Poshtërimi i Vlorës/ E ka zhveshur, të gjitha institucionet i ka dërguar në Lushnje dhe Fier

Nada MECORAPJA

Gjykata e Apelit u zhvendos në Tiranë. Gjykata Administrative u çua në Lushnjë. Drejtoria e Arsimit u largua në Fier.
Drejtoria e Bujqësisë përfundoi në Lushnjë. Porti u mbyll fare. Kadastra dhe Legalizimet u centralizuan në Tiranë.

Çfarë po i mbetet Vlorës?
Një qytet i madh, historik, simbol i shtetit shqiptar, i zhveshur nga funksionet shtetërore.

Kjo nuk është reformë administrative. Kjo është varfërim institucional. Kjo nuk është eficiencë. Kjo është centralizim arbitrar dhe përçmim ndaj Vlorës dhe vlonjatëve.

Çdo institucion i larguar është një shërbim më larg qytetarit, është më shumë kosto, më shumë sorollatje, më pak dinjitet. Është një mesazh i qartë: Vlora nuk është prioritet.

Vlora nuk kërkon favore. Kërkon drejtësi. Kërkon respekt për rolin e saj historik, ekonomik dhe kombëtar. Nuk mund të flasim për zhvillim, turizëm dhe investime, ndërkohë që qytetit i hiqet shteti. Nuk mund të flasim për barazi mes qyteteve, kur Vlora trajtohet si periferi.

Vlora nuk do të heshtë. Vlora nuk do të pranojë të shndërrohet në një qytet pa institucione, pa zë dhe pa peshë.

Sepse Vlora nuk është thjesht një pikë në hartë. Është themel i shtetit shqiptar.

About Krye Redaktor

Check Also

Reagimi i gazetares/ Shqipërisë i duhen protesta si ajo e 24 janarit, opozita të mos ndalet

Gazetarja Jonida Shehu, e ftuar në një studio televizive, vlerësoi protestën e fundit të opozitës …