Afera 80 milionë euro me dy TEC-et lundruese, Bozdo: Para të taksapaguesve në drejtim të paditur!

Nënkryetari i Komisionit të Ekonomisë, Eno Bozdo, ka denoncuar një aferë me vlerë të paktën 80 milionë euro që lidhet me dy TEC-et lundruese të ankoruara në Vlorë. Në një deklaratë për mediat, Deputeti i PD theksoi se, këto mjete, të prokuruara për një situatë hipotetike të emergjencës energjetike, nuk janë vënë kurrë në punë dhe me shumë gjasa nuk do të prodhojnë kurrë energji në mënyrë të qëndrueshme.

Sipas tij, këto dy anije të vjetra, përveç ndotjes së madhe që i shkaktojnë qytetit të Vlorës dhe bregdetit të jugut, kanë një kosto prodhimi energjie ekstremisht të lartë. Ekspertët e kanë përllogaritur koston nga 150% deri në 200% më të shtrenjtë se çmimi me të cilin energjia elektrike mund të blihet sot në tregjet ndërkombëtare.

Deklarata

Këto mjete lundruese, pavarësisht se u prokuruan për hir të një situate hipotetike të emergjencës energjitike, deri më sot nuk janë vënë në punë dhe me shumë gjasa asnjëherë nuk do të prodhojnë energji në mënyrë të qëndrueshme. Kjo jo vetëm për ndotjen e madhe që këto tece, anije të vjetra, i sjellin qytetit të Vlorës dhe bregdetit të jugut, por mbi të gjitha për shkak të një kostoje të lartë të prodhimit të energjisë elektrike. Që ekspertët e përllogarisin në varësi të çmimeve luhatëse të lëndës djegëse, nga 150% deri në 200% të çmimit me të cilin mund të blihet energjia elektrike sot në tregjet ndërkombëtare. Deri më sot, janë paguar dhe do paguhen në mënyrë të sigurtë të paktën 80 milionë euro. Janë një shumë e madhe parash, duke patur parasysh gjendjen shumë të vështirë financiare të sektorit elektroenergjitik, por dhe prioritetet e investimeve në këtë sektor.

Më konkretisht, KESH-i ka përgjegjësinë ligjore të vërë në dispozicion të ligjvënësit, për hir të transparencës, një, praktikën e plotë që është ndjekur lidhur me funksionimin e teceve lundrues Tigri 1 dhe Tigrit 3. Kontratat e qirave respektive të lidhura me operatorët për secilin nga tecet. Dokumentacioni i plotë të procedurave të prokurimit të zhvilluar në funksion të Tigrit 1 dhe Tigrit 3. Dokumentacioni që kërkojmë është i domosdoshëm për të bërë transparencë për këtë aferë, për të cilën media e pavarur investiguese ka përcjellë fakte shumë shqetësuese përsa i përket nevojës për prokurimin, transparencës së procedurës së ndjekur, shkeljeve ligjore të rënda kundrejt një procesi të rregullt të prokurimit.

Për fat të keq, kërkesave të mëparshme në lidhje me dokumentacionin për këtë aferë, administrata nuk i ka dhënë përgjigje në emër, gjoja, të informacionit konfidencial tregtar dhe shumë arsyetimeve që nuk qëndrojnë. Ajo që kërkojmë sot është elementi më minimal për të hedhur dritë mbi të paktën 80 milionë euro, para të taksapaguesve shqiptarë, që me sa duket kanë vajtur në drejtim të paditur. Ne kërkojmë vetëm zbatimin e ligjit dhe çdo pengesë nga drejtuesit e korporatës elektroenergjetike për të penguar transparencën më se të domosdoshme, do të ndiqet më tej në rrugë ligjore. Koha e mosdhënies së llogarisë, e arrogancës dhe e mospërfilljes ndaj ligjit ka mbaruar. Faleminderit!

About Redaksia

Check Also

Berisha në Strasburg: Narkoshteti dhe partia-shtet po shkatërrojnë zgjedhjet në Shqipëri!

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha deklaroi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të …