Këlliçi: Dhuna e Ramës është shenja e fundit e një narkoshteti në rënie! Ne nuk trembemi!

Deputeti i PD, Belind Këlliçi duke folur në ‘Foltoren’ tek kryeministria theksoi rolin historik të PD-së dhe kryetarit Sali Berisha në integrimin euroatlantik të Shqipërisë, anëtarësimi në Këshillin e Europës, NATO dhe liberalizimi i vizave.

Ai falënderoi qytetarët, avokatët dhe protestuesit, veçanërisht për mbrojtjen ligjore të 19 të rinjve të ndaluar pas protestës së 24 Janarit, ku policia sulmoi pa arsye protestuesit paqësor.

Gjatë fjalës së tij, Këlliçi akuzoi qeverinë dhe Edi Rama për përdorim të dhunës shtetërore, korrupsion, kapje të institucioneve, shkelje të të drejtave të qytetarëve dhe krijim të një ‘narkoshteti’.

Këlliçi: Demokratë, qytetarë, qëndrestarë.

Të nderuar doktor Berisha që sot na ndjek live nga Strazburgu, aty ku doktori ka shkuar për të përfaqësuar Shqipërinë në një takim shumë të rëndësishëm ditën e nesërme.

Dhe gjej rastin t’i rikthej çdo shqiptari që na ndjek sot në vëmendje një fakt historik që nuk e mohon dot as Edi Rama, as mediat e paguara të Rilindjes, as Karlo dhe as Mero. Shqipërinë në Këshill të Europës e anëtarësoi Partia Demokratike në 13 korrik të vitit 1995.

Dhe kjo është meritë e pamohueshme e kësaj force politike. Sado që të hedhin baltë, sado që të shpifin, sado që të paguhen nga paratë e inceneratorëve që nuk ekzistojnë për të linçuar opozitën dhe për të mohuar realitetin, faktet janë kokëforta dhe në fakt na tregojnë se çdo arritje në aspektin e integrimit europian, shoqëruar këtu jo vetëm me anëtarësimin në Këshill të Europës, por me anëtarësimin në NATO, me liberalizimin e vizave, është meritë e Partisë Demokratike dhe e doktor Sali Berishës.

Faleminderit të gjithëve që keni ardhur sot. Faleminderit avokatëve që kanë bërë, kanë bërë një punë të jashtëzakonshme në këto dy net në mbrojtjen e të gjithë atyre qytetarëve, djemve të ndaluar në mënyrë të padrejtë dhe të paligjshme në dy netët e kaluara, për shkak të një proteste të jashtëzakonshme që i tronditi nga themelet pushtetin.

Faleminderit Eda Grimcit që foli e para dhe që prin trupën e avokatëve që kanë marrë në mbrojtje djemtë. Faleminderit atyre 19 djemve që janë sot duke kaluar natën në qeli. Ata guximtarë që do të ftoja çdo qytetar që është sot këtu, çdo demokrat që po na ndjek nga media që nesër në orën 10:30 paradite të na bashkohet pranë dhomës penale në Gjykatën e Tiranës për të bërë të mundur lirimin e këtyre djemve dhe kthimin e tyre në familjet e tyre, pranë të afërmve të tyre.

Të dashur qytetarë, dy netë më parë në këtë bulevard, në sytë e çdo shqiptari e të mediave ndërkombëtare, narkoshteti i Edi Ramës dëshmoi se është më i dobët se kurrë. Dhe e dëshmoi në fakt duke rrezikuar jetën e qytetarëve me dhunë, me një dhunë që buron nga humbja e kontrollit, nga frika dhe nga paranoja e fundit të pashmangshëm. Historia e ka treguar më shumë se një herë se kur pushteti fillon të godasë qytetarët e vet pa as edhe një arsye, i ka hyrë frika në palcë e sidomos frika për të dëgjuar qytetarët e saj.

Çarja e madhe ka filluar, sepse frika që mbollën mes njerëzve me metodat më tipike mafioze, tashmë u është kthyer të gjithëve mbrapsht. Ndaj gazi lotsjellës i skaduar, uji me piper, goditjet pa kursim edhe mbi minorenë, janë vendime politike dhe jo thjesht reagime policore.

Po po, janë vendime politike drejtpërdrejtë nga bunkeri i Surrelit, sepse një pushtet i konsumuar kriminal dhe i zhytur thellë në paranojë nuk përdor dhunën vetëm për të shpërndarë protestuesit, por edhe për të qetësuar veten, sepse ky është tashmë një refleks i njohur për këtë narko-regjim. Dhuna ka qenë programi i këtij sekti qysh se erdhën në pushtet. Janë kujdesur në mënyrë të përditshme t’ia nxijnë jetën shqiptarëve në çdo lloj mënyre.

T’i përzënë, t’i bëjnë të ndihen emigrantë në vend të vet, t’u marrin pronën, pasurinë, t’i vrasin me rrugët e pasigurta, me liçencat për krimin, me barnat e skaduara, me ajrin e helmuar dhe me ujin e papijshëm. Korrupsioni i kësaj bande mbrapa nesh ka marrë në fakt jetë njerëzish. I njëjti zinxhir policor që bashkëpunon me krimin, fiku dritat e rrugës që të mos dokumentohej dhuna të shtunën e protestës.

Njëherë zhdukin identifikimin nga uniforma, njëherë të marrin peng për llogari të aferave të pushtetit apo të bandave kriminale e njëherë të vrasin në rrugë duke fshehur armën e krimit. Veprimet antiligjore të atij reagimi të çmendur mbi njerëz janë zbatime të përpikta të urdhërave politikë nga shkelësi më i madh i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhunuesi i pashpirt i qytetarëve shqiptarë, kreu i narkoshtetit, Edi Rama.

Sepse dhunë është të qeverisësh pa llogaridhënie, dhunë është korrupsioni që nuk ndëshkohet, dhunë është të shkatërrosh drejtësinë, dhunë është grabitja dhe zhvatja me duar në xhepat e çdo qytetari shqiptar. Dhunë është të shkatërrosh shëndetësinë, arsimin dhe kulturën e një vendi. Dhunë është të blesh çdo media për të injektuar propagandë të helmtë në çdo orë të ditës dhe të natës. Dhunë është të detyrosh një brez të tërë e gjithë rininë e vendit të largohet nga vendi i tyre.

Ne kemi dokumentuar së bashku që të gjithë dhe denoncuar skandalet më të mëdha, duke i prirë betejës opozitare edhe në ditët më të vështira, atëherë kur në fakt korruptohej dhe kryeagjenti i FBI-së, miku i ngushtë i Edi Ramës, Charles McGonigal, atëherë kur blihej me vuajtjet e shqiptarëve çdo influencë kombëtare apo ndërkombëtare. Por edhe kur banditët dhe mafia kërcënonin nga luksi prej investitorësh strategjikë dhe majat e kullave që pastronin krime nga më monstruozet, veçse sundonte pa kundërshtarë Sulltani i Surrelit.

Ne i rezistuam asaj strategjie që donte shuarjen tonë si parti e shqiptarëve, si popull autokton, por sot nuk na ndal më asgjë. Përkundrazi, të forcuar si alternativë për Shqipërinë e të gjithë shqiptarëve, të bashkuar në krye të betejës për t’i dhënë dërmën finale kësaj kërme politike, të diskredituar edhe ndërkombëtarisht, të izoluar nga qendrat vendimmarrëse, ne do t’i japim fund bashkë me ju normalizimit të dhunës shtetërore, shpopullimit, varfërimit dhe shpronësimit të qytetarëve shqiptarë.

Nuk na tremb dhuna e tyre, sepse është refleksi i fundit prej frikës nga zemrata e qytetarëve shqiptarë. Çfarë na duhet sot dashur miq? Këmbëngulje, këmbëngulje, këmbëngulje, qëndresë dhe besim se ky shtet përfundimisht ka hyrë në ditët e numërimit mbrapsht. Kjo nuk është çështje e një partie politike, as e fatit të saj, por është çështje dinjiteti dhe detyrimi ndaj të ardhmes së fëmijëve që meritojnë të jetojnë e të punojnë në begatinë e një vendi të bekuar nga natyra e të shpëtuar nga shqiptarët e mirë dhe të ndershëm.

Duke ju falënderuar të gjithëve, ju ftoj dhe njëherë që nesër në orën 10:30 të bashkohemi të gjithë te dhoma penale, Gjykata e Tiranës, për të qëndruar krahë atyre 19 heronjve, djemve protestues paqësorë në protestën e dy netëve të mëparshme. Faleminderit dhe me fitore, shihemi në protestën e radhës.

About Redaksia

Check Also

“Foltorja”/ Qytetari: Këtu mbrapa meje është kështjella e hajnisë, kështjella e turpit!

Qytetari Vladimir Dobrolishti, gjatë fjalës së mbajtur në foltoren e opozitës përpara Kryeministrisë, ka akuzuar …