Anëtari i Forumit Rinor të PD, Glauk Olldashi, duke folur në ‘Foltoren’ e organizuar me kryetarin e PD, Sali Berisha ka kërkuar që problemet dhe diskutimet në parti të bëhen brenda partisë dhe jo jashtë saj.
Në fjalën e tij, Olldashi nënvizoi dhe një çështje tjetër, atë të pjesëmarrjes në ‘Foltoret’ e ditëve të hëna, që organizohen tek kryeministria, duke kërkuar që folësit në këtë takim të jenë ekspertë.
Fjala e plotë
Përshëndetje të gjithëve. Dua t’ju falënderoj nga ana e forumit të gjithë që jeni pjesëmarrës sot. Gjithashtu dua të falënderojmë dhe ata që sot nuk janë këtu, por kanë qenë në çdo aktivitet tonin dhe gjithmonë me ne. Po jo vetëm, duhet të falënderoj dhe ata që kanë qenë në forumin tonë dhe sot nuk janë më. Sepse dhe ata kanë dhënë shumë kontribut dhe pse sot nuk janë për 1001 arsye, ne duhet të jemi mirënjohës të gjithëve që kanë qenë me ne.
Para se të jap një sugjerim të vogël, doktor, unë mendoj se partia jonë ka shumë probleme dhe kush është në këtë sallë këtu, por jo vetëm, ka një qasje shumë më praktike dhe shumë më të vërtetë ndaj zgjidhjes së këtyre problemeve. Dhe mendoj që është shumë e mirë që ne të bënim një takim tjetër, pa kamera, pa televizor, me dyer të mbyllura, midis forumit dhe jush, sepse unë jam me parimin që problemet e shtëpisë fliten brenda shtëpisë dhe nuk fliten në sytë e botës.
Gjithsesi, po prek një problem që është shumë evident dhe e shikojnë të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm ne. Dhe po jap një sugjerim timin që ndoshta mund t’ju pëlqejë ose jo. Atëherë, ne çdo të hënë bëjmë këto foltoret para kryeministrisë. Që, të themi të drejtën, pjesëmarrja nuk është shumë e kënaqshme.
Tani, problemi këtu nuk është te mos pasja e mundësisë, ose pasja e frikës, siç thonë dikush që nuk vijnë njerëzit. Problemi është që njerëzit nuk duan të vijnë të hënave, sepse kur bëjmë ne protesta kombëtare, sheshi mbushet plot. Kështu që problemi qëndron te foltorja e të hënës, që nuk ka pjesëmarrje.
Mendimi im, por besoj jo vetëm i imi, është që shumë nga ata folës që dalin aty nuk janë të denjë për të na përfaqësuar. Sepse, në moment që dikush merr atë foltore, nuk përfaqëson më veten e tij, por përfaqëson të gjithë demokratët.
Ku përfshihemi sigurisht dhe ne anëtarët e forumit. Dhe me pasjen e folësve që nuk janë të denjë dhe nuk e di kush i zgjedh, po personi ose personat që i zgjedhin disa nga ata folës që dalin aty, po bëjnë faj ndaj nesh, jo thjesht gabim. Sepse, të dalin aty njerëz që flasin kuturu, disa kanë qenë dhe të ta, që ju merret goja kur flasin, na dëmton të gjithëve.
Dhe sidomos ne, rininë, sepse ne e kemi karrierën politike para dhe e kemi jetën para në Shqipëri. Dhe dëmtimi i PD-së dhe i imazhit të PD-së në publik, na dëmton më shumë ne sesa ju doktor. Tani, një mendimi im se si mund ta zgjidhim ne këtë problem është që çdo të hënë të bëjmë një foltore specifike.
Pra, një të hënë të kemi për arsimin. Të kemi mësues, të kemi ekspertë, të kemi profesorë.
Një të hënë tjetër të kemi doktorë, të jemi për shëndetësinë, problemet që ka në shëndetësi. Një ditë tjetër për bujqësinë.
Një ditë tjetër për naftëtarët, një ditë tjetër për minatorët, e me radhë e me radhë e me radhë. Problemet Shqipëria i ka të pafundme, temat janë të pafundme. Të jemi specifikë, çdo të hënë t’i drejtohemi një problemi, të kemi ekspertë të vërtetë dhe që njerëzit kur ta ndezin televizorin të hënën dhe të na shikojnë, të dëgjojnë me vëmendje ato që thonë ekspertët dhe atë që thoni ju doktor, dhe të mos shikojnë ca fytyra që i bën për të qeshur që dhe ne kur rrimë aty na bëjnë për të qeshur dhe ulim kokat.
Kështu që shpresoj që të kemi një qasje ndryshe nga e të hënave dhe të bëjmë një protestë dhe një foltore konstruktive për vendin.
Që jo vetëm të bërtasim ‘Rama duro’ dhe ‘qeveria e krimit dhe e drogës’, por të themi që problemi është ky, zgjidhja jonë do jetë kështu. Për çdo problem që prek shoqërinë shqiptare. Kaq kisha, nuk dua t’ju marr më kohë.
Gazeta RD