndrim. Pra nuk është çështje procedure.
Do të gjejë çdo lloj deformim të presjes dhe gërmës së rregullores për të arsyetuar pse duhet ta zvarrisim më tej. Ne e kemi paralajmëruar më përpara që do të bëjmë kallëzim penal për kryetarin e Kuvendit, që me veprime dhe mosveprimet e tij ka penguar autoritetin kushtetues të Parlamentit të Shqipërisë për të shqyrtuar këtë kërkesë. Mbi të gjitha ka penguar nëpërmjet këtyre veprimeve bërjen e drejtësisë, duke penguar prokurorinë që duke marrë autorizimin e Kuvendit të shkojë të marrë masën e arrestit përpara Gjykatës së Posaçme. Pra, ne jemi të gatshëm dhe kemi përgatitur dhe nënshkruar kallëzimin penal për kryetarin e Kuvendit, i cili do të depozitohet në momentin më të parë të mundshëm për, për të gjitha këto shkelje që janë bërë.
Sigurisht, ta kemi të qartë edhe një herë. Është Edi Rama i cili po mbron veten e vet, po përdor parlamentin, nuk është thjesht një mbrojtje që bëhet e një deputeti apo një ministri të caktuar. Ai e parashikon, e sheh që kjo situatë do të agravojë gjithmonë e më tepër dhe nuk ka asnjë ekuivok. Edi Rama nuk do të largohet thjesht duke për, duke ndjekur procedura. Edi Rama largohet me protesta të vazhdueshme. Është e vetmja mundësi që ky kryeministër, i cili e ka kthyer korrupsionin në një formë tjetër të rrezikshme të krimit të organizuar, ta, të shporret nga, nga ajo detyrë dhe qytetarët të kenë mundësinë që të qeverisin në mënyrë të drejtë. Kjo ishte prononcimi lidhur me këtë çështje.
Gazeta RD