Kryetari i PD Sali Berisha gjatë ‘Foltores’ me të rinjtë demokratë tha se, kjo qeveri nuk ka më legjitimitet sepse ka vjedhur zgjedhjet dhe ka plaçkitur qytetarët, kam besim se ju do e përmbysni atë me sukses.
Sipas tij, opozita ka faktuar dhe denoncuar në mënyrë të pakundërshtueshme vjedhjen e zgjedhjeve, duke e ekspozuar Edi Ramën si autor të një procesi që nuk përmbush asnjë standard demokratik.
Berisha theksoi se, një qeveri e dalë nga zgjedhje të lira nuk mund të rrëzohet përveçse me votë, por nënvizon se kjo qeveri nuk gëzon më këtë mbrojtje kushtetuese, pasi ka dhunuar zgjedhjet dhe është kapur në flagrancë duke vjedhur qytetarët.
Berisha: Sot, Shqipëria ka një opozitë e cila qëndron e vendosur në idealet e saj.
Qëndron e vendosur të vazhdojë betejën gjer në përmbysjen e kësaj diktature.
Por edhe dy gjëra.
Kjo betejë zhvillohet sot në dy rrethana apo në dy kushte jashtëzakonisht të favorshme dhe këto janë, së pari demaskimi, denoncimi që i bëmë Edi Ramës për vjedhjen e zgjedhjeve.
Opozita faktoi se ky njeri nuk zhvillon zgjedhje, ky plaçkit zgjedhje.
Ky u përpoq me të gjitha mjetet të përmbysë raportin dhe dështoi totalisht.
Dhe ky për shqiptarët dhe mbarë botën është autori i një farse elektorale.
Çfarë tha raporti i Këshillit të Europës? Në Shqipëri duhet të ndahet partia nga shteti.
Kaq miq.
Të thuash parti shtet, je në monizëm.
Nuk ka zgjedhje në parti shtet, sepse në garë dalin disa parti dhe shteti gjigant me të gjitha mjetet e tij.
Nuk është garë më, është farsë.
Dhe kjo ishte një arritje që na jep ne të drejtën që çdo sekondë, çdo minutë çdo orë, të punojmë kundër këtij armiku të votës së lirë.
Ky është armik i lirisë.
Ky nuk ka asgjë të përbashkët as me shqiptarët, as me qytetarët.
Ky duhet të ikë një minutë e më parë, të ketë fundin që meriton si diktator.
Së dyti, një qeveri që del nga zgjedhje të lira, ju jeni të rinj, por duhet ta dini që nuk mund të rrëzohet. Nuk ke të drejtë, në qoftë se u qëndron parimeve që u beson, të kërkosh rrëzimin e një qeverie që del nga zgjedhje të lira përveçse me votën e lirë.
Protesta mund të bësh, por sovrani e ka autorizuar atë të qëndrojë aq sa e thotë Kushtetuta.
Por kjo qeveri nuk ka legjitimitet sepse ka dhunuar zgjedhjet.
Përveç kësaj, edhe për qeveri që dalin nga zgjedhje të lira, në qoftë se ato kapen duke vjedhur qytetarët, ato humbasin legjitimitetin.
Pra, ka dy faktorë që bëjnë të paligjshme këtë qeveri, farsa elektorale dhe plaçkitja e qytetarëve.
Kurrë ndonjëherë një qeveri e tillë nuk është kapur në flagrancë, një kryeministër i tillë nuk është kapur në flagrancë duke vjedhur miliarda të qytetarëve dhe përpiqet të përdorë pushtetin për t’u mbrojtur.
Është shkak, është arsye më madhore për të bërë gjithçka për përmbysjen e saj.
Shpresa më madhore e shqiptarëve sot jeni ju, gjenerata juaj dhe unë kam besimin më të madh se do ta përmbysni me sukses.
Gazeta RD