“Do e hajë edhe Gjiknuri më duket, bisedat Arben-Mirel…”/ Dosja e SPAK që u hakerua nga Drejtori i Burgjeve

Detaje të reja kanë dalë nga dosja hetimore e SPAK-ut ndaj një grupi që akuzohet se ka ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në kompjuterët e prokurorëve të Posaçëm, duke siguruar materiale hetimore konfidenciale. Në qendër të hetimit janë ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Agim Ismaili, ish-drejtori i komanduar i burgut të Vlorës Zambak Gjoni dhe hakeri Arnold Rrokaj.

Sipas fashikujve hetimorë, Arnold Rrokaj ka arritur të sigurojë dokumente hetimore nga kompjuterët e SPAK-ut, të cilat fillimisht ia ka dërguar Zambak Gjonit, me të cilin kishte njohje që prej vitit 2019. Më pas, këto materiale janë shpërndarë te Agim Ismaili.

Në komunikimet e zbardhura, Ismaili shfaq interes të drejtpërdrejtë për hetime të mundshme ndaj figurave të larta politike. Në një bisedë në WhatsApp, ai pyet nëse SPAK kishte ndonjë procedim edhe për Ulsi Manjën, i cili në atë periudhë mbante postin e ministrit të Drejtësisë.

Më 18 shkurt 2025, Zambak Gjoni i dërgon Ismailit një dokument Word me titull “bisedat Arben me Mirel / Mirel me Damian”, të shoqëruar me mesazhin “SMS e kthyer nga tel i Arben Ahmetajt”. Ismaili i përgjigjet me ironi: “hahahaha pse ça ka?”.

Në vijim të komunikimit, Gjoni i dërgon një tjetër mesazh ku shkruan: “do e hajë edhe Gjiknuri më duket”, duke bashkëngjitur dokumentin “informacion mbi ecurinë Damian”. Një ditë më pas, më 19 shkurt, Gjoni i tregon Ismailit se i kishte kërkuar hakerit Rrokaj të kontrollonte nëse kishte hetime ndaj Ulsi Manjës, ndërsa Ismaili i përgjigjet: “aaaa do të ishte e hatashme”.

SPAK dyshon se këto veprime janë kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, me qëllim sigurimin dhe shpërndarjen e informacionit sekret hetimor, për interesa personale dhe politike. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rolet dhe përgjegjësitë e secilit prej të përfshirëve.

About Krye Redaktor

Check Also

Deklarata e VanHorm/ “Kartelet e Amerikës Latine të përmendura nga Sekretari Rubio të lidhura me kartelet shqiptare”

E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Nancy VanHorn, deklaroi se lufta …