Nga Reldar DEDA
Protestat opozitare kanë qenë një element i pandashëm i tranzicionit, me rezultate të ndryshme. Ato kanë ndihmuar rrotacionin e pushtetit, kanë prodhuar presion politik dhe ndërkombëtar, por rrallë kanë sjellë largimin e drejtpërdrejtë të qeverive nga sheshi. Dy përjashtimet -qershori 1991 dhe marsi 1997- nuk ishin protesta klasike opozitare, por shpërthime popullore, të diktuara nga kriza të thella ekonomike dhe sociale, të cilat politika i shfrytëzoi më pas për zgjidhje institucionale.
Ky dallim është thelbësor për të kuptuar edhe protestën e djeshme të opozitës. Sepse ajo nuk ishte thjesht një grumbullim partiak, por as një shpërthim i pakontrolluar popullor. Ishte diçka në mes: një protestë masive, me nerv të fortë qytetar, por e mbajtur nën kontroll politik. Në këtë pikë, roli i Sali Berishës si drejtues real i opozitës shqiptare bëhet i pamohueshëm.
Protesta e djeshme tregoi se ai arriti të organizojë një pjesëmarrje të madhe, duke kanalizuar zemërimin popullor pa e lejuar atë të degjenerojë në dhunë, në përplasje me institucionet apo në tejkalim të “vijave të kuqe” që do ta nxirrnin protestën nga shinat demokratike. Në një shoqëri të varfëruar, të lodhur nga korrupsioni dhe pandëshkueshmëria, ky nuk është një detaj i vogël, por një akt përgjegjësie politike.
Zemërimi popullor nuk ka nevojë të shpiket. Ai ekziston, ushqehet nga varfëria, korrupsioni dhe pandëshkueshmëria dhe grumbullohet prej vitesh. Sfida nuk është ta ndezësh, por ta kontrollosh. Protesta e djeshme tregoi se ky zemërim mund të organizohet, të kanalizohet dhe të mbahet brenda kufijve demokratikë. Dhe kjo nuk ndodh spontanisht.
Në këtë pikë, roli i Sali Berishës, bëhet thelbësor. Jo si figurë simbolike, por si faktor politik që arrin të lokalizojë revoltën, duke e orientuar atë drejt një opozitarizmi konstruktiv dhe institucional. Protesta ishte masive, e fortë në mesazh, por e disiplinuar në formë. Nuk pati kapërcim, nuk pati përplasje me institucionet, nuk pati dhunë, siç duan ta etiketojnë atë. Pati veç simbolikë dhe një dëshirë qytetarësh, deri në ekstrem, për t’u përplasur me uniformat blu dhe me institucionet gjithashtu. Mirëpo, Sali Berisha e kontrolloi zemërimin qytetar, duke mos e lënë të thyejë “enën e vet”. E bëri mirë apo keq, për këtë do ta gjykojë koha. Por tensioni dhe padurimi qytetar për t’u kapur me shtetin ka shkuar aty ku s’mban më. Dje, një gjë e tillë u evidentua mjaft qartë.
Në një shoqëri të lodhur dhe të tensionuar, kjo është shenjë kontrolli politik, jo dobësie. Dhe jo më kot, vetëm kësaj radhe, mediat dhe gazetarët e regjimit nuk u morën me numrin e protestuesve, nuk u morën as me molotovët dhe fishekzjarrët e opozitës, as me fjalimet e atyre që folën, sepse ajo që u pa qartë ishte diçka krejt tjetër: ishte zemërimi i qytetarëve, hakërrimi i tyre, padurimi për t’u kapur dhe kacafytur me shtetin, ndoshta deri në kufijtë më ekstremë të fjalës.
Atë e vuri re menjëherë edhe Sali Berisha. Ata që ishin aty e kuptuan po ashtu. E kuptuan më në fund edhe deputetët e opozitës, të cilët, si rrallëherë, u përballën seriozisht me forcat dhe strukturat policore, duke e mbajtur mbi shpatulla tensionin qytetar, me idenë për të mos e lënë atë tension të derdhej kuturu rrugëve të kryeqytetit.
Kjo është pikërisht ajo që faktori ndërkombëtar duhet të lexojë me kujdes. Heshtja përballë një zemërimi qytetar kaq të dukshëm nuk është neutralitet; është rrezik. Nëse sot ky zemërim po shprehet në mënyrë të organizuar, paqësore dhe nën kontroll politik, kjo ndodh sepse ekziston një lidership që beson dhe ua transmeton këtë edhe mbështetësve të vet se pushteti nuk merret me grykën e pushkës, se institucionet janë të shenjta dhe se aleatët strategjikë nuk janë armik, por faktor stabiliteti.
Pa këtë filozofi politike, pa këtë kufizim të vetëdijshëm të revoltës, situata do të mund të rrëshqiste lehtësisht në skenarë shumë më të rrezikshëm për vendin. Historia shqiptare e njeh mirë se çfarë ndodh kur zemërimi popullor mbetet pa drejtim dhe pa filtër politik.
Kjo nuk do të thotë se protestat, sado masive, janë të mjaftueshme për të rrëzuar një qeveri. “Rubikoni” i vërtetë për opozitën mbetet i njëjti: shndërrimi i protestave nga partiake në realisht popullore; krijimi i një mase kritike qytetarësh që e bën qeverisjen politikisht të paqëndrueshme; ndërtimi i një konteksti ndërkombëtar jo armiqësor; dhe, mbi të gjitha, ofrimi i një perspektive të qartë për “ditën pas”.
Njerëzit dalin më shumë në shesh kur e dinë çfarë ndodh nesër. Rrëzimi i një qeverie nuk është si rrëzimi i një peme. Kërkon plan, përgjegjësi dhe garanci. Protesta e djeshme tregoi se opozita ka kapacitet mobilizues dhe se zemërimi qytetar është real. Ajo tregoi gjithashtu se ky zemërim mund të mbahet brenda kufijve demokratikë. Kjo është një arritje që nuk duhet nënvlerësuar.Tani pyetja nuk është nëse protesta ishte e madhe, por nëse ajo do të shndërrohet në një proces politik të mençur, të qëndrueshëm dhe të kuptueshëm edhe për ata partnerë ndërkombëtarë, mbështetja e të cilëve mbetet vendimtare për çdo “kalim kufiri” në Shqipëri.
Gazeta RD