Pse Rama i zi nuk shpall gjendjen e fatkeqësisë natyrore?!

Nga Bujar Leskaj

Përmbytjet e 4-8 janarit 2026 po lënë pas vetes dhjetra shtëpi të shkatërruara, mijëra ha tokë bujqësore të mbuluara nga uji, biznese të paralizuara dhe mijëra qytetarë në pasiguri. Harta e permbytjes eshte rritur me here qe nga 4-5 janari, duke përfshirë, krahas Durrësit dhe Lezhës, edhe Shkodrën, Gjirokastrën e deri në Vlorë në gjithë zonën e Novoselës, si dhe në Fier (fshati Ferras dhe fshatrat përreth) zona përgjatë lumit Vjosa deri tek Ura e Novoselës.

I. Çdo drejtues normal do shpallte gjendjen e fatkeqësisë natyrore, Rama jo!

Në çdo vend normal, një situatë e tillë do të shoqërohej menjëherë me shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, me mobilizimin e emergjencave, transparencë mbi dëmet dhe aktivizim të mekanizmave ligjorë për ndihmë.

Në Shqipëri, qeveria e sektit Rama zgjodhi të mos e bëjë këtë. Kjo nuk është thjesht neglizhencë administrative. Është papërgjegjësi ekstreme politike dhe morale. Është mospërfillje ndaj gjendjes së rëndë të qytetarëve të tu!

Mosshpallja e gjendjes së fatkeqësisë nuk e ndryshon realitetin në terren. Ajo vetëm e fsheh atë nga statistikat, nga vëmendja publike dhe nga detyrimi ligjor për të vepruar. Pa këtë status, bashkitë mbeten pa fonde emergjente, fermerët pa kompensim, bizneset pa instrumente lehtësuese, ndërsa qindra familjet e prekura mbeten në mëshirë të ndihmave sporadike dhe premtimeve boshe. Shteti i Ramës, në vend që të jetë mburojë e qytetarit, u kthye në spektator të fatkeqësisë së tij.

Pavarësisht qeveritarëve të veshur me çizme për foto e propagandë, përmbytjet tregojnë të vërtetën pa filtra. Gjendja është realisht kritike, përtej çdo propagande, e cila po mundohet të shitet si marrje përgjegjësie. Pas 13 vitesh keqqeverisje nga sekti Rama, mungesë parandalimi dhe abuzimi me fondet publike, qytetarët e këtyre zonave përballen çdo vit me të njëjtin skenar: ujë në shtëpi, toka të shkatërruara, të mbjella të përmbytura, bazë materiale të shkatërruar dhe drejtues që shfaqen vetëm për kamera.

Kanale të pa pastruara, argjinatura të lëna në harresë dhe reagimet pas dëmeve janë dëshmi e një dështimi të gjatë, jo e një fatkeqësie të papritur. Çizmet në baltë nga ana e drejtuesve nuk zëvendësojnë përgjegjësinë dhe as nuk e mbajnë ujin jashtë shtëpive të banorëve të këtyre zonave.

Partia Demokratike ka propozuar dhe ka lançuar shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, jo si një rrugë politike, por si një rrugë ekonomike dhe sociale, me qëllim mbështetjen reale të familjeve, pronës dhe bizneseve të prekura nga përmbytjet. Ky qëndrim mbështetet plotësisht në detyrimet ligjore dhe kushtetuese që shteti ka ndaj qytetarëve të vet, në situata emergjente dhe fatkeqësish natyrore.

Përmbytjet e fundit kanë shkaktuar dëme të rënda në banesa, bujqësi, blegtori dhe aktivitete ekonomike, duke e bërë të pamundur përballimin e situatës nga vetë qytetarët dhe nga pushteti vendor. Bashkitë janë lënë pa mjete financiare dhe pa mbështetje nga qeveria qendrore, ndërsa drejtuesit e tyre ndodhen të coroditur dhe të pafuqishëm përballë një emergjence që kërkon ndërhyrje të menjëhershme shtetërore.

Në këto kushte, ne, deputetët e opozitës në Kuvendin e Shqipërisë, vlerësojmë se janë përmbushur plotësisht kushtet dhe rrethanat e parashikuara në ligjin nr. 45/2019 “Për mbrojtjen civile” dhe në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 158, datë 17.03.2021, për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Konkretisht, kjo situatë kërkon shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në zonat e prekura, përfshirë qarqet Durrës, Lezhë, Elbasan, Shkodër, Gjirokastër, Vlorë dhe Fier.

Është e pakuptueshme dhe e pajustifikueshme arsyeja pse Këshilli i Ministrave nuk ka ndërmarrë ende këtë procedurë, duke krijuar pasiguri te qytetarët për mënyrën se si do të përballohen pasojat e kësaj fatkeqësie. Mosshpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore pamundëson dëmshpërblimin e plotë dhe të drejtë të banorëve të prekur, dhe përbën një akt të rëndë papërgjegjshmërie institucionale.

Qëndrimi i Partisë Demokratike është i mbështetur qartë në Kushtetutë dhe në ligj, ku përcaktohet se Kuvendi ushtron kontroll parlamentar mbi çështjet e mbrojtjes civile dhe se Këshilli i Ministrave ka kompetencën dhe detyrimin të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore për një periudhë të përcaktuar, kur rrethanat e kërkojnë. Në këtë rast, këto rrethana janë të dukshme, të dokumentuara dhe të pamohueshme.

II. Në vend të solidaritetit dhe vendimit social, Rama zgjedh braktisjen

Argumenti se “situata nuk e justifikonte” shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore shtë i pabesueshëm, për këdo që pa dëmet në terren. Vendim mohues i Rams ishte një zgjedhje shpirtkazm politike: zgjodhi shmangien e përgjegjësisë financiare, zgjodhi të mos prishë narrativën dhe imazhin e rremë të zhvillimit dhe stabilitetit, duke iu larguar procedurave të prokurimeve emergjente në rastet e fatkeqësive natyrore dhe dëmshpërblimit 100 përqind të dëmeve.

Por qeverisja nuk është menaxhim imazhi; është mbrojtje e jetës, pronës dhe dinjitetit të qytetarëve. Por për këto vlera, Rama nuk pyet.

Pasojat e braktisjes së qytetarëve prej Ramës dhe mosveprimit të sektit të tij në pushtet janë të shumëfishta. Ekonomikisht, humbjet në bujqësi dhe infrastrukturë lokale do të përkthehen në ulje të prodhimit me miliona euro, në rritje kostosh dhe humbje të ardhurash për familjet më të prekura.

Institucionalisht, u dërgua një mesazh i rrezikshëm: ligji zbatohet selektivisht dhe emergjencat trajtohen sipas kalkulimeve politike, jo sipas nevojës reale. Kjo minon thellë besimin e qytetarëve tek shteti dhe tek vetë koncepti i solidaritetit publik.

Si pasojë janë shkaktuar dëme të konsiderueshme ekonomike dhe sociale në këto zona, duke prekur drejtpërdrejt jetesën dhe aktivitetin e banorëve. Në fshatin Bishan, situata paraqitet veçanërisht e rëndë, ku stallat blegtorale janë dëmtuar ndjeshëm, duke rrezikuar krerët blegtoral dhe vazhdimësinë e aktivitetit blegtoral. Përmbytjet kanë sjellë dëmtime serioze edhe në ushqimin e kafshëve dhe krerët blegtoralë, çka përbën një goditje të drejtpërdrejtë për ekonominë familjare të fermerëve dhe blegtorëve të zonës.

Njëkohësisht, janë evidentuar dëme të mëdha në të mbjella, fusha bujqësore dhe sera, të cilat përbëjnë burimin kryesor të të ardhurave për shumë familje. Humbja e prodhimit bujqësor jo vetëm që cenon sigurinë ekonomike të fermerëve, por ndikon edhe në zinxhirin e furnizimit dhe tregun lokal. Dëmet janë më të theksuara në zonën e fshatit Bishanit, ku përmbytjet kanë shkaktuar shkatërrime të konsiderueshme në sipërfaqe të gjera toke bujqësore.

Në Novoselë, situata paraqitet shqetësuese, pasi janë përmbytur 14 banesa, duke shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme dhe duke vështirësuar kushtet e jetesës për familjet e prekura. Përmbytja e banesave ka sjellë humbje të orendive shtëpiake, pajisjeve elektroshtëpiake dhe mjeteve të tjera jetike.

Në këtë kontekst, është thelbësore që procesi i vlerësimit të dëmeve dhe dëmshpërblimit të jetë korrekt, i drejtë dhe transparent, duke reflektuar realisht nivelin e humbjeve të pësuara nga banorët. Një dëmshpërblim i drejtë është jetik për rimëkëmbjen ekonomike të familjeve të prekura, për rikthimin e aktivitetit bujqësor dhe blegtoral, si dhe për garantimin e kushteve minimale të jetesës. Çdo nënvlerësim i dëmeve do të thellonte më tej vështirësitë ekonomike dhe sociale të komunitetit, ndërsa një vlerësim i saktë dhe i ndershëm do të ndihmonte në rikuperimin dhe stabilizimin e situatës.

Për këtë arsye, kërkohet vëmendje maksimale nga institucionet përgjegjëse për vlerësimin objektiv të dëmeve dhe sigurimin e dëmshpërblimeve të drejta, në përputhje me realitetin në terren dhe nevojat reale të banorëve të prekur.

III. Rama i la bashkitë vetëm!

Pa shpallje zyrtare të fatkeqësisë, njësitë vendore u lanë të përballen me një barrë që tejkalon kapacitetet e tyre financiare dhe teknike. Kryetarët e bashkive u detyruan të improvizojnë, të rishpërndajnë buxhete të pamjaftueshme dhe të kërkojnë ndihmë. Ky është centralizim pa pikë përgjegjësi: qeveria mban vendimmarrjen, por ia lë kostot pushtetit vendor.

Si pasojë e përmbytjeve në këto zona, situata në terren ka nxjerrë në pah jo vetëm dëmet e mëdha materiale, por edhe mungesën e mbështetjes reale nga qeveria qendrore. Bashkitë janë lënë të përballen të vetme me një situatë emergjente, pa mjetet financiare, logjistike dhe institucionale të nevojshme për të përballuar pasojat e fatkeqësisë. Kjo ka krijuar një gjendje konfuzioni dhe pasigurie në nivel vendor, ku titullarët e bashkive ndodhen të coroditur dhe të hutuar, të paaftë për të ndërhyrë në mënyrë efektive për shkak të mungesës së fondeve dhe kompetencave reale.

Përballë kësaj gjendjeje, bashkitë nuk disponojnë fondet e nevojshme për të garantuar ndihmë emergjente, strehim, apo mbështetje për rikthimin e aktivitetit ekonomik.

Kjo situatë dëshmon qartë se përgjegjësia nuk mund dhe nuk duhet të bjerë mbi pushtetin vendor, i cili është i kufizuar në mjete dhe burime. Qeveria qendrore ka detyrimin ligjor dhe moral të ndërhyjë në raste emergjencash natyrore, duke siguruar fonde të mjaftueshme, koordinim institucional dhe mekanizma të qartë për vlerësimin dhe dëmshpërblimin e dëmeve. Lënia e bashkive vetëm në përballimin e kësaj situate përbën një shmangie të përgjegjësisë dhe një dështim në menaxhimin e krizave, nga ana e qeverisë qendrore.

Në këtë kontekst, është e domosdoshme që qeveria të marrë përgjegjësi të plotë, të angazhohet drejtpërdrejt në procesin e vlerësimit të dëmeve dhe të garantojë dëmshpërblime korrekte, të drejta dhe në kohë, në mënyrë që të mundësohet rimëkëmbja e familjeve të prekura dhe rikthimi i normalitetit në komunitetet e dëmtuara. Çdo vonesë apo neglizhencë e mëtejshme vetëm sa thellon pasojat ekonomike dhe sociale të kësaj fatkeqësie.

Më e rënda është dimensioni moral. Çdo familje që fjeti në shtëpi të lagura, çdo fermer që pa të shkatërrohet një vit punë, çdo biznes i vogël që mbylli dyert për ditë të tëra, mori një mesazh të ftohtë: “Nuk jeni prioritet!”. Në demokraci, ndjeshmëria ndaj fatkeqësive nuk është akt bamirësie; është detyrim kushtetues.

Ende ka kohë për shpalljen e menjëhershme të gjendjes së fatkeqësisë në zonat e prekura, me transparencë mbi kriteret dhe dëmet. Për një fond të posaçëm kompensimi për familjet, fermerët dhe bizneset e vogla, me procedura të thjeshtuara. Si dhe për një audit të pavarur të dëmeve dhe publikim të plotë tëtë dhënave. Si dhe për një plan rehabilitimi për infrastrukturën e ujërave, kanalet kulluese dhe mbrojtjen nga përmbytjet, jo vetëm për riparime kozmetike.

Por Rama nuk e ka këtë kohë. Koha e tij është vetëm për të vjedhur dhe abuzuar pasurinë dhe paratë e shqiptarëve.

xxx

Rama dhe sekti i tij mbajnë përgjegjësi të rëndë politike për vendimmarrjen që la mijëra qytetarë pa mbrojtje institucionale.Mosshpallja e gjendjes së fatkeqësisë pas përmbytjeve të 4-8 janarit 2026 nuk është një gabim teknik. Është një akt papërgjegjësie ekstreme që rëndon mbi qeverinë më të papërgjegjshme të historisë së pas diktaturës. Shteti ekziston pikërisht për momente të tilla: kur natyra godet, politika duhet të mbrojë. Çdo gjë tjetër është braktisje e pashpirt.

Urojmë që gjatë orëve të natës të mos ketë rritje të nivelit të ujit, duke shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës në zonat e prekura nga përmbytjet. Qëllimi kryesor është minimizimi i dëmeve për familjet, banesat, tokat bujqësore, blegtorinë dhe bizneset e vogla, të cilat tashmë janë goditur rëndë nga kjo fatkeqësi natyrore.

Shpresojmë që 9 janari të mos e gjejë të rënduar situatën, por me kushte më të stabilizuara dhe me ndërhyrje të menjëhershme dhe efektive nga institucionet përgjegjëse. Çdo rritje e papritur e ujit mund të thellojë humbjet ekonomike, të rrisë pasigurinë dhe të rrezikojë sigurinë e banorëve. Për këtë arsye, është thelbësore që qeveria qendrore dhe pushteti vendor të angazhohen maksimalisht, duke siguruar ndihma emergjente, koordinim në terren dhe vlerësim të drejtë të dëmeve.

Në këto kushte, shpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore bëhet një instrument i domosdoshëm për të garantuar dëmshpërblimin e plotë dhe të drejtë për qytetarët e prekur, për rimëkëmbjen ekonomike të komuniteteve dhe për rikthimin e normalitetit në jetën e përditshme. Vetëm me ndërhyrje të shpejtë dhe vendimtare mund të parandalohet përkeqësimi i mëtejshëm i situatës dhe të mbrohet jeta dhe prona e banorëve.

Ne qëndrojmë të angazhuar për të ndjekur nga afër situatën dhe për të siguruar që çdo qytetar i prekur të marrë mbështetje të drejtë dhe në kohë, duke i dhënë prioritet jetës, sigurisë dhe rimëkëmbjes ekonomike të zonave të prekura. ‎

Mund të jetë një imazh i makinë dhe ambulancë

About Redaksia

Check Also

Për vrasësit me pagesë të Shtetit Ligjor të së Drejtës…

Nga Adriana KALAJA Gjithmonë kam mbajtur qëndrim korrekt, kur janë shkelur parimet e Shtetit Ligjor …