I besuari i Erion Veliajt, Taulant Tusha, është liruar nga burgu.
Gjykata e Posacme i ka ndryshuar masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”.
Vendimi për lirimin e tij është marrë ditën e sotme nga Gjykata e Posacme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, përfaqësuar nga gjyqtarja Iliriana Olldashi.
Taulant Tushe është një nga emrat e përfshirë në dosjen e bujshme të inceneratorit të Tiranës, një çështje që ka ngritur akuza të rënda për shpërdorim detyre dhe korrupsion në lidhje me procedurat e ndjekura për ndërtimin dhe menaxhimin e inceneratorëve.
Hetimet për këtë dosje janë zhvilluar nga SPAK dhe kanë çuar në arrestime dhe masa sigurimi për disa ish-zyrtarë dhe persona të lidhur me kontratat koncesionare.
Taulant Tusha ka qenë pjesë e PS-së që nga dita e parë e pushtetit. Fillimisht Tusha mbante postin e Drejtorit të Shërbimeve Mbështetëse në Ministrinë për Çështje Sociale dhe Rinisë, të drejtuar nga Erion Veliaj asokohe. Por sapo Veliaj u zgjodh kryebashkiak i Tiranës, Tusha u emërua Drejtor i Punëve Publike në Bashki.
Pas kësaj Tusha ka drejtuar dhe Bordin Drejtues të Ujësjellësit të Tiranës. Por në vitin 2016, në momentin që u krijua Komisioni për koncesionin e mbetjeve, Tusha ishte i dërguari i Veliajt.
Taulant Tusha është kallëzuar penalisht për çështjen e inceneratorit të Tiranës, nga përfaqësuesit e opozitës në Komisionin Hetimor Parlamentar, të ngritur për aferën e Djegësve.
Po ashtu, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e ka Taulant Tushën në listën prioritare të të kallëzuarve për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar.
Gjithashtu, përfaqësues të opozitën kanë kallëzuar Taulant Tushën, si një ndër personat përgjegjës për faturën e fryrë financiare për ndërtimin e shkollës së mesme “Sami Frashëri”.
Gazeta RD