Hoti: Rama e falimentoi shtetin! Studentët nuk janë mall që transportohen nga Tirana në Durrës!

Deputetja e PD, Elda Hoti u shpreh se, Shqipëria renditet në fund të listës së rajonit për cilësinë e arsimit të lartë dhe se situata në universitetet shqiptare po përkeqësohet çdo vit.

Në një deklaratë për mediat, Hoti tha se, qeveria ka dështuar totalisht në ofrimin e zgjidhjeve për studentët, ndërkohë që vendimet e kryeministrit, si ndërtimi i një kampusi në Durrës për të strehuar studentët e Tiranës për shkak të qirave të shtrenjta, janë një pranim publik i falimentimit të shtetit.

Deklarata

Raporti i Bankës Botërore rendit Shqipërinë në fund të listës për cilësinë e arsimit të lartë në rajon. Janë të gjithë treguesit e INSTAT-it që flasin për mbyllje shkollash dhe boshatisje të auditorëve. Por çfarë po ndodh? Në vend që të ketë ndërhyrje dhe fokusim të qeverisë me politika që u përgjigjen këtyre problemeve, kryeministri e ka fokusin diku tjetër dhe as që i interesojnë këto çështje.

Deklarata e tij se do të ndërtohet një kampus në Durrës për të strehuar studentët e Tiranës, si zgjidhje për problemin e qirave të shtrenjta, është një pranim publik i falimentimit të shtetit. Në vend që të luftojë pastrimin e parave, që e ka kthyer Tiranën në një lavatriçe betoni, në vend që të ndërtojë konvikte dhe strehim studentor në kryeqytet, qeveria zgjedh t’i dëbojë studentët nga Tirana. Pra, jo t’i ndihmojë, jo t’i mbështesë, por t’i largojë. Qiratë u rritën nga paratë e pista, nga ndërtimet pa kriter dhe nga mungesa totale e kontrollit shtetëror.

Sot fatura e këtij dështimi po u faturohet të rinjve shqiptarë dhe kjo nuk është politikë sociale, kjo është politikë përzënie. Studentët nuk janë mall që transportohen nga Tirana në Durrës. Në çdo vend normal, qeveria do të investonte te studentët. Në Shqipërinë e Edi Ramës, investimi shkon te krimi i organizuar, oligarkët, ndërsa studentët detyrohen të largohen. Në vend që të subvencionojë qiratë, të kontrollojë abuzimet dhe të godasë paratë e pista që kanë fryrë çmimet, qeveria u thotë studentëve: largohuni. Qiratë nuk u rritën nga studentët; u rritën nga paratë e krimit, nga oligarkët, nga ndërtimet pa asnjë kriter dhe nga mungesa totale e shtetit.

Sot fatura e këtij dështimi u faturohet të rinjve. Sepse kjo qeveri ka më shumë rëndësi dhe prioritet të mbrojë Belindën me 300 apartamente të saj sesa një të ri që nuk ka mundësi të zgjedhë as qytetin ku do të shkollohet. Sepse korrupsioni galopant ka shtrirë tentakulat në çdo sektor, përfshirë arsimin. Ajo që thotë kryeministri nuk është zgjidhje, është tallje me studentët dhe dëshmi e qartë e dështimit në arsim. Një shtet që përzen studentët dhe mbron Belindat, Mirlindat dhe Gysrat, ka hequr dorë nga e ardhmja e tij.

Ndaj u bëj thirrje çdo studenti dhe çdo të riu në Shqipëri: me datë 24, ora 17:00, të bashkohemi të gjithë në protestë për të shporrur këtë bandë hajdutësh që po vjedh të tashmen dhe të ardhmen tonë.
Faleminderit!

About Redaksia

Check Also

Pezullimi i vizave/ Berisha: Përgjigjen më të qartë për këtë pyetje e dha ambasada e SHBA

Lideri i opozitës, Sali Berisha ka komentuar vendimin e SHBA për pezullimin e vizave për …