Gjatë diskutimeve në tryezën e organizuar nga PD me partitë e opozitës, aktivisti Ergys Muzhaqi hodhi idenë për krijimin e një departamenti të posaçëm pranë Partisë Demokratike, i cili do të shërbente si një urë lidhëse me besimtarët.
Sipas tij, ky Departament do të angazhojë drejtpërdrejt komunitetet fetare në frontin opozitar kundër qeverisë së Edi Ramës.
Aktivisti Ergys Muzhaqi tha se, ky departament do të funksiononte si një “katalizator” për të tërhequr energjinë pozitive të përfaqësuesve të komuniteteve fetare që dëshirojnë të kontribuojnë në jetën politike të vendit. Bëhet fjalë për një segment të konsiderueshëm, ku vetëm pjesa praktikante vlerësohet të përbëjë minimalisht 10-15% të popullsisë shqiptare, e shtrirë brenda dhe jashtë vendit dhe në të gjitha shtresat sociale.
Fjala e Ergys Muzhaqit
Ju faleminderit për ftesën dhe jam i nderuar që të bëj një pjesëmarrje në këtë tryezë të gjerë. Pa dashur të përsëris ekspozenë perfekte që bëri zoti Berisha dhe besoj që edhe edhe folësit e tjerë do të kenë mundësi të flasin po aq bukur dhe po aq qartë për problematikat që kemi dhe të ofrojmë zgjidhje.
Në mënyrë të një simbolike të shprehur të Departamentit Amerikan të Shtetit, në momentin që dy kryeministrat shqiptarë fitojnë zgjedhjet, e urojnë Albin Kurtin me dëshirën për të punuar me qeverinë dhe e urojnë Edi Ramën me dëshirën për të punuar me popullin shqiptar. Dhe shpresoj që ne të jemi përfaqësues të denjë të interesave të popullit shqiptar, të cilët na e besojnë këtë ë besueshmëri, pra këtë dëshirë për përfaqësim dhe të na shohin si të besuar për këtë çështje.
Besoj që ne jemi një pjesë e mirë, e kulturuar e përfaqësimit të këtij populli. Desha të tërheq vëmendjen, pa u zgjatur, në një element i cili mendoj që do të na vlente në organizimin e lëvizjes tonë politike, në bashkimin në një front të vetëm të përbashkuar kundër të keqes që është Edi Rama me klikën e tij.
Do të tërheq vëmendjen në komunitetet fetare. Komunitetet fetare, vazhdon populli shqiptar të përfaqësohet me përkatësi fetare në shumicën e tij dërrmuese. Dhe në mënyrë të veçantë pjesa praktikante e komuniteteve fetare vlerësohet në minimalisht 10 deri në 15% të popullsisë shqiptare. E shtrirë kjo në territorin e Republikës së Shqipërisë brenda dhe jashtë vendit.
E shtrirë kjo në shtresa të ndryshme sociale, nga më modestet deri tek ato më elitaret në kontributin e tyre. Normalisht që është një komunitet, pra një bashkësi, e përzier, le të themi, e shoqërisë tonë, e cila në origjinën e saj, në formimin e saj dhe në praktikën e saj është e djathtë, po ta shohim politikisht. Dhe mendoj që duhet t’i ofrojmë mundësinë në vazhdim të rritur këtij komuniteti që të ketë një derë të hapur në të djathtën shqiptare, duke nisur nga Partia Demokratike Shqiptare, si përfaqësuesja më e fuqishme dhe më e denjë e saj. Për të shprehur mendimin, për të kontribuar, për të bashkuar energjitë e tyre në politikën tonë.
Respektivisht, mund të them që komuniteti mysliman vetëm praktikantët mund të llogariten diku në mbi 70,000 vota aktive dhe patjetër që edhe komunitetet e krishtera me gjithë përkatësitë e tyre janë përafërsisht po kaq. Propozimi im konkret për të djathtën shqiptare, duke nisur nga Partia Demokratike, është ngritja e një departamenti pranë Partisë Demokratike, të ngjashëm me Brain Gain, i cili do të kishte mundësi të katalizonte energjinë pozitive të gjithë përfaqësuesve të komuniteteve fetare që dëshirojnë të angazhohen në kontributin e tyre.
Duke i ofruar njëkohësisht mundësinë edhe spektrit të së djathtës politike shqiptare që të ketë një mundësi referimi përsa i përket mënyrës se si të kuptohen këto komunitete, se si të trajtohen nevojat e tyre të posaçme dhe se si të kthehemi me një retorikë të dobishme. Normal që është hera-herës e pakuptueshme që të kemi të djathtë, politikanë të djathtë, të cilët herë pas here në retorikën e tyre shfaqin, le të themi, përtej bindjeve fetare personale, kanë shfaqje ateiste ose shfaqje fetarofobe. Ky departament, që është një propozim konkret i imi, mendoj që do të ishte një katalizator shumë i dobishëm. Kemi goxha brumë, goxha elementë të burimeve njerëzore të përshtatshëm për ta ngritur një departament të tillë të suksesshëm…
Gazeta RD