7 vjet nga tërmeti shkatërrimtar, Bashkia e Tiranës përjashton qytetarët nga e drejta e kompensimit!

Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:

Kanë kaluar 7 vite nga tërmeti shkatërrimtar i vitit 2019 por ende sot, shumë qytetarë nuk kanë gjetur zgjidhje për pronat e tyre,

Një rast konkret denoncimi vjen nga një banore e Tiranës, në Njësinë Administrative nr. 6, Kombinat.

Denoncuesja është pronare legjitime e një apartamenti prej 45 m², në godinën nr. 164, pronësi e vërtetuar me certifikatë të rregullt pronësie.

Pasi godina u shpall e pabanueshme pas tërmetit, qytetarja u njoftua nga Bashkia Tiranë, se ishte skualifikuar nga përfitimi i nënprogramit të grantit të rikonstruksionit.

Denoncuesja ka paraqitur ankimimin e saj, por përgjigjja e Bashkisë ka qenë se ajo nuk përfiton për shkak të ‘mosplotësimit të kushteve dhe kritereve’, sipas akteve ligjore dhe nënligjore të rindërtimit.

Pyetja që ngrihet është:

Çfarë duhet të bëjë kjo qytetare për të përfituar nga granti i rindërtimit të banesave të reja në Njësinë Administrative nr. 6?

A duhet të humbasë edhe vitet e jetës duke u endur pas dyerve të bashkisë dhe gjykatave?

Kanë kaluar 7 vite, janë shpenzuar miliona euro, ndërsa dhjetëra familje vijojnë të mbeten pa zgjidhje.

Shumë qytetarë ndjehen të braktisur nga shteti dhe të mashtruar nga propaganda zyrtare.

Institucionet duhet të japin zgjidhje konkrete, jo justifikime burokratike.

Propaganda nuk ndërton shtëpi!

About Redaksia

Check Also

Tabaku–Krichbaum: Integrimi po përdoret si fasadë, pa sundim ligji dhe pa luftë reale kundër korrupsionit

Kryetarja e Komisionit për Median dhe të Drejtat e Njeriut, Jorida Tabaku, zhvilloi një takim …