Marash LOGU
Ndërkohë që prisnim me kolegen Eda Grimci shpalljen e vendimit gjyqësor për arrestimet e paligjshme të 19 protestuesve, një zotëri rreth të 50-tave u afrua dhe filloi të lëshonte sharje e kërcënime ndaj nesh dhe protestuesve. E gjitha në prani të të paktën 10 punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilëve derisa iu kërkuam që të ndërhynin, rrinin dhe bënin sehir, pavarësisht se po kërcënoheshin dy avokatë në krye të detyrës.
Guximi i patronazhistëve mjeranë të Edi Ramës për të sulmuar dhe kërcënuar në ambientet e Gjykatës protestuesit dhe avokatët e opozitës është dëshmia flagrante se Edi Ramën dhe pushtetin e tij e kanë lëshuar nervat. Ashtu siç në fakt u duk qartazi edhe në protestën e 24 janarit ku Policia dhunoi me të gjitha mjetet arbitrare në dispozicion protestues, gazetarë dhe qytetarë që protestonin kundër paligjshmërisë, abuzimit dhe korrupsionit qeveritar.
Por, Edi Rama dhe mjeranët e tij gabohen rëndë nëse mendojnë se me dhunë, sulme dhe kërcënime do të trembin apo zbrapsin opozitarët dhe qytetarët e ndershëm nga beteja e tyre për shtet të së drejtës, demokraci funksionale dhe ekonomi të zhvilluar. Protestuesit tanë brohoritën sot me forcë në ambientet e Gjykatës “Rama IK”, duke dëshmuar më së miri se dhuna, arrestimet e paligjshme dhe kërcënimet vetëm na nxisin dhe motivojnë më shumë.
Gazeta RD