Nga Ylli ASLLANI
Një ndëshkim që trondit jo vetëm qeverinë, apo ëndrrën amerikane të shqiptarëve, por edhe sigurinë dhe perpektivën demokratike të kombit!
Njoftimi se, Qeveria e Shteteve të Bashkuara pezullon/ngrin procesin e vizave emigruese për 75 vende ku përfshihen Shqipëria dhe Kosova është ndofta lajmi më i padëshiruar për qytetarët shqiptarë në këtë fillim viti!
Për Shqipërinë, e cila deri tani ka qenë e privilegjuar nga politikat dashamirëse amerikane, kjo kthesë e befasishme është një këmbanë mospajtimi me linjën shqiptare të qeverisjes, por dhe një sinjal alarmi që trondit sigurinë dhe të ardhmen perëndimore të kombit!
Përtej ndjenjave miqësore të shqiptarëve dhe retorikës proamerikane të politikës së ditës, mesa duket Strategjia e Re Amerikane e Sigurisë kërkon që aleatët e saj të zhvishen nga servilizmi falls dhe të paraqiten partnerë dinjitoz, vetfunksionues dhe kontribues!
Me një fjalë të mos të jenë një barrë antivlerash e panevojshme për ShBA!
Përfshirja e Shqipërisë në këtë listë tregon se politika e re amerikane ka vendosur të lerë mënjanë mbështetjen ndaj regjimeve të korruptuara e antipopullore, të cilat deformojnë votën e vullnetin e qytetarëve, pavarësisht sjelljeve të tyre në ‘përkrahje’ të politikave globale të superfuqisë!
Me një fjalë ekipi ri amerikan nuk do të tolerojë vendet si puna jonë të kthehen në baza të krimit të organizuar, korridore trafiku apo zona të pasigurta për stabilitetin rajonal dhe mbi të gjitha, nuk do të lejojë që prirjet dhe infrastruktura kritike, portet, energjia, komunikimet dhe asetet strategjike të bien nën ndikimin apo kontrollin e fuqive rivale që sfidojnë rendin euroatlantik dhe sigurinë e përbashkët.
Pas kësaj tablo të re euroatlantike, qeveria shqiptare e përfshirë në vorbullën e korrupsionit, narkotrafikut dhe babëzisë duhet të pranojë verdiktin e opozitës për pastrimin e klasës politike, duke i hapur rrugë një qeverie tranzitore që do të mund të organizojë zgjedhje të lira, të barabarta dhe transparente në vend!
Shqipëria duhet më në fund të plotësojë me dinjitet principet demokratike perëndimore, të sillet si shtet i të drejtës që meriton besimin e qytetarëve të vet dhe partnerëve, dhe jo si regjim sharlatan që pret pa meritë mëshirën e të fortit të rradhës!

Gazeta RD