Në Foltoren e radhës së PD, mbajti fjalën e saj edhe kryetarja e Degës Nr. 2, Mirlinda Prendi e cilësoi qeverinë një “narko-shtet funksional”, ku krimi dhe korrupsioni vendosin mbi jetët e qytetarëve, ndërsa ekonomia dhe rinia vuajnë në kurriz të oligarkëve të lidhur me pushtetin. Prendi paralajmëroi se frika nga qytetarët dhe presioni mbi opozitën janë e vetmja “armë” që mban qeverinë në këmbë, duke theksuar se Partia Demokratike nuk është një forcë kompromisi, por një parti e përballjes me të keqen.
Prendi bëri thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e 24 janarit, duke nënvizuar se kjo është e vetmja rrugë për t’i thënë qeverisë se “koha juaj ka perënduar” dhe për të treguar se demokracia dhe drejtësia nuk mund të blihen.
Fjala e plotë
I nderuar Profesor Doktor Sali Berisha!
I nderuar drejtues politik i Qarkut Tiranë, zoti Belind Këlliçi!
E nderuar deputete, zonja Jorida Tabaku!
I nderuar koordinator i Degës 2, zoti Endri Hasa!
Të nderuar demokratë!
Në radhë të parë dua të shpreh një falënderim të thellë dhe respekt maksimal për strukturat e Partisë Demokratike: për çdo kryetar sepsioni e grup-seksioni, për çdo anëtar të thjeshtë të saj që u angazhua në fushatën e 14 majit. Falënderim të veçantë për komisionerët dhe numëruesit tanë, të cilët qëndruan në këmbë deri në numërimin e votës së fundit. Ata përballuan lodhje, presion dhe padrejtësi, por nuk u larguan, nuk u tërhoqën dhe nuk e tradhtuan misionin e tyre.
Të dashur demokratë! Gjatë javëve të fundit nisëm një proces të thellë analize në çdo grup-seksion apo seksion, ku çdo demokrat i thjeshtë apo drejtues strukture – që nga seksioni apo thjesht si anëtar partie – pati mundësinë të shprehte lirshëm dhe pa retushime shqetësimet e tij, duke vënë theksin mbi mangësitë që u vunë re dhe duke sugjeruar zgjidhje përtej tyre.
Por, siç tashmë e dimë të gjithë, fushata e 14 majit 2023 nuk ishte e lehtë. U përballëm nga njëra anë me një makineri shtetërore që përdor paratë e krimit, administratën dhe presionin për të mbajtur pushtetin. Nga ana tjetër ishin strukturat e Partisë Demokratike dhe demokratët e thjeshtë, me të vetmet armë shpirtin e sakrificës, qëndresës dhe besimin tek idealet e tyre.
Po, duhet ta themi fort dhe qartë: zgjedhjet nuk ishin garë e ndershme, siç edhe pasqyron qartësisht raporti i OSBE/ODHIR-it. Ishin imponim. Ishin blerje votash, intimidim dhe shantazh. Por pavarësisht kësaj, demokratët nuk u tërhoqën. Qëndruan në terren, ballë për ballë me padrejtësinë.
Kjo qeveri e ka kthyer shtetin në një narko-shtet funksional. Krimi vendos. Korrupsioni i qeverisë… qytetarët paguajnë. Ekonomia është në duar të oligarkëve. Rinia ikën. Familjet varfërohen. Ndërsa një grusht njerëzish pasurohen në kurriz të shqiptarëve. Ky pushtet nuk ka as moral, as legjitimitet. Ka vetëm frikë nga qytetarët dhe nga një opozitë që nuk blihet. Dhe pikërisht për këtë arsye sulmon, shpif, shantazhon dhe përdor drejtësinë si armë politike.
Përballë këtij realiteti, ne nuk kemi asnjë justifikim për heshtje. Kush hesht, bëhet pjesë e problemit. Kush lodhet, i shërben regjimit. E kush bën përçarje, i bën dhuratë pushtetit një fitore që nuk e meriton. Partia Demokratike nuk është parti e kompromisit me të keqen. Është parti e përballjes. Historia ka treguar se asnjë pushtet i ndërtuar mbi krimin nuk zgjat përgjithmonë. Koha e pritjes ka mbaruar. Koha e justifikimeve ka marrë fund.
Tani është koha e veprimit. Çdo strukturë duhet të jetë në këmbë. Çdo seksion duhet të funksionojë. Çdo demokrat duhet të jetë zë kundra padrejtësisë. Ne nuk jemi opozitë për të numëruar humbje. Jemi opozitë për të ndërtuar fitore. Dhe fitorja fillon në terren, në lagje, në familje, te qytetari i zhgënjyer që kërkon shpresë.
Ky regjim moralisht ka rënë. Demokratët kanë të drejtën me vete. Shpresa duhet të ndizet fuqishëm te çdo demokrat. Protestat janë e vetmja rrugë në përballje me këtë narko-regjim.
Ndaj më lejoni t’ju them: më 11 korrik, të jemi aty në shesh për t’i thënë narko-regjimit se koha juaj ka perënduar.
Gazeta RD