Kreu i PD në Njësinë Nr.4: Është koha jonë! Të mos ndalemi deri në krijimin e një qeverie teknike

Kryetari i degës së PD në Njësinë Nr.4 në Tiranë, Edison Breçani, në ‘Foltoren’ e radhës të mbajtur ngriti akuza të forta ndaj qeverisjes së Edi Ramës, duke denoncuar varfërinë ekstreme dhe dështimin e procesit të rindërtimit pas tërmetit, si dhe projektin e Unazës së Re.

Ai theksoi se kjo zonë është lënë në harresë, ku qindra familje ende nuk kanë marrë banesat që u takojnë, ndërsa bonuset e qirasë janë tepër të ulëta për të përballuar shpenzimet. Në një kohë kur çmimet e qirave variojnë nga 400 deri në 800 euro, Breçani e cilësoi situatën si një padrejtësi të organizuar nga pushteti.

Breçani i bëri thirrje qytetarëve për një mobilizim masiv, duke shpallur një protestë të fuqishme më 24 janar në orën 17:00, me kërkesën për krijimin e një qeverie teknike dhe për të ndryshuar kursin e vendit.

Fjala e plotë

Të nderuar demokratë të njësisë numër 4, mirë se erdhët në këtë foltore lirie. I nderuar kryetar i Partisë Demokratike, Profesor Doktor Sali Berisha, mirë se erdhët në njësinë tonë. I nderuar zoti Besart Xhaferi, deputet i njësisë numër 4, mirë se erdhët.

Dua ta nis këtë fjalim me mirënjohjet e thella për të gjithë të pranishmit në këtë foltore. Një falënderim të veçantë kam për të gjitha strukturat e Partisë Demokratike të kësaj njësie. Për nënkryetarët e saj, për kryetarët, sekretarët e grup-seksioneve, për anëtarët e kryesisë dhe për të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike nga viti 1991 deri tani. Faleminderit.

Pavarësisht çdo presioni që ju është bërë në këto zgjedhje farsë elektorale nga bandat e Edi Ramës, ju qëndruat të palëkundur ndaj pushtetit të Ramadurës. Faleminderit që shpëtuat pluralizmin, shpëtuat Shqipërinë. Kjo njësi është një nga njësitë më të varfra të Tiranës. Është një zonë e lënë krejtësisht në harresë nga Edi Rama. Kjo është një nga zonat më të prekura nga tërmeti dhe ndërtimi i Unazës së Re. Shumë familje akoma nuk kanë marrë banesat që ju takojnë. Disa prej tyre nuk janë futur as në short marrëveshje, e disa prej tyre marrin vetëm 220 mijë lekë bonus qiraje, ku në këtë kohë që po flasim qiraja është 400 deri në 800 euro.

Kjo zonë përbëhet edhe nga komuniteti egjiptian dhe rom, shumë të nderuar dhe të respektuar në zonën tonë. Ata janë lënë në harresë nga Edi Rama, ku ndihma sociale që marrin është vetëm 3 mijë lekë në muaj. Një tjetër problem është edhe infrastruktura në zonë, por ajo që dhemb më shumë është shpopullimi i kësaj njësie. Largimi i të rinjve, që nuk e shohin të ardhmen e tyre në atdheun e tyre. Kohët e fundit kjo njësi është kthyer në një qendër investimesh në ndërtim, nga bandat e Edi Ramës, për të pastruar paranë e fituar nga droga dhe korrupsioni. Në bashkëpunim me Ballukun, mjeshtrën e vjedhjes së taksave tona, ku 1 kilometër është plot 20 milionë euro.

Prandaj, të dashur demokratë qëndrestarë, të pamposhtur, më datë 24 janar, ora 17:00, të gjithë të protestojmë për familjet tona, për fëmijët tanë, për atdheun tonë. Është koha jonë, është koha e guximtarëve. Të mos ndalemi deri në krijimin e një qeverie teknike. Ta kthejmë sheshin në sheshin e lirisë. Liri, Demokraci, Fitore!

About Redaksia

Check Also

“Janë kryengritësit e lirisë”/ Reagon Berisha: Lebetitën Ramaduron dhe kalbësirën rilindje

Kryetari i PD, Berisha i është përgjigjur Ramës që i quajti protestuesit si “jashtëderdhje” duke …