Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka deklaruar në Kuvend se, Shqipëria është i vetmi vend në Europë ku dënohet me burg parkimi dysh.
Bardhi tha se, kemi mbetur akoma me rrugët dhe me bulevardet që kemi pasur para viteve ’90, ndërsa për qeverinë Rama po parkove dysh je kriminel dhe të çojnë në burg. Por, shton Bardhi me ironi, nëse dikush vjedh 50 milionë euro, duhet të ulet në karrigen e Ballukut.
“Ne e kemi vepër penale pengimin e qarkullimit të mjeteve të transportit, ku bëhet me qëllim, me çfarëdo lloj mjeti e kemi sot vepër penale në Kodin Penal. Më gjeni një vend të dytë në BE, që parkimin dysh, pra një shkelje administrative, që rregullohet nga një ligj administrativ, e kriminalizojnë. Kush e bën këtë? Këta që kanë dekriminalizuar korrupsionin, pra e quajnë si një gjë normale. Vjedhin 50 milionë euro me një dorë e thonë s’ka ndodhur gjë, pse duhet të shkojë zv.kryeministrja në burg?! 50 milionë euro ka vjedhur ajo! Ama po parkove makinën dysh, të fut në burg ky dhe shefi i këtij.
Nëse parkohet makina dysh në një vend ku ndërtohet kulla, po s’ka një rrugë të re, zihen hapësirat publike, po s’ka një zgjerim rruge në asnjë qytet, kemi mbetur akoma me rrugët dhe me bulevardet që kemi pasur para viteve ’90, dhe ju i thoni qytetarëve, po parkove dysh, ti je kriminel dhe ne të çojmë në burg, ama po vodhe 50 milionë euro ti duhet të vish këtu, të ulesh dhe në karrigen e numrit 2 të qeverisë, të mbash dhe leksion moral për luftën kundër kriminalitetit”, tha Bardhi.
Gazeta RD