Me plasaritje dhe çarje të shumta të bordurës anësore dhe tavanit, Tuneli i Murrizit pjesë e Rrugës së Arbrit po shndërrohet në rrezik madhor për jetën e udhëtarëve.
Qarkullimi në këtë tunel, i konsideruar si shtylla kryesore e Rrugës së Arbrit u hap më 14 mars 2025, ndërsa qeveria shqiptare u zotua se kjo vepër infrastrukturore, ndër më të kushtueshmet në vend, ishte ndërtuar sipas standardeve më të larta teknike dhe se ishte i sigurt për qarkullim.
News24 pa nga afër situatën në tunel, ku siç shihet përmes këtyre pamjeve plasaritjet dhe çarjet janë konstatuar në anën lindore të tij, duke ngritur pikëpyetje të mëdha për cilësinë e punimeve, studimin gjeologjik të zonës dhe mirëmbajtjen nga firma kontraktore.
Në lidhje me këtë problematikë, përfaqësues të kompanisë “Gjoka konstruksion” thanë për News24 se dëmtimi i harkut lindor të tunelit ka ardhur si pasojë e punimeve që po kryhen në tunelin e emergjencës.
Dy tunelet janë 28-30 metra larg njeri-tjetrit, ndërsa punimet kanë ndikuar në lëvizjen e harkut të tunelit.
Tuneli i Murrizit ka qenë vazhdimisht në qendër të skandaleve, për shkak të vonesës që pati në vënien në funksion të tij, ndërsa janë regjistruar edhe problematika të shumta me funksionimin e ventilatorëve të ajrit, si dhe me ndërprerjen e energjisë elektrike.
Rruga e Arbrit ka kushtuar rreth 450 milionë euro. Kjo shifër përfshin tunelin dhe segmentet e tjera të aksit që lidh Tiranën me Dibrën.
Në raportime të tjera më të hershme për projektin, investimi fillestar për këtë pjesë ishte rreth 350 milionë euro, por vlera e tij është rritur gjatë punimeve për shkak të vështirësive gjeologjike dhe zgjatjeve të kontratave.
Gazeta RD