Revolta në prag/ 24 janari, kushtrim për çdo shqiptar

Sali BERISHA

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju, demokrate dhe demokratë, drejtues të strukturave të PD në Kombinat, të gjithë qytetarëve të Kombinatit, Tiranës dhe mbarë Shqipërisë. Një përshëndetje të përzemërt drejtuesve qendrorë dhe lokalë të PD, të pranishëm në këtë sallë: znj. kryetare, z. Klevis, z. Ilir, Andia dhe të gjithë sa jeni këtu.

Kam ardhur sot tek ju për një bisedë që duhet ta bëjmë me njëri-tjetrin, duhet ta bëjmë me çdo demokrat, në mënyrë që të kuptojmë, të realizojmë se sot ne jemi në agun vërtetë të një transformimi të madh. Sot, ne jemi në agun e vërtetë të një fitoreje të pashmangshme në betejat e saj, të opozitës shqiptare.

Unë jam i vetëdijshëm se ju, me të drejtë, jeni të dëshpëruar, jeni të lodhur, të mërzitur; një opozitë e pamerituar 13-vjeçare është stërmunduese. Jam i vetëdijshëm se armiku që ne kemi përballë nuk respekton asnjë rregull, por nga ana tjetër jam i vetëdijshëm dhe i sigurtë se ne, së bashku sot, jemi në prag të përmbushjes së misionit tonë historik të shpëtimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve nga narkodiktatura, apo diktatura autokratike, e cila në shumë aspekte ka shkatërruar dhe dëmtuar qënien shqiptare më shumë se çdo regjim tjetër në tërë historinë e këtij vendi.

Kreu i narkoekzekutivit të sotëm, Edi Rama, është sjellë me opozitën me të njëjtin moral, me të njëjtën urrejtje, me të njëjtën armiqësi të paraardhësve të tij.

Natyrisht, nuk është më koha e diktaturave totalitare ku pluralizmi ndalohej me Kushtetutë, por sot ky përdor çdo mjet për të shtypur pluralizmin, për të shtypur opozitën.

Përveç gjahut të shtrigave që bën ndaj opozitarëve, punës së tyre, bizneseve të tyre e me radhë, nuk ngurron të arrestojë, persekutojë, njëlloj si etërit e tij, drejtuesit e opozitës. Edi Rama në këto 13 vite shkatërroi institucionin më themelor të demokracisë, por edhe të dinjitetit: votën e lirë. Ai qëndron në pushtet duke plaçkitur votën. Me lidhjet e tij të krimit, ai ka ngritur në piedestal kartelet e drogës, vrasësit serialë; me qeveritarët e tij dhe familjen e tij ka vendosur sistemin e plaçkitjes më të pamëshirë që shqiptarët kanë njohur në tërë historinë.

Miq, diktatura e parë totalitare ishte më mizorja në Europë. Ata që e kanë jetuar, ose që kanë lexuar për të, e kanë të qartë: ajo pushkatoi me gjyq dhe pa gjyq si kundërshtarë politikë mbi 7 mijë shqiptarë, internoi mbi 40 mijë të tjerë dhe persekutoi mbi 100 mijë. Pra, në këtë aspekt, ai ishte regjimi më mizor i Europës.

Diktatura e dytë, e pasardhësve të tyre, në kushte të reja, përzuri në 10 vite nga Shqipëria, vetëm në hapësirën europiane, 1.1 milionë shqiptarë. Diktatura e dytë, me plaçkitjet ndaj shqiptarëve, bëri që qytetarët shqiptarë për herë të parë në historinë e tyre ngritën kokën dhe arritën të paguhen më mirë se kombet e tjera të rajonit, për t’u zbresur me shpejtësi në vendin e fundit për rrogat dhe pensionet.

Diktatura e dytë bëri që drejtësia e tëra të shndërrohet në armë politike, të përdoret kundër opozitës dhe kundër pluralizmit politik, t’i japë licencë qeverisë për plaçkitjen e zgjedhjeve, dhe bëri që zgjedhjet të jenë krejtësisht një fasadë.

Shqipëria, pra, qeveriset nga një regjim që sillet ndaj pasurive të qytetarëve shqiptarë, buxhetit të tyre dhe aseteve publike njëlloj si një pushtues i keq.

Këto janë kushtet, këto janë shkaqet pse ju jeni të lodhur, pse njerëzit janë të mërzitur, të dëshpëruar. Por një gjë, miq, ju ftoj ju, ftoj çdo demokrat, ftoj çdo qytetar, të mos harrojë se geni ynë, geni i demokratëve, është geni i njerëzve të pamposhtur.

Demokratët janë ata burra dhe gra, djem dhe vajza që në mënyrë të përsëritur në historinë e këtij vendi kanë faktuar se të pamundurën e bëjnë të mundur plotësisht. Ata kanë faktuar se janë dhe mbeten besnikë të vlerave që besojnë, të vërtetave që besojnë. Imagjinoni ku ishim ne në vitin 1991, që duhet të ndërtonim një rend të ri. Cilat ishin njohuritë tona për rendin e ri? Inekzistente. Por vullneti dhe idealet tona ishin energji e pashtershme për të mësuar, për t’i zbatuar, për të transformuar Shqipërinë, dhe e realizuam atë me vendosmërinë më të madhe.

Një krizë e thellë pllakosi vendin edhe për gabimet e PD në vitin 1997. Menduan se kjo parti do të vidhisej në honet e historisë, do t’i harrohej emri, por jo. Rikujtoni pak se si u ngritëm. Po pse u ngritëm ne? Ne u ngritëm, jo se nuk kishim bërë gabim, por se u ngritëm të vendosur të korrigjojmë gabimin, u ngritëm me moral se ato borxhe që na i atribuonin, nuk i kishim, se qeveria nuk kishte prekur një qindarkë nga skemat piramidale. U ngritëm se, në kulmin e rebelimit, pavarësisht çmimit që mund të kishte, i thamë shqiptarëve të vërtetën: ne paratë nuk mund t’i kthejmë, sepse nuk mund të marrim paratë e atyre që nuk kanë vendosur në skema piramidale, t’i shpërndajmë për ata që kanë vendosur. Që në atë moment, ne kryenim një krim dhe turp që nuk e merrnim kurrë për bazë.

Këto qenë arsyet pse shqiptarët na rikthyen ne, na votuan masivisht në vitin 2001. Qemë të vërtetë. Ju kujtohet, kur e filluam protestën tonë me 30-50 vetë gjithësej? E mbani mend? Nuk u tërhoqëm; vazhduam në të drejtën tonë, gjersa arritëm në fitore.

Partia Demokratike është parti që ndau epokat, është parti që ndau sistemet, është parti e interesit kombëtar. Për një moment, çështja kombëtare shqiptare kishte ardhur si një çështje e tradhëtuar, kurse ne guxuam që në themelimin e kësaj partie të shpallim çështjen kombëtare si yllin polar të PD.

Të shpallim dinjitetin njerëzor dhe liritë e të drejtat e qytetarit si themelin e programit tonë. Ne u përmbajtëm. Askush, përveç nesh, nuk donte që të merreshim me çështjen kombëtare, por ne e morëm dhe e vumë atë të parën. Sepse pa interes kombëtar nuk ka dhe nuk mund të ketë kurrë as zhvillim, as njerëz të qytetëruar. Dhe e vërteta është se pikërisht ne kemi të gen, se mbrojmë interesin kombëtar dhe mbrojmë dinjitetin njerëzor. Ne ngrihemi sa herë të rrëzohemi, ne ngrihemi fuqishëm, ne nuk mposhtemi kurrë.

Secili nga ne ka firmosur një akt madhor, në një kohë kur Edi Rama, në mënyrë më makabre, kishte vendosur ta kapte tërësisht këtë opozitë, nga kreu, ta korruptonte, ta shndërronte në një fasadë opozitë, në një vegël të tijën, loboi me Xhorxh Sorosin etj., kundër Sali Berishës që kishte 8 vite pa asnjë funksion. Dhe kjo vetëm e vetme për të shuajtur zërin e vërtetë të opozitës.

Ju, njerëz të idealeve, në një moment kritik, bëtë një zgjedhje epike. Ju u rreshtuat me të vërtetën, pavarësisht se kush qëndronte në krahun tjetër. Pavarësisht nga privacionet, mashtrimet, shantazhet që bëheshin ndaj jush. Ju nuk pranuat që idealet tuaja, të dinjitetit, lirisë, të tregëtoheshin, të bëheshin plaçkë tregu. Ndaj dhe, haptas, me ballin lartë dhe me kurajë, pranuat të hyni në kalvarin më të pamerituar, por qëndruat të pamposhtur.

Miq, i dini vetë, nuk do të bëj historikun e këtyre viteve që shkuan, por një gjë ishte e sigurtë: që u bë gjithçka që të na fusnin 5 pashë nën tokë. Po pse, çfarë po bënim?

Ne çdo ditë po denonconim një regjim që vidhte qytetarët, i cili bashkëpunonte me bandat, me vrasësit serialë, kartelet e drogës, i cili përbënte rrezik jo vetëm për shqiptarët. Po denonconim një regjim që pasuritë përrallore të kësaj toke dhe këtij vendi i shndërroi në një mallkim për qytetarët. Një regjim i cili vendosi taksat më të mëdha ndaj qytetarëve dhe bëri që fëmijët e tyre, për të mos menduar të ndërtojnë të ardhmen në Shqipëri, të merrnin rrugët e Europës masivisht. Këtë po bënim ne.

Pra, ne po mbronim vlera të cilat janë të përbashkëta për të gjithë njerëzit e lirë. Megjithatë, ne përjetuam një kalvar, por prapë ADN-ja jonë, geni ynë i pamposhtur, nuk u mposht nga asgjë. Jo! Sepse mbronim të vërteta. Nuk ishte problemi të mbronim një person, por mbronim të vërtetat, dhe kjo është një meritë e jashtëzakonshme e juaja. Ju mbrojtët opozitën, ju mbrojtët pluralizmin, ju mbrojtët gjërat më të çmuara që ka një komb, vend, familje.

Por, pavarësisht nga këto rrethana, ne ia dolëm. Së pari, nga partia më e izoluar në botë—as Partia Komuniste e Kinës, ose e Koresë së Veriut nuk ka qenë më e izoluar se sa PD, parti e vlerave. Sot jemi partia më e mbështetur. U firmosën në 14 muaj, nga tetori i vitit 2024 deri më 5 dhjetor të vitit 2025, 7 rezoluta nga të gjitha partitë simotra në Europë dhe në botë, të cilat sanksionojnë pa përjashtim mbështetje të jashtëzakonshme për PD, vlerësimin maksimal për qëndresën e saj epike, denoncuan narkoregjimin e Edi Ramës, farsën e tij elektorale, shtypjen e pluralizmit nga Edi Rama dhe plaçkitjen që ai i bën qytetarëve, narkoshtetin e Edi Rama.

Pra, miq, kjo u bë e mundur vetëm në sajë të genit të pamposhtur të demokratëve. ADN-ja jonë është ADN-ja e njerëzve të pamposhtur.

Ndaj dhe unë kam bindjen më të madhe se demokratët e pamposhtur, njëlloj siç arkivuan të këqijat më të mëdha të këtij kombi nga vitet 1990 e gjer sot, do të arkivojnë të keqen më të madhe pas Enver Hoxhës: regjimin e Edi Ramës me të gjitha anekset e tij.

Miq, sot jemi në fushë, jemi në betejë, por sot ne dalim në fushë, dalim në betejë pasi iu kemi faktuar shqiptarëve dhe botës se ky armik nuk na lejon të votojmë, përdor paratë tona për të rrëmbyer votat tona, përdor krimin për të rrëmbyer votën, dhe votën e shndërron në krim. Ky armik qeveris me bandat, qeveris me krimin. Ky është një plaçkitës i pamëshirë i pasurive publike dhe buxhetit të shqiptarëve.

Ju them unë, protesta e dhjetorit ka patur një jehonë botërore të paimagjinueshme. Cilat ishin lajmet? Lajmet ishin: në zyrën e Edi Ramës shishe molotov, sepse mbron Lubi Ballukun.

Demokrate e demokratë, ju njerëz politikë, një qeveri që del nga zgjedhjet e lira nuk sulmohet. Ai që vlerëson votën, ai që vlerëson parimet themelore të demokracisë, nuk mendon se mund të rrëzojë një qeveri që buron nga vullneti i qytetarëve. Por një qeveri që buron nga farsë zgjedhore e dokumentuar, nuk meriton të qëndrojë asnjë ditë në pushtet, sepse është e paligjshme.

Në Valencia, një javë para zgjedhjeve, PPE denoncoi, pa u zhvilluar zgjedhjet e 11 majit, si farsë elektorale. Denoncoi çdo akt që Edi Rama kreu pa zhvilluar zgjedhjet për t’i zhvilluar zgjedhjet në farsë.

Kështu që ne kemi çdo të drejtë që me një kryengritje të fuqishme paqësore ta largojmë Edi Ramën nga pushteti. Kemi çdo të drejtë.

Thashë, lajmet botërore: në zyrën e Edi Ramës hidhen shishe molotov sepse mbron të korruptuarën zv. kryeministren; ai në fakt mbron veten e tij.

Së dyti, nuk cënohet kurrë të rrëzohet një qeveri që del nga zgjedhje të lira. Por edhe një qeveri që del nga zgjedhje të lira, nëse i vjedh qytetarët e vet, humbet legjitimitetin.

Pra, aktet që ka kryer Lubi Balluku, Edi Rama dhe ministrat e tyre ndaj jush, ndaj taksave, parave tuaja, ua shumëzojnë me zero legjitimetin. Nuk ka legjitimitet një qeveri që vjedh qytetarët.

Jeni dëshmitarë në 33 vite, nuk ka ndodhur kurrë, përveçse me Edi Ramën, që prokurori të kërkojë t’i heqi imunitetin ministrin, gjyqtarit apo kujtdo dhe këtë ta bllokojë qeveria. Kurrë!

Që këtu merr fund ndarja e pushteteve. Dhe ju ua rikujtoj këtu. Kujtoni pak ato shprehjet e mia për Ina Ramën; ia kam thënë me të drejtë, nuk heq asnjë fjalë: por Ina Rama kërkoi prapa 3 imunitete—zv. kryeministri, dy ministra. Absolutisht, ua them juve miq, as për të qindtën e sekondit nuk i kishte shkuar kujt ndërmend që kryeministri Sali Berisha mund të bllokonte heqjen e imunitetit. Dhe këtë e dinin edhe ministrat. Ministrat as që prisnin të kërkohej, por e dorëzuan vet imunitetin. Ishte çështja e përgjegjësisë para jush, para qytetarëve.

Kurse ky, hajdut i kombit, i erdhi mandati për Saimir Tahirin nga Italia, nuk i hoqi imunitetin.

Vjen kërkesa për Lubi Ballukun; nuk heq imunitetin.

A e dini pse? Sepse, në mënyrë absolute, në dosjen e Lubisë, në 3 rreshta, 2 flasin për Ramën. Sepse në Ankara nuk e mori Lubia Ramën me vete, e mori Rama Lubinë me vete për Tunelin e Llogarasë. Sepse, për aeroportin e Vlorës, nuk ishte ide e Lubisë, ishte ide për vjedhje e Edi Ramës dhe këto janë me dokumente.

Po AKSHI, sa herë e kisha denoncuar unë publikisht Armand Frangun, baxhanakun e tij? I cili, në një vit, ka 800 transaksione nga paratë tuaja, nga baxhanaku kryeministër. I cili ka qindra kontrata sekrete në kundërshtim flagrant me ligjin, i cili është aksioner kryesor i të gjitha vjedhjeve, bashkë me baxhanakun kryeministër, dhe sipërmarrjen që na e shet si model; merreshin njerëzit peng. Agjenci shtetërore ajo, që merrte njerëz peng.

U ndala në këtë moment për të deklaruar se këta që kemi përballë janë armiq të shpërfytyruar, janë armiq të egër. Këta nuk meritojnë asnjë orë në pushtet dhe ne do t’u tregojmë këtyre vendin që meritojnë.

Demokratët, sot më shumë se kurrë, në emër të të vërtetave që besojnë, në emër të idealeve të tyre, të dinjitetit njerëzor, janë të ftuar dhe të detyruar që, me një kryengritje paqësore të pandërprerë, t’i largojmë nga pushteti dhe të përmbushim misionin tonë. Ne jemi parti misioni.

Të përmbushim misionin tonë që qytetarët shqiptarë të votojnë të lirë, opozita në mënyrë absolute të fitojë zgjedhjet dhe Shqipëria të rikthehet në rrugën e dinjitetit, në rrugën e zhvillimit.

Edhe njëherë, ju ftoj ju, ftoj të gjithë qytetarët e Kombinatit, Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, më 24 janar, në provën tonë të fuqishme përballë regjimit më të urryer që shqiptarët kanë patur pas Enver Hoxhës gjer sot.

About Krye Redaktor

Check Also

“Janë kryengritësit e lirisë”/ Reagon Berisha: Lebetitën Ramaduron dhe kalbësirën rilindje

Kryetari i PD, Berisha i është përgjigjur Ramës që i quajti protestuesit si “jashtëderdhje” duke …