Nënkryetarja e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Desada Xhetani, i drejtoi një apel të drejtpërdrejtë kreut të PD-së Sali Berisha gjatë takimit me të rinjtë në selinë PD.
Ajo kërkoi që Partia Demokratike të mos u besohet më atyre që e braktisën në momentet më të vështira, duke theksuar se opozita nuk është luks, por sakrificë. Ajo tha se partia ka nevojë për ata që i kanë qëndruar pranë në momentet më sfiduese dhe jo vetëm në ditët e lulëzimit.
Ajo i bëri një lutje kreut të PD, Sali Berisha, mos e braktisni shpresën dhe kontributin e këtyre të rinjve. Na jepni fjalën se rinia do të jetë pjesë e procesit politik jo vetëm si numër, por edhe në vendimmarrje.
Fjala e Desada Xhetanit
Unë quhem Desada Xhetani dhe prej pesë vitesh tashmë jam njëra prej jush.
Para se të vija këtu në këtë foltore, bashkë me Luisin ishim tek parlamenti duke shpërndarë fletpalosje për protestën e ditës së nesërme.
Dhe teksa po kujtoja se kush ishte takimi im i parë këtu në Tiranë në Partinë Demokratike, mu kujtua data 7 nëntor e vitit 2021 në foltoren e Forumit Rinor tek amfiteatri. Ajo ditë për mua shënoi një zgjedhje, një zgjedhje shumë të rëndësishme për të mos heshtur përballë këtij regjimi dhe këtij sistemi që është tashmë.
Sot pesë vite më vonë, fatkeqësisht jemi sërish në opozitë, por jemi sërish këtu, duke qëndruar dhe me një ëndërr të përbashkët, për të larguar këtë sistem të kalbur që na ka zaptuar.
Doktor, teksa sot flas në vetë të parë, dua të flas dhe në emër të disa të rinjve dhe të reja, sepse gjatë këtyre pesë viteve kemi pasur një rrugëtim të përbashkët. Gjatë këtyre pesë viteve kam qenë pjesë e çdo proteste studentore. Sigurisht, disa prej të cilave i kemi organizuar vetë ne.
Kam qenë pjesë e çdo proteste të thirrur nga opozita. Kam qenë pjesë e çdo fushate politike gjatë këtyre pesë viteve. Kam shpërndarë fletpalosje në çdo shesh në rrugicë. Kam qenë pjesë edhe tek rrugica e shpresës. Kur shumë na braktisën, ne të rinjtë vendosëm që të qëndronim besnik.
Doktor, të dashur të rinj, nuk i përmenda të gjitha këto as për duartrokitje apo për të marrë lavdërime, por vetëm për të thënë një të vërtetë. Këto janë disa detyra që një opozitar i vërtetë duhet të bëjë. Këto janë disa detyra, Këto janë disa detyra që një i ri i ndershëm duhet të bëjë, një i ri që nuk pranon të nëpërkëmbet nga ky sistem. Sepse politika përpara se të jetë pushtet është qëndrim, dhe qëndrimi matet në ditët më të vështira.
Partia Demokratike është një familje e madhe, sigurisht edhe me gabime, por familja nuk braktiset në momentet e saj më të vështira. Ajo kritikohet me ndershmëri dhe përmirësohet brenda mureve të saj.
Doktor, me respektin që i detyrohet një figure historike, por dhe me ndershmërinë që i detyrohet së vërtetës, dua të të shpreh një të vërtetë dhe një kërkesë në emër të çdo të riu dhe të re je që ka sakrifikuar ditët më të bukura të saj në protesta.
Partia Demokratike nuk duhet të rikthehet më në duart e atyre që e braktisën në momentet më të vështira, sepse tradhtia politike nuk është incident, por është një model sjellje.
Është koha që Partia Demokratike të ndërtohet mbi individë të ndershëm, mbi të rinj dhe të reja të cilët nuk e kanë parë politikën si interes politik, por si shërbim publik. Që kanë qenë me Partinë Demokratike në momentet më të vështira të saj dhe jo vetëm kur ajo ka pasur momentet e lulëzimit. Doktor, e vërtetë është ajo që ne si parti duhet të na karakterizojë. Them kështu sepse kemi njerëz që i shikojmë shpesh vetëm në fushatë apo vetëm në takime të këtij lloji me karrige të rehatshme.
Por, unë mendoj, opozita nuk është luks, opozita është sakrificë, dhe sakrifica është të dalësh në shesh, tek strukturat, në foltore, në protesta duke shpërndarë fletpalosje dhe çdo detyrë që duhet të bëjë një opozitar. Doktor, unë mendoj që duhet të rimarrim fatin e Shqipërisë në duar, përpara se largimi i të rinjve të kthehet në një plagë të pakthyeshme. Sot, unë nuk ju flas vetëm si një anëtare e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, por ju flas si një studente ekselente në vit të fundit master, e cila ndihet thellësisht e braktisur nga ky shtet që nuk e mbështet dijen dhe meritën.
Por doktor, ju mos na braktisni. Mos e braktisni shpresën dhe kontributin e këtyre të rinjve këtu në sallë. Na jepni sot fjalën se rinia do të jetë pjesë e procesit politik jo vetëm si numër, por edhe në vendimmarrje.
Unë sot ju flas edhe si anëtare e Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës dhe si arsimtare e së ardhmes, ku shkatërrimi i arsimit tashmë është një strategji politike, sepse një shoqëri e paarsimuar manipulohet. Një popull që është i paarsimuar edhe blihet edhe shitet. Por mendimi kritik nuk blihet, dinjiteti nuk blihet, të rinjtë e Partisë Demokratike nuk mund të blihen.
Shqipëria ka nevojë për reagimin tonë. Të vendosur e të palëkundur. Ka nevojë për qëndrime të bazuara në dije, etike.
Unë e di që me aftësitë e mija do të mund të ndërtoja një të ardhme më të mirë në botë por kam zgjedhur të qëndroj këtu me çdo kusht e çmim. Ju kemi besuar në momentet më të vështira e kritike por sot besimi duhet të shndërrohet në përgjegjësi të përbashkët ndaj këtij vendi e ideali.
Me çdo çmim nesër e përditë duhet të protestojmë, jo vetëm në Tiranë por në të gjithë Shqipërinë, sepse jemi në gjëndje alarmante. Le ta shpëtojmë Shqipërinë edhe nëse duhet të flijohemi për të.
Gazeta RD