“Demonstrata e heshtur” e 28 janarit 1990 në Tiranë!

Nga Edi PALOKA

Një ngjarje që shumë pak kujtohet e përmendet sot, por që ka rëndësinë e vet historike. Ajo është demonstrata e parë e organizuar në Tiranë kundër regjimit pas 45 vitesh sundimi komunist. Përpara 2 korrikut të ambasadave dhe Dhjetorit të studentëve, ishte demonstrata e 28 janarit!

Organizimi i asaj demonstrate ishte disi i veçantë, aq sa as regjimi, megjithëse bëri dhjetëra arrestime, nuk arriti kurrë të “zbulonte” se kush ishin organizatorët. E vërteta është se ideja lindi te “Bordura”, atje ku në atë kohë qëndronte një pjesë e mirë e çunave të Tironës (“Çun Tirona” nuk kishte thjesht kuptimin e dikujt që kishte lindur në Tiranë; ishte diçka më shumë, por kjo është temë tjetër).

Në Evropën Lindore kishin rënë një nga një regjimet. Ne kishim ndjekur çdo minutë në televizor revolucionin rumun dhe pushkatimin e Çausheskëve (kryesisht te kanali i dytë i Jugosllavisë, që ishte i vetmi që mund të shihej në atë kohë pa zhurmues, nëpërmjet kanaçeve të famshme).

Edhe në Shqipëri kishte disa vite që ishte zgjeruar rrethi i atyre që flisnin kundër regjimit, por jo se regjimi ishte zbutur; as dënimet nuk ishin ndalur. Frika kishte filluar të vritej!

Në atë kohë ishte e vështirë që edhe njerëzve të afërt t’u hapeshe, qoftë edhe për t’u ankuar, por sidoqoftë ne kishim krijuar grupe të konsoliduara shokësh e familjarësh me të cilët mund të flisnim me siguri, të paktën që nga vitet e para ’80. Festat “ilegale” ishin sidomos ambientet ku kultivohej urrejtja për regjimin, por gjithçka shkonte deri te sharjet për diktatorin.

Unë vetë kisha në atë kohë disa lidhje shoqërore me grupe të ndryshme, qoftë për sa i përket shtresave, ashtu edhe vendqëndrimit të tyre. Por Bordura ishte pika ku, sidomos në fundjavë, mblidheshim shumica jonë.

Në atë kohë nuk kishte media përveç atyre të regjimit dhe çdo informacion qarkullonte nëpërmjet thashethemeve. Nëpërmjet njohjeve e lidhjeve që kisha në Shkodër, mësova për tentativën që ishte bërë për rrëzimin e bustit të Stalinit në mes të janarit, si edhe për arrestimet. Revoltë kishte shpërthyer edhe në Kavajë, por të gjitha këto regjimi kishte arritur t’i shtypte dhe t’i fshihte.

Atëherë, pikërisht aty te Bordura, fillimisht e pastaj e përhapur nëpër lagje e në gjithë Tiranën, lindi ideja e domosdoshmërisë së një organizimi në Tiranë. Vetëm kështu do të merrej vesh se edhe ne po lëviznim. Në Tiranë, në mos tjetër, ishin ambasadat!

Kështu filloi dhe mori formë demonstrata e 28 janarit. Regjimi nuk e mësoi dot kush ishin organizatorët, sepse organizatorë, pasi ideja doli, u bënë të gjithë!

“Koncert të dielën në orën 6 mbasdite te sheshi” – kjo ishte formula që përhapëm për të mos u kapur. Fjala u përhap me shpejtësi të pabesueshme dhe secili shtonte diçka nga vetja. E bukura është se, kur fjala filloi të kthehej te ne, aty ku kishte nisur, ishte shtuar me ambasadorë që do të ishin të pranishëm, madje edhe me një prift të dënuar nga regjimi që do të mbante fjalim!

Ato ditë strukturat e Sigurimit ishin duke luajtur mendsh, sepse nuk ishin vënë ndonjëherë në situata të tilla. Aq jashtë loje ndiheshin, sa u bënë më agresive, por edhe qesharake. Dy a tri herë, ndërkohë që ne ishim mbledhur në grupin shoqëror te Bordura, na futej në mes dikush që as nuk e kishim parë ndonjëherë. Hynin mes grupit tonë, që ishim shokë prej vitesh, dhe rrinin gjoja si pjesë e tij, që të dëgjonin çfarë po flisnim. Ne, në fakt, nuk na kapte frika, por e qeshura. Sigurisht pushonim së foluri dhe ktheheshim t’i shihnim në sy, derisa largoheshin vetë!

Ndërkohë kishin filluar paralajmërimet dhe kërcënimet nëpër shkolla dhe vende pune. Disa nga ne i ndaluan e i arrestuan përpara orës 6. Arrestet i bënin në mënyrë demonstrative, me qëllim që të fusnin frikën. Një prej çunave (A. Pocarini) e morën me zhurmë të madhe në mes të bulevardit. Na ndaloi “gazi” i Sigurimit para këmbëve, dolën dhe e rrëmbyen nga mesi i grupit tonë dhe ikën!

Sigurisht që kërcënimet dhe këto ndalime bënin efekt, aq sa ne filluam të kishim frikë se mos nuk do të kishte njerëz. Bënim shaka me njëri-tjetrin: “Me duket do dalim vetëm ne dhe do na kapin rehat, se do t’u shkojmë vetë në dorë!”

Në të vërtetë, në orën 6 u shkul e gjithë rinia e Tiranës në shesh.

Sigurimi dhe sampistët vinin vërdallë mes nesh, tanimë jo të fshehur, por duke demonstruar forcë. Një ish-shef i sampistëve në atë kohë, një fare Rremë që i thërrisnin “Tigri”, i skuqur në surrat bërtiste: “Do ju bëjmë sallam!”. (Nuk e kam parë më pas ’90 atë sallamxhi!)

Ndërkohë një makinë e vogël e bardhë lëvizte mes turmës dhe filmonte. I dukej drita e kuqe e kamerës nga një shirit xhami që kishte mbrapa.

Sidoqoftë, ne vazhduam “xhiron” për disa orë.

Nuk pati revoltë, as prift që të mbante fjalim (përfaqësues të ambasadave u panë), por ajo demonstratë pati një vlerë të madhe, sepse ne, për herë të parë, pamë njëri-tjetrin. Pamë se sa shumë ishim që mendonim njësoj. Deri atë ditë ishim të kufizuar brenda grupeve tona familjare e shoqërore; atë ditë pamë jo vetëm që ishim shumë, por pamë edhe pafuqinë e regjimit për të na ndalur.

Është e vërtetë që disa nga ne u ndaluan dhe u arrestuan. Disa edhe u dënuan. Edhe unë u ndalova, por nuk më mbajtën më shumë se një natë. Si gjithë të tjerëve u thashë se kisha dalë për xhiron e së dielës…

Më pas një shok imi i fakultetit më kontaktoi dhe më paralajmëroi se ma kishte nxjerrë ai emrin si personi që i kisha folur për “koncertin” e orës 6. U largova disa ditë nga Tirana, por nuk u morën më me mua. Duket se nuk kishin më kontroll të situatës, pavarësisht represionit që bënë edhe ato ditë. Frika ishte trembur! Të gjithëve nuk na burgosnin dot!

About Redaksia

Check Also

Berisha në Strasburg: Narkoshteti dhe partia-shtet po shkatërrojnë zgjedhjet në Shqipëri!

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha deklaroi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të …