Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, gjatë fjalës së tij në Kuvend, akuzoi drejtuesin e seancës dhe mazhorancën për shkelje të hapur të rregullores parlamentare dhe mungesë respekti ndaj Kushtetutës, ligjit dhe procedurave.
Bardhi theksoi se mbledhja e Kuvendit është thirrur në kundërshtim me rregulloren, pa njoftimin e detyrueshëm paraprak, ndërsa sipas tij, kjo bëhet për interesa propagandistike të Kryeministrit dhe për të zhurmuar çështjet që lidhen me Gjykatën Kushtetuese dhe aferat korruptive të Belinda Ballukut.
“Pse do duhet ju të shkelni rregulloren? Pse nuk e nisët ju, zoti kryetar, me një ndjesë për deputetët që keni shkelur rregulloren e Kuvendit? Sepse keni detyrimin ta njoftoni seancën plenare të paktën dy ditë përpara se Kuvendi të mblidhet. Një njeri i përgjegjshëm, që e ndjen respektin ndaj Kushtetutës, ndaj ligjit dhe ndaj rregullores së Kuvendit, momentin e parë që hap mikrofonin thotë: ‘Po, unë kam bërë këtë shkelje të rregullores, se ma dikton kjo situatë e jashtëzakonshme ta shkel rregulloren e Kuvendit’, dhe kërkoj mirëkuptimin e kolegëve deputetë për këtë shkelje të rregullores që kam bërë.
Po ju nuk doni t’ja dini as për Kushtetutë, as për ligj, as për procedurë. Ju merrni një komandë: i duhet shefit tuaj sot, se në vend që të ishte… për ta firmosur marrëveshjen atje ku po e firmosin liderët e dëshiruar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do vijë këtu të flasim me Taulantin edhe shokët e Taulantit. Keni marrë komandën e tij, i duhet kjo propagandë sot, i duhet për të zhurmuar zonjën që duhet të ishte në Gjykatë Kushtetuese sot, s’duhet të ishte këtu. Duhet të ishte në burg sipas kërkesës së prokurorisë, nuk duhet të ishte këtu.
Pra doni të zhurmoni intimidimin që i keni bërë Gjykatës Kushtetuese për rastin dhe aferat korruptive të Belinda Ballukut dhe o burra të shkelim çdo ligj, çdo rregull, çdo procedurë të këtij parlamenti. Prandaj dhe ne jemi kundër kërkesës tuaj për shqyrtim me procedurë të përshpejtuar të këtij projektligji, pa respektuar asnjë rregull minimal të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe të rregullores së Kuvendit”, u shpreh Bardhi.
Gazeta RD