Deputetja e PD, Ledina Alolli denoncon skandalin e aksit Qukës–Qafë Plloçë si simbol korrupsioni dhe dështimi qeveritar.
Ajo thotë se çarja e asfaltit pas shirave dëshmon ndërtim pa standarde dhe rrezik për qytetarët, duke kërkuar verifikim urgjent, transparencë dhe përgjegjësi. Alolli fton qytetarët në protestën e nesërme para Kryeministrisë, ora 17:00.
Reagimi
“260 Milionë Euro për “asfaltin elektoralo-propagandistik”
Aksi rrugor Qukës-Qafë Plloçë është kthyer sot në simbolin më të qartë të dështimit qeveritar dhe të abuzimit me fondet publike. Prej javësh kemi denoncuar publikisht problematikat e rënda që u shfaqën menjëherë pas reshjeve të shiut, kur rrëshqitjet masive të dherave e bënë këtë segment të papërshkrueshëm, duke e kthyer në një rrezik për jetën e qytetarëve.
Paralajmërimet tona si zakonisht u injoruan, megjithëse nga “Qafë Plloça e korrupsionit”, tek Kuvendi i Shqipërisë kemi ngritur zërin dhe kemi bërë thirrje që autoritetet të marrin masa për të rehabilituar rrugën dhe për të mos lejuar që kjo rrugë të kthehej në rrezik për jetën e qytetarëve.
Sot ishte moment tjetër i rrëzimit të “suvatimit propagandistik”, asfalti elektoral tek loti i dytë i rrugës është çarë në afërsi të kthesës së fshatit Trebinjë, duke vërtetuar se dëmtimet nuk ishin rastësi, por përgjigja për një aferë madhore korruptive që ka sjellë një ndërtim pa standarde, pa kontroll dhe pa përgjegjësi.
Kjo është “rrugë e propagandas dhe korrupsionit qeveritar”, e inauguruar me bujë, por që nuk i reziston as dy ditëve shiu.
Një investim prej 260 milionë eurosh për vetëm 43 kilometra, përveç se është një nga aferat më të mëdhaja korruptive të kësaj qeverie, është kthyer në një rrezik permanent të drejtpërdrejtë për jetën e qytetarëve. Ky projekt nuk është më çështje politike, është çështje sigurie publike dhe përgjegjësie institucionale. Kërkoj menjëherë verifikim teknik urgjent, transparencë të plotë për kontratën dhe zbatimin e saj, si dhe përgjegjësi ligjore e politike për çdo abuzim me fondet publike.
Faktet janë mes asfaltit të çarë dhe shkëmbinjve të rrëzuar, ato dëshmojnë se kjo qeveri ka zgjedhur propagandën mbi sigurinë, korrupsionin mbi interesin publik dhe paaftësinë mbi përgjegjësinë.
PËR KËTË DHE 1 MIJË ARSYE TË TJERA, BASHKOHUNI NESËR NË PROTESTËN PARA KRYEMINISTRISË, ORA 17:00!
Gazeta RD