Debatet në Kuvend janë ndezur sërish ditën e sotme, ku në qendër të diskutimeve ka qenë procedura e ndjekur për Bordin e Paqes dhe mungesa e firmës së Kryeministrit në dokumentacionin e paraqitur. Deputeti i PD, Gazment Bardhi, ka ngritur pikëpyetje të forta ligjore dhe kushtetuese, duke akuzuar kreun e qeverisë për shmangie nga procedurat dhe mungesë transparence.
Gjatë fjalës së tij, Bardhi theksoi se bazuar në dokumentet e vëna në dispozicion të deputetëve, Presidenti i Republikës ka autorizuar Kryeministrin për të nënshkruar marrëveshjen në fjalë. Megjithatë, sipas Bardhit, në dosjen e sjellë në Kuvend mungon firma e kreut të qeverisë, gjë që e bën procedurën e ratifikimit në parlament të pakuptimtë nga ana juridike.
Gazment Bardhi: Siç tregojnë edhe dokumentat që janë vënë në dispozicion deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin për marrëveshjet ndërkombëtare, me vendimin numër 45 datë 21 i pari 2026 të Këshillit të Ministrave, është bërë miratimi në parim i kësaj marrëveshjeje. Menjëherë, përmes autorizimit numër 224 fraksion 1, datë 21 i pari 2026, ashtu siç ne shpjeguam në hyrje të kësaj seance, Presidenti i Republikës, që është i vetmi autoritet që nënshkruan marrëveshje sipas Kushtetutës në emër të Republikës së Shqipërisë, ka autorizuar Kryeministrin e Republikës që të nënshkruajë marrëveshjen në fjalë, të miratuar në parim me vendim të Këshillit të Ministrave.
Dhe pyetja ime konsiston: A e ka nënshkruar marrëveshjen Kryeministri? Sepse Kuvendi hyn në procedurë miratimi pasi Kryeministri të ketë nënshkruar këtë marrëveshje. Në dokumentacionin që ju na keni sjellë në Kuvendin e Shqipërisë, nuk rezulton që Kryeministri ta ketë nënshkruar marrëveshjen. Marrëveshjen e ka nënshkruar Vjosa Osmani, Presidentja e Republikës së Kosovës, sot në Davos me Presidentin Trump, dhe e kanë nënshkruar edhe vendet themeluese, sot në Davos, në prezencë të Presidentit Trump.
A mund ta dimë pse Kryeministri i Republikës së Shqipërisë është sot këtu dhe nuk është në Davos për të nënshkruar marrëveshjen me Presidentin Trump? Që më pas t’i jepte mundësi Kuvendit të Shqipërisë që të ratifikonte marrëveshjen e nënshkruar. Dhe ku bazohet procedura që po ndjek ky Kuvend? Tani ne e kuptojmë që s’shkonte dot ta nënshkruante se s’e kanë pranuar, por ku bazohet procedura që po ndjekim? Procedura sot që po ndjekim në Kushtetutë dhe në ligj. Dhe pse Kosova është sot në Davos, me iniciuesin e bordit të paqes, pra Presidentja Osmani është atje, ndërsa lideri juaj famoz global, Edi Rama, është sot këtu?
Gazeta RD